Kosovë, Jahjagën mund ta pres fati i Pacollit

Atifete Jahjaga hyri në presidencë pasi Gjykata Kushtetuese e nxori nga aty Behgjet Pacollin. Një fat i ngjashëm mund ta presë edhe vetë Jahjagën.

LDK dhe Vetëvendosje po shqyrtojnë mundësinë për ta dërguar në Gjykatë emërimin e Blerim Shalës si Koordinator për dialog, të bindura se me këtë akt Presidentja shkeli Kushtetutën. Juristë të njohur nuk mendojnë kështu.

Atifete Jahjaga ka gjasa të shkojë në shtëpi si shkelëse e Kushtetutës, ashtu sikurse dy paraardhësit e saj, Fatmir Sejdiu dhe Behgjet Pacolli, shkruan “Express”.

Emërimi i Blerim Shalës si Koordinator për dialogun me Serbinë pritet t’i shkaktojë telashe serioze Presidentes së Republikës.

Burime diplomatike i kanë thënë gazetës “Express” se nëse rasti shkon në Gjykatën Kushtetuese, gjasat janë të mëdha që Atifete Jahjaga të shpallet shkelësja e radhës e aktit më të lartë politik dhe juridik të vendit.

“Rasti është mjaft serioz”, ka thënë diplomati i cili foli në kushte anonimiteti për “Express”, të mërkurën.

Por, për të shkuar rasti në Gjykatë nevojitet të mblidhen nënshkrimet e tridhjetë deputetëve.

Dy partitë opozitare, LDK dhe Vetëvendosje ende nuk e kanë formësuar qëndrimin nëse do të fillojnë mbledhjen e nënshkrimeve.

Zyrtarët e partisë së dytë dhe të tretë opozitare kanë thënë se janë në proces të shqyrtimit të vendimit të Presidentes, e cila ka emëruar deputetin e AAK-së në postin e bashkërenduesit të dialogut me Serbinë.

Menjëherë pas këtij vendimi, Blerim Shala është akomoduar në një zyrë në ndërtesën e Qeverisë, ku i është ndarë paga prej 1 mijë e 30 eurosh si dhe i është mundësuar të ketë këshilltar, asistente dhe shofer.

“Jemi në proces të shqyrtimit, por ende nuk kemi marrë vendim. Ende nuk ka një vendim përfundimtar”, ka thënë Arben Gashi i LDK-së./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button