NDARJA

Ndarja. Është një fjalë shumëkuptimëshe: “Largoj njërin nga tjetri dy a më shumë sende ose njerëz që janë bashkë, shkëput; nxjerr veç e veç dy lëndë a gjëra të ndryshme, që janë përzier, veçoj;  Mbaj të shkëputur, nuk i lidh, nuk i mbaj bashkë a pranë.” (FGjSh) Ndarja ka edhe domethënien e divergjencave në mendim, qëndrim, ndjenja… Në konotacionin njerëzor shenjon dy subjekte, dy individë që veçohen, që shkëputen nga njëri- tjetri, që në këtë ose në atë mënyrë nuk janë më pranë-pranë, dhe që i distancon ata, që krijon një largësi mes tyre, një largësi sociale, gjeografike, kohore, emocionale, shpirtërore. Ndarja mes dy personave të dashur, në veçanti ndarja e personave të gjinive të ndryshme, ndarja e të dashur(uar)ve, qëmoti ka qenë temë e penave të dalluara, e autorëve që kanë mbushur faqe e vëllime librash, për këtë fenomen. Ndarja ndjehet thellë në zemër, shprehet kjo ose jo, jemi ekstrovertë apo intravertë, e shpalosim brendësinë tonë ose e mbajmë atë të kyçur me një dry të madh në veten tone.

Ndarja mund të jetë edhe ajo e njeriut me vendlindjen, me familjen. Shembuj tipikë: kurbetqari kur braktis dheun e vet, gjë që i përsëritet sa herë që vjen e sërish duhet të kthehet, deri në vdekje, djali i ri që dikur shkonte në ushtri etj. Ndarje e dhimbshme dikur ka qenë përvoja kur vitet 1980 u vendosëm në konviktin e shkollës së mesme, kur shkuam për të studiuar. Ndahet edhe vajza prej familjes kur martohet, por sërish kjo ndarje është më e lehtë. Mund të ndodhë edhe kur prishemi apo hidhërohemi me dikë. Pra ndarja zakonisht ndodh kur palët janë gjallë, kur të dy entitetet janë këtu. Kjo është normalja, e pranueshmja. Thuhet: “Iku për t’u kthyer.” Por ndarja ndodh edhe kur njëri ikën përtej, në botën tjetër, në pakthim, ndërsa tjetri mbetet nën qiellin e hapur dhe diellin që s’ndriçon më si më parë. Kjo është më e dhimbshmja, ndarje vertikale, ndarje kapitale dhe përfundimtare. Ndarja e parë, horizontale, mund të sanohet, mund që të shndërrohet në ritakim përmes udhëtimit, negociimit, pajtimit, lëshimit pe, ndërhyrjes së jashtme të një faktori të tretë. Por ndarja e shkaktuar nga një fuqi mbinjerëzore apo nga Zoti, nga faktori vdekje që nuk ka as kthim, as solucion human, që s’njeh kurë/shërim as ndalesë  të lë pa tekst, të pafuqishëm. Ajo të bën të humbesh, të këputesh, të dërrmon deri në palcë. Në veçanti nëse humb mikun e jetës, bashkëshoqëruesin, personin që e ndjeje si veten e dytë. Me të cilin zgjohesh dhe me të cilin në mbrëmbje ndahesh sërish për t’u takuar. Që ta ndreq ditën dhe që të jep energji për jetë, që të bën që edhe sikletet më të rënda t’i kalosh me lehtësi. Me të cilin çaji dhe kafeja janë ritual, pihen edhe kur ke pirë, me të cilin buka hahet edhe kur je ngirë.

Dhe, këtyre ditëve përjetuam një ndarje të madhe nga një njeri vigan, H. Sh., burrë mbi burra, të cilin një shok i afërt i tij e cilësoi si “profet i kohës së vet” (V.A.). Të shtunën, siç thotë poeti N. H. Atsëz (1937):

Degt’ e drurëve u përkulën me nderim
Ndalën dridhjet e zemrës, fshinë lotët e syrit tim
Zërat e kandrrave s’ndiheshin më, sa mjerim

Lahuta heshti, sazi mbeti në vetmim,
Të trazuara, këshillonin: Kot e ke, mos qaj miku im!
E di, të dy, shpirtthyer, bërë cop’ e grim’
Ama, ndarja: parashkresë n’çdo dashni e miqësim!

Pra u shkëputëm nga një pjesë e jona, humbën njërin krah, edhe më tepër. Sepse ai që iku e na la s’i ishte si çdo njeri. Ishte “insan” i veçantë që s’ia gjen shokun, që s’ka të ngjashëm, që s’kompensohet. Plak katundi, anëtar i të gjitha forumeve joformale të punëve pozitive e të bamirësisë. S’kishte shoqatë as organizatë, por bëri punë sa shumë syresh. S’kursente asgjë nga pasuria dhe nga vetja. Edhe për projektet më të mëdha kishte zgjidhje. Buzëqeshur çdoherë. Fytyrëndritur që s’linte vend për shqetësime. Pajtonte njerëz, jo vetëm në fqinjësi, por edhe në troje të largëta. Karizma e tij armiqësinë e kthente në miqësi, piskamën në heshtje. H.Sh.-ja dinte të menaxhonte gjërat në çdo rrethanë. Ai e bëntë për vete çdo fëmijë. Sheqerka mbante të xhep, shpërndante. Jepte bursa të çastit për nxënës e studentë. Sa lapsa, fletore, çanta e vegla të teknologjisë informatike dolën nga kuleta e tij, një Zot e di. Sa familje të varfra i bëri me me dhoma, kulme e shtëpi. N’sa shkolla financoi për çati e brendësi! Sa familje gëzoi para festave e në festa, për bajram, sa prindërve ua hoqi vuajtjet me dorën e vet bujare! Sa rroba e tesha shpërndau për nevojtarë e hallexhi? Sa faltore u ngritën me nismën dhe kontributin e tij? Po thonë, “kishte pasuri”. Kishte ama atë që ai e bëri s’e bën çdo njeri. Shumë gjëra i bëri edhe me të huajën pasuri, duke lypur për bamirësi, pa hezituar, pa u ngushtuar. Gjë që s’e bën një qenie që është dekoruar me shumë pasuri. Për këto punë në këtë botë dhe në tjetrën ne dhe shumë të tjerë janë dëshmi.

Për ne ky njeri me profesion blegtor dhe  shitës produktesh punëdore të drurit ishte një shkollë. H.Sh. s’kishte diplomë oficiale, ama të jepte leksione dhe një diplomë të jetës, që s’mund ta blesh, ofronte arsimim joformal, pa para. Kur ia qëlloje të duartrokiste, ndërsa kur gaboje, ta thoshte në sy. S’kishte me të qejfbërie a kurtoazi. Por, dinte të bëjë edhe shaka, hoka, e kishte kuptuar thënien se shakaja për bisedat janë si kripa për ushqimin. I donte dijetarët, kishte respekt për shkollarët. Ishte i pasur por modest. Malësor por me sjellje fine, me delikatesë, që përfitonte miradinë e çdokujt nga takimi i çastit.

Vdekja  e shkaktuar nga Covid-19 na ndau, na theu, por H.Sh. mbetet në zemrën e popullit përgjithmonë, në lutjet, në duatë tona vazhdimisht. Dhe në fund, një varg që të jep optimizëm, shpresë për puqjen e sërishme e të përhershme:

Shoh veç vatrën, për të digjem me mallëngjim
Kur ka ndarje, si të mos ketë edhe ritakim?

N.F. Kësakyrek

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button