Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimet kushtetuese për reformën zgjedhore

Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot në seancën e fundit të sesionit parlamentar ndryshimet kushtetuese që lidhen me procesin e reformës zgjedhore, duke vendosur përfshirjen e listave të hapura për zgjedhjet parlamentare, raporton Anadolu Agency (AA).

Në Kuvend u miratua me 106 vota pro dhe 10 kundër marrëveshja e arritur mes maxhorancës së drejtuar nga partia në pushtet, Partia Socialiste e Shqipërisë, dhe deputetëve të opozitës parlamentare, për të ndryshuar nenin 64 dhe 68 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Kuvendi i Shqipërisë aktualisht ka 122 deputetë, pas dorëzimit vitin e kaluar të mandateve nga partitë opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, ndërsa Kushtetuta përcakton se Kuvendi i Shqipërisë përbëhet nga 140 deputetë.

Sipas ndryshimeve, në zgjedhjet e radhës parlamentare do të aplikohet sistemi i votimit me lista të hapura ku votuesve u jepet mundësia të zgjedhin partinë dhe kandidatin, ndërsa detajet për këtë sistem dhe pragun elektoral do të përcaktohen në Kodin Zgjedhor të Shqipërisë.

Në fjalën e tij në seancë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha kjo votë është me dinjitet dhe tërësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe sipas tij me ambicien për ta bërë Shqipërinë një vend më demokratik.

“Sot pavarësisht se shumëçka ne na ndan, vota e përbashkët është në fakt të qenit së bashku në anën e duhur të historisë, të zhvillimit demokratik dhe të përsosjes së pluralizmit dhe në anën e duhur të popullit shqiptar, të zgjedhësve shqiptarë të cilëve ne u japim mundësinë të zgjedhin jo vetëm partinë, por edhe deputetin që duan”, tha Rama.

Ndërsa deputeti Korab Lita, nga opozita parlamentare tha se procedura e ndryshimit të Kushtetutës për hapjen e listave ka kaluar të gjithë praktikën ligjore në komisionet parlamentare, grupet e interesit dhe ekspertët konstitucionalistë.

Me seancën që miratoi ndryshimet kushtetuese, Kuvendi i Shqipërisë mbylli sesionin e gjashtë të legjislaturës së nëntë, ndërkohë sesioni i shtatë do t’i nisë punimet në shtator 2020.

Presidenti Meta dhe PD reagojnë kundër ndryshimeve kushtetuese

Miratimi i ndryshimeve kushtetuese pas një debati të gjerë prej disa muajsh, ka shkaktuar edhe reagime të presidentit të vendit, Ilir Meta, por edhe të disa partive politike të opozitës.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në rrjetet sociale ka shkruar se “Akti i sotëm i ndryshimit të njëanshëm dhe me urgjencë të pajustifikueshme të Kushtetutës nga Kuvendi me legjitimitet të cunguar, është antikushtetues dhe i papranueshëm”. “Presidenti i Republikës si gjithmonë do të jetë në krye të detyrës në mbrojtje të Kushtetutës, të drejtave të patjetërsueshme dhe vullnetit të qytetarëve për të marrë në dorë fatet e tyre”, ka thekuar Meta.

Ndërkohë, edhe Partia Demokratike e Shqipërisë(PD), partia më e madhe opozitare, i ka kundërshtuar ndryshimet kushtetuese.

Në një deklaratë për mediat, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, tha se “Ndryshimet e njëanshme pa konsensus me opozitën dhe në shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit dhe 14 janarit janë të papranueshme, nuk janë të detyrueshme për Opozitën, dhe aq më pak për qytetarët”.

Zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën në vitin 2017 u organizuan sipas sistemit proporcional me zona zgjedhore shumëmërore (me lista të mbyllura), sistem ky i cili ishte në fuqi që nga viti 2008 që u miratua me ndryshime kushtetuese.

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri pritet të mbahen në vitin 2021, ndërkohë data do të caktohet me dekret të presidentit Ilir Meta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button