Kosova miratoi masa të reja për mbrojtje nga COVID-19, vazhdon të vlejë masa për test negativ PCR për qytetarët e Maqedonisë së Veriut

Për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve, Qeveria e Kosovës ka miratuar masa të reja me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria e Kosovës ka vendosur që sipas parimit të reciprocitetit, të gjithë qytetarët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, gjatë hyrjes në territorin e Kosovës duhet të dëshmojnë se kenë test negativ RT-PCR për COVID-19.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e qeverisë, nga ky vendim ka disa përjashtime që kanë të bëjnë me udhëtarët që vijnë apo shkojnë në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, me kusht që të lëshojnë vendin brenda tre orëve.

Përjashtim gjithashtu përbëjnë edhe transportuesit profesionistë, si dhe diplomatët e huaj dhe familjarët e tyre nga shtetet e cekura në këtë vendim, të cilët janë të akredituar në Kosovë.

Gjatë hyrjes në Kosovë, test negativ për COVID-19 të bërë 72 orë para arritjes në kufi duhet të tregojnë edhe ata që kanë qëndrim të përkohshëm apo të përhershëm në Kosovë, si dhe ata që kanë caktuar termin për mjekim në institucionet shëndetësore të Kosovës.

Qeveria e Kosovës gjithashtu ka ndaluar lëvizjes nga ora 22:30 deri në orën 05:00 në këto komuna: Prishtinë, Prizren, Pejë, Podujevë, Gjakovë, Ferizaj, Lipjan, Drenas, Vushtrri, Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë Kosovë dhe Shtërpcë.

Të gjithë banorët e Republikës së Kosovës obligohen t’i bartin maskat në fytyrë në të gjitha veprimtaritë jashtë vendbanimeve të tyre dhe të mbajnë distancë fizike prej 2 metrash në mjedise të përbashkëta jashtë vendbanimeve të tyre, ndërsa institucionet punëdhënëse obligohen të krijojnë kushte që në mjedise pune kjo distancë të aplikohet.

Ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 5 personash në hapësirat publikë, ndërsa ndalohen edhe të gjitha tubimet publike, duke i përfshirë ahengjet familjare private.

Ndalohen gjithashtu edhe veprimtaritë rekreative, kulturore dhe sportive në mjedise të mbyllura dhe të hapura në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, ndërsa lejohen vetëm fitneset, pishinat e mbyllura dhe sportet individuale.

Subjektet që ofrojnë transport publik duhet të punojnë me kapacitete të përgjysmuara, ndërsa ndalohet therja e kafshëve në çfarëdo mjedisi të hapur apo të mbyllur, përveç në mjediset e autorizuara për therjen e kafshëve.

Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës gjithashtu theksohet se ndalohet pjesëmarrja fizike e qytetarëve në të gjitha ceremonitë dhe veprimtaritë fetare në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Kafenetë dhe restorantet duhet të punojnë sipas orarit të ri kur lejohet lëvizja, edhe atë vetëm në hapësira të hapura duke respektuar largësinë prej 2 metrash ndërmjet tavolinave.

Qytetarët më të moshuar se 65 vjeç dhe qytetarët me sëmundje kronike mund të dalin jashtë në mjedise publike vetëm në orët e hershme të mëngjesit (05:00-10:00) dhe orët e mbrëmjes (18:00-21:00).

Numri i përgjithshëm i rasteve me COVID-19 të regjistruara në Kosovë ka shkuar në 7.652, prej të cilëve 192 kanë humbur jetën, ndërsa 4.129 janë shëruar. Aktualisht në Kosovë ka 3.331 raste aktive me koronavirus.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button