Partitë politike vazhdojnë të heshtin në lidhje me bashkëpunimet e mundshme për krijimin e Qeverisë së re të MV

Dy javë pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentarë në Maqedoninë e Veriut, partitë politike vazhdojnë të heshtin sa i përket kombinimeve të mundshme për formimin e Qeverisë së re. Asnjëra nga partitë deri ma tani, nuk ka shpalosur propozime apo kombinime konkrete se si do të mund të dukej qeveria e re, shkruan Portalb.mk.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i pyetur sot nga gazetarët, nuk ka dashur që të komentoj nëse ai dhe kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, po negociojnë me Zaevin apo Mickoskin, për formimin e Qeverisë së re.

Ai tha se fillimisht po presin që të mbahet seanca konstituive dhe më pas do të fillojnë që në mënyrë aktive të komunikojnë. Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa presin që t’i kaloj radha BDI-së, por nëse Ahmeti nuk arrin që të realizoj kërkesën për “kryeministër shqiptare”, vlerësojnë se duhet që kundërshtari i tyre të tërhiqet nga tentimet për pushtet.

Edhe Gashi gjatë një interviste të publikuar dje, ka thënë se nëse BDI nuk e merr kryeministrin, duhet që ASH-AA t’i nisin bisedimet për formimin e qeverisë.

“BDI duhet që të provojë që Naser Ziberi të jetë kryeministër, ata fituan deputetë për shkak të tij dhe nëse nuk munden që ta realizojnë duhet të heqin dorë dhe të bëhen kombinime të reja dhe ne si Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa të fillojmë bisedime. Kemi biseduar me Ziadin Selën dhe kemi ardhur në përfundim që të mos hyjmë në bisedime përpara se BDI-ja ta harxhojë legjitimitetin e saj”, theksoi Gashi.

Ai shtoi se Koalicioni ASH-AA në zgjedhje kanë dalë me një program – shtet për të gjithë.

As BDI nuk ka shpalosur deri më tani detaje nëse po zhvillon negociata konkrete me ndonjërën nga partitë maqedonase.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti nëpërmjet një postimi në Facebook dy ditë më parë, ka njoftuar për takimin e realizuar me kryetarin e Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, megjithatë nuk ka bërë të ditur nëse në këtë takim është folur për qeverinë e ardhshme.

Ndërsa, kandidati i BDI-së, për kryeministër, Naser Ziberi, në një deklaratë të dhënë më herë, në emër të partisë theksoi se asnjë opsion për formim të qeverisë nuk është i përjashtuar, por theksoi se lideri Ali Ahmeti tani për tani mbetet në pozitën që ai të jetë mandatar për formim të qeverisë së re.

Partia LSDM, pas publikimit të rezultateve preliminare të KSHZ-së, tha se mandatari dhe kryeministri i ardhshëm i Qeverisë do të jetë Zoran Zaev. Ata informuan se bisedimet për formimin e qeverisë së ardhshme do të bëhen pas festës së 2 gushtit, ndërkaq deri atëherë lideri i porosisë do të pushojë.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi e ka nënshkruar vendimin për thirrjen e seancës së parë konstituive e cila do të mbahet më 4 gusht, me fillim në ora 12:00.

Pas kësaj, vijojnë afatet për dhënien e mandatit nga ana e presidentit, Stevo Pendarovski, për formimin e Qeverisë së re. Presidenti planifikon të mbajë konsultime me partitë politike, pas çka, në pajtim me dispozitat kushtetuese, do t’ia ndajë mandatin për formimin e Qeverisë së re partisë, respektivisht partive që do të sigurojnë shumicë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Sipas rezultateve përfundimtare të publikuara nga KSHZ, LSDM ka fituar 46 mandate, VMRO-DPMNE 44, BDI 15, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 12, Levica (E Majta) 2 dhe PDSH 1.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button