BE-ja pret nga Beogradi harmonizim të politikës për çështjen e ujgurëve në Kinë

“Presim që Serbia të sillet në përputhje me obligimet për harmonizim të politikës së saj të jashtme dhe të sigurisë me politikën e Bashkimit Evropian”, kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë nga shërbimi për media i Bashkimit Evropian.

Në këtë mënyrë, Brukseli është përgjigjur ndaj lajmit se Serbia ka mbështetur deklaratën, me të cilën, shkelja e të drejtave të njeriut dhe të pakicave ndaj ujgurëve në krahinën kineze Ksinjiang definohet si “luftë kundër terrorizmit dhe ektremizmit”.

Me mbështetjen e kësaj deklarate, Serbia është gjetur në anën e kundërt të shteteve evropiane dhe të botës, të cilat, në mënyrën më të ashpër, e dënojnë fushatën kineze të represionit mbi pakicën myslimane të ujgurëve, para së gjithash dëbimet masive të këtyre njerëzve në të ashtuquajturat “kampe për riedukim politik”, shkruan REL.

Nga Qeveria e Serbisë dhe Ministria e saj e Punëve të Jashtme, Radio Evropa e Lirë nuk ka marrë përgjigje në pyetjen se kush dhe për çfarë arsyeje ka sjellë vendimin që Serbia ta mbështesë deklaratën.

Në faqen zyrtare të internetit të kësaj ministrie dhe as në atë të misionit të Serbisë pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë nuk është publikuar që Beogradi ka nënshkruar deklaratën.

“Serbia udhëheq politikë të vazhdimësisë ndaj Republikës Popullore të Kinës, duke respektuar integritetin e saj territorial, ndërkaq, çështjet e brendshme Kina duhet t’i zgjidhë pa presionin e bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë Verolub Arsiq, zyrtar i Partisë Përparimtare Serbe, parti kjo në pushtet, si dhe anëtar i Grupit Parlamentar të Miqësisë me Kinën në Kuvendin e Serbisë.

Duke komentuar lidhur me atë se pse është ky veprim i Beogradit në shpërputhje me politikën e BE-së, në të cilën Serbia synon anëtarësimin, Arsiq ka thënë se për këtë mund të flitet “kur Serbia të marrë pjesë në vendimmarrje të Bashkimit Evropian”.

“Deri atëherë, Serbia është shtet i pavarur dhe sovran, si dhe udhëheq politikë të mëvetshme, në përputhje me interesat e saj, duke respektuar të drejtën ndërkombëtare”, ka thënë Arsiq.

Çfarë shkruan në deklaratë?

Deklaratën, të cilën në Këshillin për të Drejta të Njeriut të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, më 1 korrrik e ka dërguar misioni i Bjellorusisë, e kanë mbështetur edhe Rusia, Arabia Saudite, Koreja e Veriut, Irani, Pakistani, Kuba, Siria, Jemeni, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti, Palestina, Sudani, Venezuela dhe rreth 30 shtete të Afrikës dhe Azisë.

Nga 46 vende që kanë nënshkruar deklaratën, Serbia është shteti i vetëm që synon anëtarësimin në Bashkimin Evopian, por që ka mbështetur politikën dhe veprimet e Kinës në Ksinjiang.

Në dokument, ndër të tjera, thuhet se Kina, “duke reaguar ndaj kërcënmeve të terrorizmit, seperatizmit dhe ekstremizmit, që u kanë shkatuar dëme të mëdha të gjitha grupeve etnike në Ksinjiang, ka ndërmarrë një varg masash në përputhje me ligjin, për të mbrojtur të drejtat e tyre njerëzore”.

“Në Ksinjiang janë rivendosur siguria dhe stabiliteti. Të drejtat e njeriut për njerëzit e të gjitha grupeve etnike janë mbrojtur me efikasitet”, thuhet në deklaratë.

Në dokument bëhet thirrje për përmbajtje nga “akuzat e pabazuara kundër Kinës, të bazuara në dezinformata” dhe shtohet se nënshkruesit e saj “me vendosmëri e kundërshtojnë praktikën e politizimit të çështjes së të drejtave të njeriut dhe standardet e dyfishta”.

Mbështetjen e Serbisë për Kinën, paraprakisht e ka konfirmuar personalisht shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, kur në muajin shkurt ishte në Pekin.

Sipas raportit të agjencisë kineze Sinhua, Daçiq, në bisedimet që ka pasur me ministrin e Jashtëm të Kinës, Vang Jiem, ka thënë se Beogradi “në mënyrë të hapur dhe fuqishëm e mbështet politikën e një Kine, sikurse edhe interesat dhe shqetësimet kyçe të atij vendi rreth çështjeve të Ksinjiangut, Hong Kongut dhe Tajvanit”.

Shqetësimi dhe dënimi nga bota

Në krahinën kineze autonome Ksinjiang, në të cilën jetojnë rreth 25 milionë njerëz, më shumë se gjysmën e tyre e përbëjnë kryesisht grupet etnike pakicë myslimane.

Grupi më i madh është populli turk ujgur, që me pamje, gjuhë dhe kulturë është më i përafërt me popujt e Azisë Qendrore sesa me kinezët han, të cilët janë grupi etnik më dominant në Kinë.

Në dekadat e fundit, miliona kinezë han janë zhvendosur në Ksinjiang, gjë që ka sjellë deri te rritja e tensioneve etnike, por edhe te përjashtimi ekonomik i ujgurëve.

Konfliktet e herëpashershme kanë vazhduar që nga viti 1990, ndërsa konflikti më i madh deri më tash, ishte në vitin 2009, në qytetin Urumki, ku janë vrarë rreth 200 njerëz gjatë përleshjeve në rrugë.

Ujgurët, së bashku me pakicat tjera myslimane, sikurse kazakët dhe kirgizët, janë bërë cak i autoriteteve kineze për t’i dërguar ata në “kampet për riedukim”, sepse konsiderohet se feja e tyre paraqet kërcënim për shtetin kinez dhe për komunizmin.

Çështja e kampeve në Ksinjiang është iniciuar në Kombet e Bashkuara në gusht të vitit 2018.

Komiteti i Kombeve të Bashkuara për eliminimin e diskriminimit racor ka njoftuar se rreth 1 milion ujgurë janë ndaluar “në kampet serkrete për indoktrinim politik”.

Një numër i madh i dokumenteve sekrete të Qeverisë kineze, të cilat kanë arritur të dalin në opinion, si dhe raportet e organizatave ndërkombëtare dhe dëshmitë kanë zbuluar veprime shtypëse të autoriteteve kineze brenda kampeve.

Raportimet ndërkombëtare kanë zbuluar se mijëra pjesëtarë ujgurë janë transferuar për të punuar në fabrika nëpër të gjithë Kinën, në kushte që “sugjerojnë fuqishëm se bëhet fjalë për punë të detyrueshme”.

Besohet se fabrikat në të cilat punojnë ata, paraqesin afërsisht 80 për qind të brendeve të mëdha botërore, sikurse: “Nike”, “Apple” dhe “Gap”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button