Trump e përmend sërish hidroksiklorinën si trajtim për koronavirus

Presidenti amerikan, Donald Trump ka mbrojtur sërish përdorimin e ilaçit për malarien, hidroksiklorinën, si trajtim për koronavirusin e ri, duke qëndruar mbrapa vendimit të tij për të shpërndarë disa video në rrjetin social, Twitter që promovojnë ilaçin në fjalë.

Hidroksiklorina është larguar nga lista e ilaçeve për parandalim apo trajtim të sëmundjes, Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Mirëpo Trump, që shumë herë në të kaluarën ka treguar mbështetje për hidroksiklorinën, ka thënë më 28 korrik, se ai beson që ilaçi ka pasur efekt “në fazat e para”, transmeton REL.

Trump i ka bërë këto komente në Shtëpinë e Bardhë, teksa ka tentuar t’i rikthehet diskutimit për rizgjedhje si president, meqë sondazhet e fundit tregojnë se shumica e amerikanëve nuk pëlqejnë menaxhimin e krizës shëndetësore nga ana e tij.

Mirëpo mbështetja e tij së fundmi ka qenë në kundërshtim me rekomandimet e ekspertëve të shëndetësisë publike në Shtetet e Bashkuara, të cilët thonë se ky ilaç nuk duhet përdorur për trajtim të koronavirusit.

Administrata për Ushqim dhe Ilaçe pati lejuar përdorimin e ilaçit në fazat e para të pandemisë, mirëpo muajin e kaluar ka pezulluar autorizimin për të, pasi shumë studime kanë ngritur dyshime për efektin e tij.

Deklaratat e Trumpit kanë ardhur në ditën kur gjashtë shtete amerikane kanë raportuar rekord ditor të numrit të vdekjeve si pasojë e koronavirusit, teksa Shtetet e Bashkuara i afrohen regjistrimit të 150,000 jetëve të humbura nga pandemia.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, vetëm në ditën e martë në SHBA janë regjistruar 1,300 viktima, njëherësh shifra më e lartë e vdekjeve prej muajit maj.

Gjashtë shtetet që kanë regjistruar numër rekord të vdekjeve brenda një dite janë: Arkansas, Kalifornia, Florida, Montana, Oregon dhe Teksas.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button