VV reagon ndaj vendimit për anëtarët e Illyricum Libertas

Ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Tetovës për dënimin e katër aktivistëve të Illyricum Libertas me nga 1 vit burg me kusht, ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje e Kosovës. 

Në një komunikatë për media, subjekti i drejtuar nga Albin Kurti e ka quajtur të padrejtë vendimin gjyqësor, duke e cilësuar si një nga të shumtat veprime të shtetit që shtypin shqiptarët. 

“Maqedonia vazhdon t’i shtyp shqiptarët. Dhuna e ushtruar ndaj shqiptarëve në Maqedoni është pasojë e drejtpërdrejtë e politikave të pushtetarëve maqedonas, të Gruevskit e të partnerëve të tij shqiptarë. Diskriminimi i hapur që ju bëhet shqiptarëve atje është i papranueshëm për Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

Ky pushtet, në vend se të merret me përmirësimin e jetës së qytetarëve, që nënkupton dhe respektimin e njëpërnjëshëm të të drejtave politike, ekonomike, sociale e kulturore të shqiptarëve po merret me akuza e dënime të gjithë atyre që promovojnë vlerat dhe historinë e popullit tonë. Këto veprime të pushtetit vetëm sa e rrisin dhe thellojnë ndarjen mes popujve që jetojnë në Maqedoni”, ka reaguar Vetëvendosje.

Lëvizja VETËVENDOSJE! i bën thirrje pushtetit në Maqedoni që të heq dorë nga diskriminimi, përndjekja dhe dënimet ndaj shqiptarëve dhe në të njëjtën kohë kërkon nga subjektet politike shqiptare që të reagojnë ndaj këtyre gjërave. Gjithashtu ata u bëjnë thirrje edhe qytetarëve që të mos lejojnë tendencën për tjetërsimin e historisë e kulturës sonë dhe të reagojnë ndaj të gjitha padrejtësive që u ndodhin shqiptarëve në Maqedoni./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button