Komuna e Tetovës, pako me dhurata për personat me nevoja të veçanta

Agjenda ndryshe e festimit të Vitit të Ri të komunës së Tetovës ka vazhduar të mërkurën me ndarjen e pakove me dhurata për shtresat e veçanta sociale. Një ekip i komunës së Tetovës ka ndarë paketa për anëtarët e Shoqatës së të verbërve, Shoqatës së shurdhmemecëve dhe Shoqatës së personave të varur nga mjetet narkotike.

“Qëllimi i ynë është që të tregojmë se komuna e Tetovës dëshiron të ndajë gëzimin e festës dhe të shoqërohemi bashkërisht me personat e shtresave të veçanta sociale. Sot erdhëm të ndajmë dhurata për të gjithë personat që trajtohen nga këto shoqata dhe në të njëjtën kohë t’ua urojmë Vitin e Ri 2013, me dëshirën për shëndet dhe begati”, tha zëdhënësi i komunës së Tetovës, Faton Murseli.

Vizita në këto shoqata është pjesë e agjendës të festimeve të Vitit të Ri, agjendë e cila me shumë aktivitete do të vazhdojë deri në ditën e fundit të këtij viti. Qëllimi i kësaj agjende është që komuna e Tetovës këtë vit të jetë më afër personave me nevoja të veçanta dhe familjeve sociale./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button