Arrestime dhe përleshje në protestat kundër Netanyahut në Izrael

Policia në Izrael ka arrestuar me dhjetëra qytetarë përgjatë protestave në tërë shtetin të dielën, ku janë tubuar me mijëra njerëz për të protestuar kundër kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe mënyrën se si po e menaxhon pandeminë e koronavirusit.

Me mijëra njerëz kanë demonstruar para rezidencës zyrtare të Netanyahut në Jerusalem dhe me qindra u mblodhën në një park në Tel Aviv, duke kërkuar dorëheqjen e Netanyahut dhe duke e kritikuar përgjigjen e tij ndaj krizës në shtet, transmeton Koha.net.

Për herë të parë që nga nisja e valës së protestave para disa jave, me qindra protestues u mblodhën edhe para shtëpisë private të Netanyahut në qytetin Caesarea, kur u përballën me forca të sigurisë.

Protestat po paraqesin sfidë të madhe për kryeministrin Netanyahu, ngase po kritikohet për humbjen e betejës me koronavirus dhe rënien e ekonomisë, por edhe për shkak akuzave për korrupsion për të cilat edhe po gjykohet.

Në një konferencë për shtyp javën e kaluar, e cila u përcoll me protesta, Netanyahu i adresoi demonstruesit, duke thënë: “Mos e zvarritni shtetin në anarki, dhunë dhe vandalizëm”.

Kritikët thonë se policia po përdorë dhunë për të shpërndarë protestuesit, duke përdorur topa uji e madje edhe duke shkaktuar lëndime tek njerëzit. Policia thotë se protestuesit të cilët injorojnë thirrjet për t’u shpërndarë largohen, në mënyrë që të kthehet rendi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button