Post festum…

Mund të jetë ndoshta një rastësi, që dikush edhe pse mund të mos jetë i thirrur,  prapëseprapë detyrohet të merr guximin, për të shkruar një “Post festum sui generis” të ditëve tona. Një Post festum, që do të reflektonte preokupimet ndoshta më të rëndësishme dhe njëkohësisht edhe më të pakuptimta për vegjëlinë dhe të mëdhenj tanë e të juaj, sa të ndritur po aq të shëmtuar, të mjerë dhe të lënë anësh nga përkëdhelja e mendimit të urtësisë tonë kombëtare! Një Post festum që do të trajtonte dhe ngrinte zërin mbi dhimbjen e makthit tonë të mjerimit të përgjithshëm,  në nivel gjithëkombëtar. Mjerimi ndonjëherë është ajo forcë shtytëse që të çon përpara, prapa, tatëpjetë, telartë, teposhtë, deri në dreq të mallkuar e ku ta dimë se ku. Ai është inspirimi që më shtyu ta shkruaj këtë Post festum…

Ai te ti, te unë, te na dhe te ju, solli punën, frymëzimin, gjallërinë, guximin, trimërinë, profesionalizmin dhe çka tjetër që mund të përshkruhet ngjashëm, por nga ti dhe nga ju ai e mori çmimin e një të larguari, një të lënit anësh, një si shumë të tjerë që mbetën jashtë “lurkës sate të leshtë e të vrazhdë,” të ngrohtë e të ftohtë, të bukur e të shëmtuar, që bashkërisht të gjithë e endën dhe e vejtën, e prenë dhe e qepën, e ngjyrosën dhe e stolisën bashkë mu për këtë ditë, për këtë “festë të madhe” për të gjithë ne, për të gjithë ju, për të gjithë ata e ato që ishin me ne, janë me ne, që do të jenë me ne, me të gjithë ata e ato që më s‘janë me ne e ndër ne, me të gjallët dhe ndër të vdekurit.

Ai te ti dhe te ju e bëri atë që ndoshta në rrethana normale e jonormale nuk do ta bënte kurrë. Dhe ja, tani që rinia jonë do të ketë mundësinë për t‘i ngrënë pikërisht frutat e tua,  o „Tempulli ynë i madhështisë së pafundme“. Megjithatë, me dhe në këtë godinë dijeje dikush dhe shumëkush penaltohet, gjobitet, maltretohet, nënçmohet, zhvlerësohet, nëpërkëmbet, shkelet e përhilet dhe përfundimisht përbaltet,  pa të drejtë dhe krejt kjo nga moskujdesi për njerëzit e tu që u munduan e u përpoqën me kaçikun e tyre të vogël dhe me djersën e madhe për atë që të gjithë ne sot bashkërisht e quajmë kulaç shumë të madh të kohëve paskonfliktuoze në tokën tonë dhe të huaj njëkohësisht.

Pas gjithë kësaj, sot „Ai“ akoma nuk e ka të lehtë ta diskutojë me bashkëkohanikët për atë që e quajtëm tempull mbi tempuj. Jo vetëm ta diskutojë, por as të thotë atë që i buron nga zemra e nga shpirti i tij fisnik, që ideal e pati nxënien dhe të nxënit, shkencën dhe kreativitetin, ngritjen tonë të përgjithshme, që e ka dhe do të mbetet për jetë e mot në këto troje, me shekuj, të lëna pas dore! Por pas festës, ai tani s‘mundet,  madje,  as të mbrohet nga vetvetja dhe nga shokët, fëmijët e tij, kolegët, miqtë, nxënësit, familjarët, studentët, profesorët, qytetarët, asistentët, dekanët e prodekanët, rektorët e prorektorët, akademikët. Atë ndoshta nuk mund ta mbrojë as e gjithë rinia jonë akademike e „cergës tonë të ngushtë e të përvuajtur“, e cila nëpërkëmbet me orë, ditë, netë, vite e dekada të tëra nga të tjerët dhe nga tanët.  Thjeshtë,  jo pse dikush do të na e fusë kështu, por për shkak se nuk dimë ndryshe, nuk mundemi tjetërfare, nuk duam drejtësisht, por ja rastësisht na ndodhin gjërat, dikush na i kurdisë, tjetërkush na e bën hilen dhe përfundimisht s‘kemi kujt t‘i ankohemi as me gojë e as me shkrim, as me zemër e as me bythë

„Ai“ ndodhet në shpirtin e gjithsecilit, në zemrën e madhe të çdo pjesëtari të etnisë e fisit të vet, që këtyre viteve paskonfliktuoze të tjerët na e quajnë komunitet në shtet dhe në vend të vet, me plotë të drejtë për të llafosur deri në pakufi, por me asnjë të drejtë për të vendosur për hajër të vet, se për dobi të të tjerëve s’na lë kush të përziejmë hallvë allaturke.

