Koalicioni ASH-AAA mbajti marsh protestues: Fitorja e BDI-së mund të jetë legale por, nuk e ka legjitimitetin e popullit shqiptar (Video)

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternative mbajtëm sonte marsh protestues, për të shprehur revoltën, kundër parregullsive zgjedhore dhe shkeljes së vullnetit të qytetarëve. Ky koalicion beson se BDI ka bërë manipulime gjatë procesit zgjedhor dhe akuzon këtë parti se ka vjedhur vota, prandaj sot nga ky marsh, para delegacionit të Bashkimit Evropian dhe KSHZ-së, dërguan porosi se, fitorja e BDI-së mund të jetë legale, por nuk është legjitime, njofton Portalb.mk.

Aktivistja e Aleancës për Shqiptarët, Valbona Reka, e cila lexoi deklaratën e këtij marshi, tha se manipulimi i vullnetit të votuesit shqiptar, që siç tha ajo, ndodhë tashmë në disa cikle zgjedhore e që brutalisht doli në pah veçmas në zgjedhjet e fundit, është alarm se nëse nuk reagojmë sot, nesër mund të jetë shumë vonë.

“Zgjedhjet e organizuara më 15 korrik 2020 për koalicionin Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA janë zgjedhjet më jodemokratike që kurdoherë janë organizuar në vendin tonë. Blerja e votës, zhvatja e votuesve, korruptimi dhe kërcënimi i komisionarëve, uzurpimi i lirisë së zgjedhjes, votimi për njerëz që nuk janë vendin tonë, abuzimi në procesverbale dhe manipulimet e tjera me të drejtën e votës janë për ne sinjale se shoqëria shqiptare në Maqedoninë e Veriut është kapur peng nga një kastë mafiozësh, që shtiren si parti politike e që nuk merren më me oferta zgjedhore, porse janë të prirë vetëm për mjete jolegjitime që kanë për synim grabitjen e vullnetit të lirë të qytetarëve. Mënyra e këtillë e organizimit të zgjedhjeve përveç që i vë njollë të zezë demokracisë në vendin tonë, shkakton edhe dekurajim te qytetarët shqiptarë për të marrë pjesë në zgjedhje kur tashmë dihet rezultati zgjedhor dhe, aq më tepër, kjo e vret demokracinë, duke na kthyer në një monizëm, diktaturë ose, më saktë, demokraturë, që si përfundim mund të ketë pakënaqësi të akumuluar që mund të shpërthejë në trajta të paimagjinueshme”,  deklaroi Reka.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, akuzoi Komisionin Shtetëror Zgjedhor se, siç u shpreh ai, aty u përgatit manipulimi dhe vjedhja e votës më 15 korrik. Ai e ka quajtur atë vend të krimit ku u vodh ardhmëria e shqiptarëve.

“Njerëz që përgatitën zgjedhjet mund t’i quajmë legal por nuk janë legjitim. Legjitimiteti kërkon procedurë demokratike, nuk pranon shantazhin, vjedhjen e aq më pak mbushjen e kutive. Legjitimiteti kërkon të respektosh viktimën dhe të ndjerin dhe jo të keqpërdorin për të votuar për to. Këtu përpara BE bëjmë thirrje për demokraci, ne do të mbrojmë liri dhe të drejtën e shqiptarëve, nuk do të dorëzohemi. Ne do ta sjellim legjitimitetin në duar të sigurta”, deklaroi Sela.

Ndërkohë, kryetari i Alternativë, Afrim Gashi, tha se mesazhi kryesor që përcjellin përmes këtij marshi është se, “loja nuk ka përfunduar akoma”. Ai ka porositur paritet maqedonase që të mos lejojnë të nëpërkëmbet vullneti i shqiptarëve dhe të kenë kujdes se me kë bëjnë koalicion qeveritar.

“Më vjen keq që njerëzit që udhëhoqën me institucionet për 18 vite me radhë, i sollën shqiptare në pikën ku duhet ta shesin votën e tyre dhe me paratë e tyre i blenë votat. Këtë përbuzje nuk ua ka bërë askush shqiptarëve. Ata që mendojnë se i kanë fituar zgjedhjet e kanë vetëm legalitetin e KSHZ, por jo edhe legjitimitetin. Ne do të lëshojmë pe, do të bëjmë betejë në parlament për ta kthyer legjitimitetin te populli, aty edhe ku buron”, deklaroi Gashi.

Koalicioni ASH-AAA po ashtu, ka porositur komunitetin ndërkombëtar që të mos njeh legjitimitetin e BDI-së si përfaqësuese e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, si dhe me ndihmën e BE-së të fillojë procesi i reformimit rrënjësor të Kodit Zgjedhor.

Ky koalicion pretendon se BDI ka fituar zgjedhjet duke manipuluar dhe vjedhur vota. Në lidhje me këtë, kanë dërgaur edhe një sërë ankesash në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, por të gjitha u hodhën poshtë si të “paargumentuara”. Ankesat e ASH-AAA u hodhën poshtë edhe nga Gjykata Administrative.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor të shtunën shpallin rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, në bazë të së cilit, Koalicioni “Mundemi” fitoi 46 mandate, VMRO-DPMNE 44, BDI 15, ASH Alternativa 12, E Majta 2 dhe PDSH 1 mandat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button