RMV, aparate për teste të shpejta do të vendosen në kovid qendra të montuara nëpër gjithë shtetin

Makina – aparate për testim, të cilat për disa orë mund të japin rezultate për prezencë të koronavirusit, do të instalohen në spitalet e parafabrikuara, gjithsej 16 në numër, të cilat Ministria për Shëndetësi është duke i përgatitur për në shtator, kur pritet vala e dytë e pandemisë, transmeton Portalb.mk.

Këtë në Shtip e lajmëroi sekretari shtetëror në Ministrinë për Shëndetësi, d-r Vlladimir Milloshev, i cili të martën ishte i pranishëm në seancën e Shtabit komunal për kriza. Shtipi do të jetë një nga 16 qytetet, ku planifikohet vendosje e barakave të parafabrikuara, që do të jenë të lidhura me Spitalin klinik, afër Repartit për fëmijë.

“Në vend që të dërgohen strisho deri në Shkup, këtu, testet e shpejta në afat prej disa orësh do të japin rezultate. Jemi duke u përgatitur për këtë dhe shpresoj që do të jemi të përgatitur për valën e dytë. Mirëpo, gjithçka varet nga respektimi i masave prej qytetarëve”, deklaroi d-r Milloshev.

Ministria dhe Shtabi komunal për kriza janë në komunikim me menaxherët e kompanive ku ka të sëmurë nga kovid-19. Milloshev tha që nuk ka arsye për futje të Shtipit në karantin, për shkak se nuk ka transmetim të gjerë të virusit, por është i kufizuar në kompanitë e tekstilit dhe kontaktet e personave të sëmurë.

Për herë të parë sot është konfirmuar që përveç kompanive të tekstilit, të sëmurë ka edhe në një institucion, pa u bërë publike për cilin institucion bëhet fjalë.

Sot ka 13 të infektuar rishtazi në Shtip, 395 janë raste aktive, ndërsa 697 janë në izolim. Në Spitalin Klinik mjekohen 43 pacientë, nga të cilët 33 janë nga Shtipi. Një pacient ka ndërruar jetë.

Në ndihmë të spitalit të Shtipit vijnë infektologu nga Strumica dhe dy internistë nga Shkupi. Epidemiologu nga Koçani ndihmon në qendrën për shëndet publik në Shtip.

Kryetari i komunës, Bllagoj Boçvarski u rekomandoi kompanive me pacientë me kovid-19 ta përdorin pushimin vjetor. Në fund, megjithatë, vendimi mbetet i kompanisë, ndërsa mes rekomandimeve, është edhe funksionimi i kovid koordinatorit në kompanitë. Për qytetarët rekomandohet të shmangin tubime të mëdha dhe t’i respektojnë masat për mbrojtje, ndërsa qytetarët e infektuar t’i respektojnë masat për izolim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button