Maqedonia e Veriut: Çfarë do të ndodhë kur Kovid-19 do të “takojë” gripin sezonal?

Një kombinim i Kovid-19 dhe gripit sezonal që po kërcënon që nga shtatori ka ngjallur alarmin midis ekspertëve në të gjithë botën. Vetëdija e ulët për vaksinim dhe sistemi shëndetësor i mbingarkuar në Maqedoninë e Veriut është recetë për probleme, shkruan DW, transmeton Portalb.mk.

Shpresat se forca e koronavirusit do të zvogëlohet gjatë muajve të verës ka kohë që janë shuar, por frika tashmë po rritet se çfarë do të ndodhë në vjeshtë kur gripi karakteristik sezonal të përzihet me Kovid-19?

Ekspertët në Britani dhe Gjermani tashmë po paralajmërojnë valë të reja qysh në shtator. Maqedonia e Veriut është në situatë edhe më të keqe.

“Ne i kemi të gjitha kushtet për ta komplikuar situatën në vjeshtë”, paralajmëron drejtori i Qendrës për Shëndet Publik në Shkup, epidemiolog Aleksandar Stojanov. Vlerësimi i tillë vjen nga kombinimi i mosrespektimit të masave në vend, por edhe nga vetëdija e ulët e qytetarëve për nevojën për t’u vaksinuar për gripin sezonal. Problem shtesë, sipas Stojanov, është se gripi dhe koronavirusi kanë simptoma shumë të ngjashme në fillim të sëmundjes, kështu që do të jetë e vështirë për t’u dalluar.

Frika në vendet e Evropës perëndimore, por edhe në Maqedoninë e Veriut, është se fluksi i personave të infektuar rishtazi nga koronavirusi dhe gripi sezonal mund të mbingarkojnë spitalet me pacientë të rinj. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe thotë se tashmë po punohet për të rritur kapacitetet e spitaleve.

“Pritshmëritë janë që numri i pacientëve kur njerëzit do të jenë më shumë brenda do të rritet, por do të ketë edhe pacientë me grip sezonal dhe sëmundje të tjera infektive të zakonshme dhe për këtë arsye kemi nevojë për rritje të këtyre kapaciteteve”, tha Filipçe për DV.

“Kemi plan për të azhurnuar infrastrukturën, të rrisim numrin e shtretërve spitalorë me spitale modulare të parafabrikuara për ndarje të plotë fizike të kovid pacientëve nga pacientët e tjerë në mënyrë që të mos komprometohet puna e zakonshme e spitaleve, me qendrat e shpërndarjes së pacientëve, repartet infektive dhe mini laboratorët për testime të shpejta. Plani është që kjo të bëhet në 16 spitale në të gjithë vendin pas shembullit të spitalit modular në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup.

A do të hapen shkollat?

Çdo vjeshtë ndodh një seri e parashikueshme e viruseve të frymëmarrjes, të cilat këto ditë u shpjeguan me hollësi në gazetën britanike The Guardian. Sezoni fillon me rinovirusin, shkaktarin kryesor të ftohjes së zakonshme, e cili shfaqet në shtator kur fëmijët fillojnë të shkojnë në shkollë. Sapo aktivizohet sistemi imunitar i një fëmije, rinovirusi fillon të bjerë, pasuar nga virusi sincial i frymëmarrjes, ose RSV. Ky virus është më aktivi në tetor dhe nëntor dhe shkakton ftohje të butë te njerëzit e të gjitha moshave, por ndonjëherë infeksione të rënda të mushkërive te të rinjtë dhe më të moshuarit. Nga ky virus shumë foshnje përfundojnë në spital çdo vit me pneumoni.

Qetësimi i virusit RSV nuk do të thotë fundi i rreziqeve sezonale sepse nga fillimi i dimrit deri në pranverë ndodh epidemia vjetore e gripit. Transmetimi i tij fillon te fëmijët, por prek më së shumti të moshuarit.

