Industria e madhe duhet të vendosë filtra deri në vitin 2024

Kompanive energjetike në nivel të BE-së u është përcaktuar afat i prolonguar për vendosje të filtrave për ndotje deri në vitin 2024, për shkak se pjesa më e madhe e këtyre kapaciteteve janë shtetërore, thotë Darko Blinkov nga Inspektorati shtetëror për mjedis jetësor. Ai shton që edhe KEX Manastir është në fazë finale me vendosjen e filtrave dhe të merr A-licencë të integruar ekologjike.

Kompanitë nga energjetika dhe metalurgjia të cilat janë shtetërore, sikur KEX Manastir, kanë pasur probleme me respektimin e afatit të parë për vendosje të filtrave deri më prill 2014, ndërkohë të gjitha kapacitetet tjera janë harmonizuar dhe kanë fituar A-licenca të integruara ekologjike, thotë Darko Blinkov – udhëheqës i Seksionit për përkrahje, analitikë dhe bashkëpunim ndërkombëtar pranë Inspektoratit Shtetëror për mjedis jetësor, transmeton REL.

“Pjesa më e madhe e industrisë ishte harmonizuar, kjo është konfirmuar edhe me procesverbalet tona pas atij afati 1 prill 2014.Ndër kompanitë metalurgjike afat shtesë u është dhënë “Makstill-it” dhe “Jugohrom-it”, atë afat e jep Qeveria në seancë, e cila ka të drejtë të japë mundësi të tillë ndërsa jo Inspektorati.“Jugohrom” nuk e shfrytëzoi atë afat, ndërsa “Makstill” e vendosi kapakun për mbulim të emetimeve fugitive nga procesi teknologjik”, thotë Blinkov në intervistë për Radio Evropa e Lirë, të cilën do ta emitojmë të dielën.

Lidhur me veprimin e Inspektoratit kur ka ndotje të palejuar nga termocentrali me thëngjill KEX Manastir, e cila menaxhohet nga shteti dhe gjatë kohë punon me teknologji të vjetëruar, Blinkov thotë që në kombinat bëhen monitorime të rregullta, të jashtëzakonshme dhe kontrolluese sipas Ligjit për mjedis jetësor, ndërsa thekson edhe që janë shqiptuar sanksione.

“Në bazë të vendimit të Komunitetit energjetik të BE-së, praktikisht edhe nga ana jonë si Ministri, janë dhënë afate shtesë për adaptimin e kapaciteteve të mëdha, në këtë rast KEX Manastir. Kjo është tendencë e përgjithshme, Polonia dhe Greqia janë më së shumti të ngarkuara me thëngjill dhe ka informata që tanimë Gjermania dhe Spanja janë duke i mbyllur kapacitetet e mëdha, megjithatë duhet të mendohet edhe për zgjidhje alternative. Për fat të keq, e gjithë Evropa juglindore duhet të mendojë edhe për mungesë të ujit deri në vitin 2050 dhe para se gjithash të resurseve energjetike, ndërsa e dimë që 70 përqind e energjisë në vendin tonë vjen pikërisht nga KEX Manastir”, thotë Blinkov.

Lidhur me kontrollimin e industrisë së madhe, Enti shtetëror për revizion në një nga raportet e fundit për mjedis jetësor ka vënë në pah që institucionet në nivel lokal dhe qendror nuk kanë kapacitet për ballafaqim me problemin me ndotjen e ajrit, sa i përket kuadrit dhe financave.

Revizorët e theksojnë edhe problemin që numër i madh i kompanive nuk i respektojnë afatet ligjore për realizim të planeve për vendosje të filtrave, përkatësisht kompanitë që u nënshtrohen A-licencave të integruara ekologjike.

KEX Manastir emetuesi më i madh i dyoksid të sulfurit në Ballkan

Rrjeti i organizatave qytetare “Benkuoç” para pak kohe publikoi raport në të cilin thotë që termoelektranat me thëngjill në Ballkanin Perëndimor emitojnë “sasi jashtëzakonisht të larta të ndotësve në ajër”.

Në hulumtim thuhet që termocentrali KEX Manastir është një nga ndotësit më të mëdhenj në rajon, me emitim të pluhurit 2,5 herë më të lartë nga e lejuara dhe me emetime dyfish të zmadhuara të dyoksidit të sulfurit për vetëm një vit.

Megjithatë, ndaj këtyre shifrave kanë reaguar nga Elektranat e Maqedonisë së Veriut (EMV), duke thënë që nuk bëhet fjalë për vlera të dyfishuara të emitimeve të dyoksidit sulfurik, por për periudha të ndryshme të matjeve.

“Dallimi në të dhënat e matjeve të emitimeve ndërmjet viteve 2018 dhe 2019 paraqitet për shkak të më shumë faktorëve. Së pari, matja e emitimeve nuk zhvillohet në vazhdimësi, por periodikisht. Në pajtim me obligimet nga Licenca për harmozim me plan operativ për mbrojtje të mjedisit jetësor, SHA EVM dhe filialla KEX Manastir janë në procedurë të prokurimit të pajisjeve për ndjekje të vazhdueshme të emitimeve dhe e njëjta pritet të jetë e instaluar në shtator të këtij viti”, thuhet në reagimin e EVM-së.

Elektranat e thëngjillit KEX Manastir dhe KEX Osllomej një kohë të gjatë punojnë me teknologji të vjetëruar, ndërsa sipas parashikimeve është e mundur në të ardhmen të përballen me mungesë të furnizimit me thëngjill.

Edhe nga Ministria për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor thonë që procedura për marrje të Licencës për harmonizim me plan operativ për SHA Elektranat e Maqedonisë së Veriut, Shkup – Filialla KEX Manastir është në fazë përfundimtare, përkatësisht Draft versioni i licencës është përpiluar dhe në pajtim me Ligjin për mjedis jetësor është publikuar në ueb-faqen e MMJPH.

Procesi i vendosjes së filtrave në KEX Manastir ka filluar në vitin 2007 dhe sipas rregullores së atëhershme ligjore, i njëjti duhet të përfundonte deri në vitin 2014 dhe elektrana ta merrte A-licencën e integruar ekologjike.

Procedura ishte e riaktivizuar në vitin 2018, ndërsa lajmërimet ishin që ajo tërësisht do të përfundojë deri në vitin 2026, siç ka deklaruar para pak kohe drejtori i KEX Manastir-it, Zllatko Qurçievski.

“SHA EVM do të investojë mbi 300 milionë euro për përmirësimin e performanseve ekologjike të procesit prodhues të KEX Manastir”, tha Qurçievski.

Maqedonia para pak kohe miratoi Strategji të re për energjetikë sipas të cilës, në dy dekadat e ardhshme, vendi planifikon t’i mbyllë të gjitha termoelektranat me thëngjill dhe të bëjë tranzicion drejt burimeve të rinovueshme të energjisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button