ANALIZË: Ndërtimtaria, turizmi, industria e përpunimit të ushqimit – vlerësimet dhe pritshmëritë e biznesmenëve!

Statistikat matën numrat e parë të “zi” për disa nga sektorët ekonomikë – në turizëm kolaps i plotë, në ndërtimtari rënie dramatike e vlerës së objekteve që janë planifikuar të ndërtohen, por edhe në numrin e lejeve të ndërtimit. Biznesmenët nga industria e përpunimit të ushqimit, nga ana tjetër, vlerësojnë se situata ekonomike po përkeqësohet, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Industria e përpunimit të ushqimit – vlerësimet dhe pritshmëritë e biznesmenëve!

Kërkesa e pamjaftueshme e huaj po bëhet një faktor mbizotërues që krijon pritje pesimiste të biznesmenëve nga industria e përpunimit të ushqimit për tremujorin e tretë ekonomik. Në fakt, sipas menaxherëve në këtë sektor, ndikimin më të madh në kufizimin e vëllimit të prodhimit kanë kërkesa e pamjaftueshme e huaj me 20.6%, e ndjekur nga faktori i mungesës së fuqisë së kualifikuar punëtore me 17.0%, ambienti i pasigurt ekonomik me 16.5% dhe kërkesa e pamjaftueshme e vendit me 13.1%.

Publikimi i fundit statistikor i Entit Shtetëror të Statistikave vë në dukje se besimi i biznesmenëve nga industria e përpunimit të ushqimit është “duke u shkrirë”.

“Treguesi i besimit në industrinë e përpunimit të ushqimit në qershor të vitit 2020 ka rënë për 0.8 përqind në krahasim me majin e vitit 2020 dhe arriti në 12.2, ndërsa në krahasim me qershorin e vitit 2019 ka rënë për 9.1 përqind. Gjendja e garantimit të prodhimit me porosi në qershor të vitit 2020, në krahasim me majin e vitit 2020, është më pak e favorshme, pritjet për vëllimin e prodhimit në tre muajt e ardhshëm janë më pak të favorshme në krahasim me muajin e kaluar, ndërsa rezervat e produkteve të gatshme janë zvogëluar”, – theksojnë nga Enti Statistikor.

Duke pasur parasysh krizën tashmë të qartë ekonomike, vlerësimi i situatës ekonomike të subjekteve afariste në qershor të vitit 2020 është më pak i favorshëm në krahasim me muajin e kaluar, dhe më pak i favorshëm në krahasim me qershorin e vitit 2019.

Turizmi – sektori në kolaps, pa turistë vendas dhe të huaj

Rënie e plotë e sektorit të turizmit – edhe statistikat zyrtare i konfirmuan pritjet e zeza. Në maj, muaj që konsiderohet si hyrje në verën e nxehtë, numri i përgjithshëm i turistëve në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar ka shënuar rënire prej 99.2%, ndërsa numri i fjetjeve ka rënie prej 97.6%.  Në maj, vetëm 183 turistë të huaj e vizituan vendin. Jo vetëm turistët e huaj, por edhe ata vendas abstenuan nga pushimet dhe udhëtimet, numri i të cilëve në maj ishte 655, që në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar paraqet një rënie prej 97.8%.

Shumica ose 60 nga turistët e huaj erdhën nga Hungaria, 21 nga Polonia, 18 nga Austria, 17 nga Serbia dhe 16 nga Sllovenia, kurse nga vendet e tjera na vizituan nga më pak se dhjetë turistë.

Sipas pritjeve të biznesmenëve nga ky sektor, një amortizim i lehtë i situatës së rëndë pritet në korrik dhe në gusht, por problemi mbetet te agjencitë turistike vendase, që janë në “falimentim” për shkak të pamundësisë dhe përmbajtjes nga pushimet jashtë vendit.

Ndërtimtaria – rënie në numrin e lejeve të lëshuara të ndërtimit…

Ndërtimtaria është gjithashtu në grupin e sektorëve që patën dhe vazhdojnë të kenë dëme nga kriza e Kovid-19. Shifrat tregojnë se në maj – që konsiderohet një nga muajt në të cilin duhet të regjistrohet kulmi i aktiviteteve të ndërtimit – është regjistruar rënie. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në muajin e pestë të këtij viti janë lëshuar 161 leje ndërtimi, që është për 27.5 % më pak se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Sipas lejeve të lëshuara të ndërtimit, vlera e vlerësuar e objekteve është 1,559,061 mijë denarë, që është për 60.9% më pak se në muajin e njëjtë të vitit të kaluar” – thonë nga Enti i Statistikave.

Nga të gjitha 161 lejet e lëshuara për ndërtim, vetëm 81 kanë të bëjnë me ndërtimet e larta – gjegjësisht për ndërtimin e ndërtesave të banimit në të gjithë vendin, 28 leje janë për ndërtime të ulëta, kryesisht rrugë, ndërsa 52 lejet e tjera janë për rikonstruim.

Luftimet tregojnë një rënie dramatike në këtë sektor – në krahasim me majin e vitit të kaluar, numri i lejeve për ndërtime të larta ka rënë për 60%, për ndërtimet e ulëta për 75.7%, dhe për rikonstruime për 104%, gjë që tregon jo vetëm për ngadalësim, por dhe për ngecje të plotë në segmente të caktuara të ndërtimtarisë.

Sipas pritjeve të disa ekonomistëve, pas formimit të kabinetit të ri qeveritar, priten paketa të reja të masave ekonomike, të cilat do të synojnë sektorë të caktuar për ndihmë shtesë financiare, duke pasur parasysh se kriza shëndetësore vazhdoi në kulmin e verës, dhe pritet përkeqësim nga shtatori, gjegjësisht nga fillimi i vjeshtës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button