GEM kërkon dorëheqjen e Gruevskit, Velanoskit dhe Jankullovskës

Në vijim është komunikata e plotë e shoqatës “Qytetarët për Maqedoni evropiane” (QME).

“Qytetarët për Maqedoni evropiane” (QME) kërkojnë dorëheqje nga Kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski, për shkak të mundësimit të ndërhyrjes policore në pushtetin e kuvendit, që është rrënim i dhunshëm i rregullimit kushtetues të Republikës së Maqedonisë. Trajko Veljanovski ka përgjegjësi për shkak të:  

1. Shkeljes së Nenit 70 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë: “Seancat e Kuvendit janë publike. Kuvendi mund të vendosë të punojë pa prani publike me shumicën e dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve”. Pa vendimin e dy të tretave (për punë pa prani publike), Trajko Veljanovski e ka mundësuar përjashtimin e dhunshëm të gazetarëve nga Kuvendi gjatë votimit të Ligjin për buxhet. 

2. Shkeljes të dhjetëra neneve tjera kushtetuese, me të cilat përcaktohen të drejtat e deputetëve dhe mandati i tyre. Duke e mundësuar përjashtimin e dhunshëm të një grupi të deputetëve gjatë seancës parlamentare, Trajko Veljanovski është përgjegjës për kufizimin e të drejtave kushtetuese dhe shkeljen e mandatit të tyre. 

3. Shkeljes së Ligjit për Kuvendin e Republikës së Maqedonisë dhe në veçanti Nenit 43, Paragrafit 4: “Kryetari i Kuvendit vendos dhe merr masa që lidhen me përgjegjësinë mbi prishjen e rendit në Kuvend nga deputetët dhe personat e jashtëm që marrin pjesë në punën e Kuvendit, pas konsultimit me nënkryetarët dhe koordinatorët e grupeve parlamentare”. Trajko Veljanovski ka vendosur vullnetarisht për zbatimin e masave pa konsultim paraprak me nënkryetarët dhe koordinatorët e grupeve parlamentare, kurse disa prej tyre janë përjashtuar dhunshëm nga salla e Kuvendit, së bashku me deputetët tjerë të opozitës. 

4. Shkeljes së dispozitave të ndryshme nga Rregullorja e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Trajko Veljanovski i ka tejkaluar ingjerencat e tij duke e urdhëruar mënjanimin e dhunshëm të deputetëve opozitarë nga seanca parlamentare. Konkretisht, “Kryetari i Kuvendit ia merr fjalën deputetit, atëherë kur ai me fjalimin e tij në seancë e prish rendin, ndërkohë që në seancën e njëjtë i bëhet thirrje dy herë për ta respektuar rendin e kuvendit” (Neni 92, Paragrafi 2). Më tej, “Kryetari i Kuvendit e mënjanon deputetin nga seanca, kur pavarësisht vërejtjes, gjegjësisht marrjes së fjalës, ai e prish rendin e seancës ose përdor shprehje me të cilat cënohet dinjiteti i Kuvendit. Deputeti i mënjanuar nga seanca obligohet ta lëshojë menjëherë sallën ku mbahet seanca. Nëse Kryetari i Kuvendit nuk mund ta mbajë rendin gjatë seancës, cakton ndërprerje të shkurtë të seancës” (Neni 93). Trajko Veljanovski ka urdhëruar mënjanim të dhunshëm të shumicës së deputetëve opozitarë, pa shprehur vërejtje paraprake dhe pa bërë përpjekje për mbajtjen e rendit të seancës përmes ndërprerjes së shkurtë.  

QME kërkon dorëheqje nga Ministresha e punëve të brendshme, Gordana Jankullovska për shkak të:   
1. Pengimit të tubimit publik nga policia, që përmes trajtimit të pabarabartë (ndalimit dhe ridrejtimit të autobusëve të caktuar, ndërkohë që është lejuar kalimi i autobusëve të protestuesve pro-qeveritarë) ka pamundësuar grupe më të mëdha të qytetarëve ta realizojnë të drejtën e protestimit të qetë para Kuvendit. 
2. Përdorimit të forcës së tepërt nga Ministria e punëve të brendshme gjatë protestave para Kuvendit. 
3. Shkeljes së Kushtetutës përmes përjashtimit të dhunshëm të publikut nga seanca parlamentare – pa vendim të Kuvendit me dy të tretat e votave.  
4. Shkeljes së Kushtetutës përmes përjashtimit të dhunshëm të deputetëve të zgjedhur nga seanca parlamentare, pa vendim gjegjës për marrjen e mandatit të deputetit ose mënjanimit të deputetit (si që parashihet me Rregulloren e Kuvendit). 
5. Manipulimit të opinionit, që Ministria e punëve të brendshme me sukses “e ka penguar bllokimin e dhunshëm dhe prishjen e rregullimit shtetëror”, si dhe pjesëmarrjes aktive në prishjen e dhunshme të rregullimit shtetëror përmes ndërhyrjes jokushtetuese në Kuvend, duke e përjashtuar me dhunë publikun dhe përfaqësuesit e popullit të zgjedhur në mënyrë legjitime.  

QME kërkon dorëheqje të Kryeministrit Nikolla Gruevski për shkak të: 
1. Shkeljes së vlerave themelore të rregullimit kushtetues (shkeljes së parimit të “ndarjes së pushtetit shtetëror në pushtetin ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor, ndërsa me mënjanimin e dhunshëm të deputetëve nga nëpunësit qeveritarë është lënduar pluralizmi politik dhe është shkelur vullneti i shprehur në zgjedhje).  
2. Shkeljes të të drejtës për protestim të qetë dhe për qasje të lirë ndaj informatave, lirisë së pranimit dhe transmetimit të informatave, si dhe futjes së censurës në servisin publik që ndalohet me Kushtetutë. 
3. Imponimit të diktaturës policore në Republikën e Maqedonisë, përmes marrjes së kontrollit absolut mbi pushtetin ligjvënës, që sipas Kushtetutës ka ingjerenca për ushtrimin e kontrollit mbi Qeverinë. 
Suspendimi i dhunshëm i pushtetit ligjvënës nga pushteti ekzekutiv është veçori e regjimeve diktatoriale. Përjashtimi policor i gazetarëve dhe deputetëve opozitarë nga Kuvendi është tregues i qartë i shtetit policor. Andaj, QEM i bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë që në mënyrë aktive ta kundërshtojnë regjimin gruevist dhe shtetin policor përmes padëgjueshmërisë qytetare dhe formave tjera të rezistencës demokratike. T’i kundërshtojmë dhunuesit e demokracisë dhe atyre që e uzurpuan sovranitetin tonë qytetarë përmes përjashtimit policor të opinionit dhe opozitës nga Kuvendi! Nëse nuk ngritemi kundër padrejtësisë, edhe ne bëhemi bashkëveprimtarë në aktet e padrejtësisë. 

Roberto Beliçanec, Mersel Bilalli, Nikolla Gelevski, Branko Geroski, Vlladimir Milçin, Zharko Trajanoski

Shkup, 26 dhjetor 2012 

/Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button