Këto ditë do të shpallen laureatët e çmimit Nobël në të gjitha fushat e shkencave shoqërore, natyrore, teknologjike, mjekësore, paqësore etj…etj… Edhe ai, e pret një lajm po kështu, e pret çmimin, që me siguri për të është më shumë se çmimet që do të ndahen këtë vit në Akademinë Suedeze të shpërblmeve Nobël! Madje,  me plotë të drejtë, „Ai“ e çmon thirrjen për këtë çmim. E meritoi thanë disa, ca të tjerë vlerësojnë se kjo nuk mund të ndodh. Një mik i tij që nuk është mik i tij, mendon se kjo madje, nuk duhet t‘i lejohet. Dhe kështu sipas informatave që sjellin lajme nga më të ndryshmet për kandidaturën e tij të (për) çmimit në fjalë,  kjo as që ka ndonjë vlerë, sepse nga ajo që ka rezultuar deri në këtë Post festum, ai është shumë i vetëdijshëm se një gjë e këtillë as që do të ndodh ndonjëherë. Pra, ai ka shumë besim që këtë çmim nuk do ta merr deri nesër, deri pas një jave, deri pas një muaji, deri pas një viti, deri pas një dekade, deri pas një vdekjeje dhe sigurisht ndoshta edhe pas shumë vdekjesh. Vallë a mendojmë ndonjëherë të gjithë ne, pse? Pse të mos kemi edhe ne nobelistë të truallit tonë? Mos vallë jemi jashtëtokësorë që kjo dhuratë hyjnore e njerëzore nuk na takon e nuk na dhurohet?

Dhe për një moment „I kandiduari Nobelisti ynë“, sikur do të ndërrojë mendjen. Sikur i pëlqejnë dhe nuk i pëlqejnë çmimet. Nuk e kemi idenë, përse ndodh kjo me atë, por edhe përse kjo që po ndodh me neve është pikërisht kjo që po na ndodh vazhdimisht. Ndoshta e ka gabim, ndoshta ka shumë të drejtë, ndoshta vërtetë s‘e meriton atë për të cilën ëndërron symbyllazi e syçelazi? Nga biseda që kam zhvilluar gjithë verën e lume, ai pandeh se as njëra e as tjetra nuk është përgjigja në tezën e problemin që ai e shtron. Më duket se ai vuan nga qorllëku i tij me dioptri jo edhe aq të vogël. Unë besoj se ai nuk sheh ëndrra syhapur e gojëmbyllur.

Megjithatë ai bëri, u mundua, u zmbraps ca herë, sërish u mëkëmb, pikërisht si puna e „Phoenixit nga hiri“,  punoi dhe s‘pushoi, edhe më shumë punoi, sakrifikoi motet dhe netët, i hodhi në zar të gjitha që kishte, dha shumë mund dhe ide, edukoi masën dhe studioi pareshtur… Për këtë, miqtë e tij ishin të mendimit të njëjtë,  ndërsa armiqve,  kjo ua prishte planet!

Dhe qyteti i tij sot është më i bukur se kurrë, më i pashëm e më i stolisur se asnjëherë përpara festave… Një telefonatë ia prishi kohës moshën… Plenumi i tij te ti dhe te ju u zhvillua në një huti të madhe mu në „Ditën e festëts madhështore.“ Ai për të gjithë u shndërrua në një „bagël të madhe“, në një mut të madh që kundërmon padurueshëm,  gjithandej. Duhma e tij s‘të lë të dalësh nga era e keqe e po atij muti që ndoshta bashkërisht e bëmë, e rritëm, u përkujdesëm për të, ia gjetëm vendin dhe tani le t‘i marrim erë bashkërisht. Vetë e zgjodhëm dhe vetë e morëm, tani le ta gëzojmë vetë sërish për mandatin që ka me ne dhe për ne.

