COVID-19, emergjenca më e rëndë shëndetësore që ka shpallur OBSH-ja

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se COVID-19, sëmundja që e shkakton koronavirusi, është emergjenca “më e rëndë” globale shëndetësore që ka shpallur ndonjëherë OBSH-ja.

Duke folur në një konferencë për media në Gjenevë, Tedros tha se tek OBSH-ja janë raportuar gati 16 milionë raste me koronavirus, së bashku me 640,000 viktima.

“Pandemia vazhdon të marrë hov. Në gjashtë javët e kaluara, numri i përgjithshëm i rasteve përafërsisht është dyfishuar”, tha Tedros.

Ai tha se do ta mbledhë këtë javë komitetin e urgjencës së OBSH-së për të vlerësuar pandeminë.

“Një rrugë e gjatë e vështirë është përpara nesh”, tha Tedros, përkundër faktit se “bota ka bërë përpjekje të mëdha”.

I pyetur nga gazetarët për mundësinë e mbylljes së kufijve dhe për kufizimet në udhëtime, drejtori për emergjenca i OBSH-së, Mike Ryan, tha se këto nuk janë masa të qëndrueshme për kohë të gjatë.

Në muajin mars, kur OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen COVID-19, shumica e vendeve të botës i kanë mbyllur kufijtë, në përpjekje për të frenuar përhapjen.

Lehtësimi i masave të tilla ka filluar të bëhet gradualisht qysh në muajin maj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button