Numër rekord i rasteve të reja me koronavirus në Kosovë

Në Kosovë u konfirmuan të hënën 276 raste të reja me koronavirus, bëri të ditur drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani.

Rastet e reja rezultuan nga testimi i 404 mostrave.

Duke folur në një konferencë për media, Ramadani tha se shifra është rekorde dhe paralajmëroi se situata në sistemin shëndetësor është e mbingarkuar.

Në 24 orët e fundit po ashtu u regjistruan tetë viktima nga koronavirusi, transmeton REL.

Ramadani tha se numri total i viktimave aktualisht është 185.

Ai tha se në 24-orëshin paraprak janë shëruar edhe 153 pacientë, me të cilët numri i përgjithshëm i të shëruarve arrin në 4,027.

Kosova i ka regjistruar rastet e para me koronavirus më 13 mars dhe që atëherë ka konfirmuar gjithsej 7,413 raste pozitive.

Lindita Ajvazaj-Berisha, drejtoreshë e Klinikës Infektive në Prishtinë, tha se në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalet e përgjithshme janë të shtrirë gjithsej 385 pacientë me koronavirus dhe se 43 janë në gjendje kritike.

Në konferencën për media në Prishtinë mori pjesë edhe ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj, i cili tha se ministria që drejton ai, ka shpërndarë 200 profesionistë shëndetësorë shtesë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalet e përgjithsmme, për të ndihmuar në trajtimin e pacientëve.

Zemaj po ashtu tha se ka nisur edhe procesi i lincencimit të institucioneve private për testimin serologjik të qytetarëve.

Me testin serologjik konfirmohet nëse një person ka qenë i infektuar me koronavirus ose jo.

Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri, i pranishëm po ashtu në konferencë, tha se Kosova ka pranuar një ndihmë nga Jordania prej gjysmë milioni maskash, lëngjesh dezinfektuese dhe mantelësh.

“Shpërndarja e maskave dhe e xhelit dezinfektues do të bëhet në bazë të kriterit të numrit të banorëve në 38 komunat e Kosovës”, tha Tahiri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button