Dëbora e dendur gjunjëzon SHBA

Një stuhi e egër dimri që ka shkaktuar tornado në jug të Shteteve të Bashkuara, ka sjellë gjithashtu reshje të dendura dëbore në Miduest dhe po kërcënon edhe lindjen. 

Të paktën 6 persona janë vrarë dhe autoritetet u kanë thënë banorëve që të qëndrojnë në shtëpi, sesa të përballen me temperaturat e akullta dhe rrugët me ngrica. 

Në Misisipi dhe Alabama është shpallur gjendja e jashtëzakonshme pasi stuhia ka shkatërruar linjat elektrike. Gjithashtu, qindra fluturime janë anuluar për shkak të borës dhe ngricave. 

Ndërkohë, fluturime të tjera pritet të shtyhen për shkak se stuhia po lëviz drejt shteteve të Nju Jorkut dhe Meinit, ku pritet të bjerë 46 centimetër borë në 24 orët e ardhshme. 

Shërbimi Kombëtar Meteorologjik ka paralajmëruar për një përkeqësim të motit në Bufalo, ku dëbora e dendur pritet të ndërthuret me erërat e forta. 

Paralajmërime për motin janë bërë edhe në Florida dhe në Bregun e Gjirit, për në Nju Ingland. Llitëll Rok në Arkansas pa reshjet e para të borës ditën e Krishtlindjes në 83 vite, ndërsa fqinji Oklahoma përjetoi një bllokim të rrugëve, përfshirë këtu autostradën jashtë Oklahoma Siti. 

Të paktën 34 tornado janë raportuar në shtetet jugore të Teksasit, Luizianës, Misisipit dhe Alabamës gjatë së martës, të cilët kanë shkulur çatitë e kishave dhe shtëpive. 

Rrëzimi i pemëve u ka marrë jetën dy personave në këto shtete, ndërkohë që viktima janë raportuar edhe në rrugët e Oklahomës dhe Arkansasit. Mbi 200 mijë persona thuhet të kenë mbetur pa energji. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button