VENDI I FRESKUT DHE QYTETARISË

(Mbresa udhëtimi)

Pogradeci. Vendi freskut, qetësisë, pastërtisë e qytetarisë. Qyteti që i fali botës kulturore shqiptare një maestro të poezisë dhe një të prozës: Lasgushin dhe Kutelin. Njëri usta i poezisë, tjetri usta i prozës. Të dy ustallarë të përkthimit.

Pogradecarët sikur e kanë dëshmuar të kundërtën e thënies: “Askush nuk mund të jetë profet në vendin e tij”. I nderuan dy figurat e shenjtëruara të kulturës shqiptare sa ishin gjallë. I deshën kur ishin “harruar”. Vazhdojnë t’i duan dhe t’i çmojnë dy evropianët e mirë të gadishullit tonë…

Në Pogradec është Driloni. Aty ishte pushimorja e Enver Hoxhës. Një vend përrallor, ku je në paqe me vetveten. Një drekë të mirë e paguan lirë.

Gjatë udhëtimit për në këtë qytet të bën përshtypje rruga e mirë, me korsi moderne disa kilometërshe për kalimtarë e çiklistë. Nuk e di se cila qeveri e ka ndërtuar: e PD-së apo e PS-së. Shqipëria është e demokratëve dhe e socialistëve. Ajo ka nevojë për të djathtë dhe të majtë. Shqipëria është e të gjithëve. E atyre që kanë ikur, e atyre që rrojnë dhe e atyre që do të vijnë. Politikanët dhe partitë vijnë e shkojnë, kurse Shqipëria do të mbetet. Lum ata që e shohin zonjë. Të mjerë janë ata që e duan si “lis të rrëzuem përdhe“…

Kam shkruar rrallë për përplasjet politike në Shqipëri, sepse nuk e prek nga afër realitetin. Nuk e njoh. Di vetëm se Shqipëria e mediave nuk është Shqipëria e vërtetë.

Përmenda rrugët. Shumëkush mund të thotë se qenkam magjepsur nga një rrugë. Jam magjepsur, sepse si referencë e kam vendlindjen time me rrugë të shkatërruara, rrugë me mballoma. Pa parkingje e parqe. Gjelbërimi ka qenë veçanti e këtij rajoni. Një kronist, para shumë shekujsh, thoshte se Pollogu ishte “parajsë tokësore fundosur në gjelbërim“. Mbresat e këtilla mund t’i gjejmë vetëm nëpër udhëpërshkrime të moçme…

Rrugët mundësojnë shumëçka. Dhematësi shqiptar, Eshref Frashëri, shkruante në fillim të shekullit XX për rrugët që duhej të ndërtoheshin në Pollog, të cilat do të mundësonin jo vetëm lëvizjen e njerëzve, por edhe të mallrave dhe ideve.

Shqipëria ka shumë probleme. Ka njerëz që mbijetojnë. Ka administratë, gjyqësi e politikanë të korruptuar, që flasin kundër korrupsionit. Megjithatë, e bukura nuk mund të fshihet. Është sikur të themi se alpet shqiptare nuk janë të bukura për shkak se në pushtet është njëra apo partia tjetër. Alpet i krijoi Zoti. Rrugët duhet t’i ndërtojë shteti. Jo vetëm rrugët, por edhe spitalet, shkollat, terrenet sportive. Politikanët nuk duhen të mburren kur ndërtojnë një rrugë, sepse ato ndërtohen me paratë e taksapaguesve…

Rrugën e lartpërmendur, korsitë moderne për kalimtarë e biçikleta, nuk i shoh në qytetin tim, i cili shpërfytyrohet. Sillemi vërdallë nëpër lagjet pa vende parkimi dhe humbim kohë. Vendi ku nuk lëviz lirshëm është depresiv. Vendi që ngushtohet, thotë Dostojevski, na i ngushton edhe mendimet. Në vendlindjen time punojnë me fitim vetëm ndërmarrjet që na dënojnë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button