Mirë por „Ai“ nuk ndalet, ai s‘pushon, ai vazhdimisht këndon këngët e ditëve të veta dhe t‘ditëve tona, pa i harruar as ato të shekujve të shkuar. Ai ka vendosur edhe më tepër të vazhdojë zanatin e tij të vjetër, të jep frutat e pjekura të vjeshtës e të stinëve të tjera të vitit. Gjykimi i tij është shumë i mprehtë e i drejtë, d.m.th. ndoshta ndonjëherë dimri i ka frutat më të ëmbla sesa vera e vjeshta, ngase e shtrembëta në fund të verës duhet drejtuar me të vërtetën në fillim të dimrit, ajo duhet mposhtur vetëm me fryte të reja të pranverës, që ia ka ënda vetëm konsumatorit dhe tregut perëndimor.

„Ai“ ndoshta vërtetë ia ka mësy t ‘luftojë deri n ‘fund për atë çmimin Nobel! Dhe besa s‘na çudit fort. Energjia e tij cadekadëshe ka dëshmuar se do e tejkalojë edhe kodrën më të vështirë vetëm që këtë çmim kësaj here t‘a ketë në vitrinën e tij, që e ka ndërtuar gjithë jetës dhe gjithë vdekjes që vetëm e vetëm ta ketë në ditën e kiametit dhe përpara Zotit të del i dëlirë ashtu siç për të të dëlirë ishin fëmijët, nxënësit, studentët, lexuesit, kolegët e tij etj…

Dhe gota e shkrimtarit mbushet e zbrazet, futet e çfutet në govatën e pafundme të imagjinatës së tij të pashtershme si të një alkimisti të përbetuar. Gota, ah ajo është e mbushur me gëzime dhe hidhërime njëkohësisht… Ajo është për të dhe me të, sepse e ka me kimet e kismet veglën më besnike kur këndon e ligjëron meloditë më të këndshme, të cilat burojnë prej shpirtit të tij. Prej tyre ai bëri namin e fatin, frutin dhe mutin, namën dhe gjëmën, shumëçkahin dhe hiççkahin, me to ndoshta do e gdhijë të nesërmen pas të „vjellurës së mundimshme“,  nga „pijet e motit të tij të vrenjtur“ dhe të shoqërisë së vet të përskitshme, e cila dita më ditë, shumë e më shumë vjen duke u bërë e mërzitur dhe që kundërmon pisllëk gjithandej…

Ja ku është. Ja, ti dhe ju nuk e shihni atë, ja ku del të përpjetës nga shtrofulla me gotën në dorë e shishen me alkool në brez. Janë orët e mëngjesit të ditës së re që na pret dhe ju pret o të mjerë arnautë, o trima shqiptarë ju pastë lokja o albanë… Dhe kënga e tij dëgjohet vazhdimisht dhe pandarë për çdo fillim nate që ikën e për çdo nismë dite që vjen, që shkon, që vjen… Kënga e tij ka një refren të hallakatur fund e krye… Kënga e tij ka një refren të akorduar mrekullueshëm dhe të harmonizuar fund e krye,  o të mjerë arnautë, o trima shqiptarë ju pastë lokja o ilirë, arbër, arbëreshë e albanë… Dhe nga larg dëgjohen refrenet e tij për këtë Post festuuummm të sivjemë…

Mut me kut e kut me mut, mut me kut e kut me mut…

Burrë me orë e fëmijë për dore, orë me burrë e grue për dore…

Sos me kos e kos me sos, sos me kos e kos me sos…

Mot me kot e kot me mot, mot me kot e kot me mot…

Ana sana bana, hani e pini banana, se kollaj ju luhet nana…

Shokë me kosh e kosh me shokë, shokë me kosh e kosh me shokë…

Nina nana more bir, ha mut e mut mos hëngsh…

Iriq t‘thënçin e bukën t‘ngrënçin, mundin e hajrin të gjithë ta pafshin…

Mori ani mori e mori ani ani, veç të plastë xhani, hej mos të plastë xhani…

Hekur je e çelik u bëfsh, çelik shkofsh e hekur kurrë mos u kthefsh…

Ka po si s‘ka çmimtarë moj e mjera botë e jonë e vogël…

Nuk e nduk nduk e nuk, nuk je biro ende për Pukë…

Nga Bujar Durmishi,
12 Tetor 2004, Tetovë
Autori është profesor në Universitetin e Tetovës

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button