Pyetja kryesore në atë pjesë është nëse dhe si do të mbrohen fëmijët në shkolla. Protokollet janë në fazë të hartimit, megjithëse askush nuk mund të thotë me siguri nëse shkollat ​​dhe kopshtet do të hapen në shtator. Ministria e shëndetësisë thotë se do të varet nga situata me koronavirusin në javët e fundit të gushtit. Kjo temë u diskutua në Komisionin për sëmundje infektive, dhe sipas epidemiologut Stojanov, megjithëse protokolli nuk është i gatshëm, ajo që me siguri do të kërkohet është ndarja e nxënësve në ndërrime.

“Ideja është të përgjysmohen klasat. Për shembull, nëse ka 30 nxënës, 15 duhet të shkojnë në ndërrimin e parë, dhe tjetri 15 në ndërrimin e dytë dhe në bankat e shkollës do të ulet vetëm nga një nxënës”, shpjegon Stojanov i cili mendon se shkollat ​​duhet të hapen për të mirën e fëmijëve.

As mjekët nuk vaksinohen

Epidemiologët e huaj dhe vendas thonë se është “pyetje për një milion dollarë” nëse dhe si viruset sezonalë do të ndikojnë në gjendjen me Kovid-19. Gripin sezonal më së shpeshti e transmetojnë fëmijët, ndërsa koronavirusin e përhapin të moshuarit. Nëse dy viruset përhapen paralelisht, do të thotë një rritje e konsiderueshme e numrit të pacientëve dhe problemeve në spitale. Por në Australi dhe Filipine, tashmë ka pasur raste të personave që vuajnë nga gripi sezonal dhe Kovid-19 në të njëjtën kohë, në ato që virologët e quajnë një bashkë-infeksion.

“Duhet të përgatitemi për më të keqen e të shpresojmë për më të mirën”, ka thënë për Guardian virologu gjerman Ab Osterhaus.

Ka një mendim të pranuar nga të gjithë që përgatitja më e mirë në atë drejtim, në mungesë të vaksinës për Covid-19, është vaksinimi kundër gripit sezonal. Sigurisht, kjo vaksinë nuk ofron ndonjë mbrojtje kundër koronavirusit, por me një popullsi të madhe, ajo mund të mbrojë shumë njerëz nga komplikimet shtesë dhe mbingarkesa e sistemit shëndetësor. Por ndërsa vendet e Evropës Perëndimore njoftojnë një ofensivë vaksinimi për vjeshtën, epidemiologët maqedonas janë thellësisht skeptikë se qytetarët do ta kuptojnë seriozitetin e situatës.

Ministria e Shëndetësisë ka dyfishuar sasinë e vaksinave të gripit sezonal të porositur për vitin nga 28 në 60 mijë. Numri, në vetvete, është i vogël, duke pasur parasysh që OBSH rekomandon vaksinimin e të paktën 20 përqind të popullsisë. Por, epidemiolog Stojanov, i cili ka punuar për imunizimin e popullatës për 40 vjet, thotë se është çështje nëse do të përdoret edhe kjo sasi.

“Kam frikë se do ta shpenzojmë edhe atë shumë.” Imagjinoni, vitin e kaluar në Shkup, nga rreth 15,000 punonjës shëndetësorë, vetëm 1.300 ishin vaksinuar. “Ata nuk erdhën për vaksinim falas!”, thotë Stojanov. Kur vetëdija e profesionistëve të shëndetit për vaksinimin është aq i ulët, qëndrimi i pjesës tjetër të popullatës nuk është befasuese.

Grupet e rrezikut që kërkojnë vaksinime të rregullta vjetore kundër gripit sezonal, ndër të tjera, përfshijnë njerëz mbi 65 vjeç, të sëmurë kronikë, fëmijë nën 5 vjeç dhe gra shtatzëna. Vitin e kaluar, vetëm dy (2) gra shtatzëna ishin vaksinuar kundër gripit.

“Kur në Slloveni ose Suedi u bëhet thirrje qytetarëve që të vaksinohen, ata do të dëgjojnë. Te ne nuk ndodhë ashtu. Më tepër i besojnë Ivan Shëruesit se sa ne profesionistëve të shëndetit”, përfundoi i dëshpëruar Stojanov.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button