Një plan kundër përhapjes së dezinformatave

NATO bashkë me demokracitë perëndimore mposhtën dikur Bashkimin Sovjetik. Mirëpo në dekadën e dytë të shek. XXI, kur mendohej se strukturat ushtarake dhe i tërë sistemi ekonomik i Perëndimit i ndërtuar mbi filozofinë ekonomike të Adam Smithit do t’i mbijetonte sulmeve të aktorëve malinj, në të vërtetë kjo nuk ndodhi. Pandemia globale nxorri në pah se lufta biologjike është e tmerrshme dhe askush nuk mund ta përballojë i vetmuar si shtet këtë betejë, duke filluar nga demokracitë e zhvilluara dhe ato të brishta. Siguria kolektive për t’i menaxhuar ndërhyrjet hibride gjatë pandemisë, mbetet strategjia e duhur nga Perëndimi. Siç dihet, COVID-19 ka prekur tashmë çdo shtet të NATO-s, duke përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor.

Ajo që është e dukshme dhe që ka marrë përmasa globale, është se kriza globale e shëndetit publik është shndërruar në një krizë globale të sigurisë me pasoja për sigurinë kombëtare të shteteve. Jashtë çdo logjike të luftës klasike, në kohën e COVID-19, shtetet nuk hapin më konflikte të drejtëpërdrejta. Dezinformimi dhe taktikat hibride mbeten arma më vdekjeprurëse kundër demokracive të reja dhe shteteve të brishta të Ballkanit.

Maqedonia e Veriut (MV) si anëtare më e re e aleancës edhe pse me kapacitete të dobëta të mobilizimit dhe të mbrojtjes nga sulmet kibernetike dhe të dezinformimit, së bashku më NATO-n ka treguar se mund të mbështesë misionet e aleancës dhe përmbushë objektivat kombëtare të sigurisë kundër aktorëve të jashtëm në përpjekjet për të parandaluar efektet anësore të pandemisë globale.

Për më shumë, një sulm kibernetik ndodhi në Maqedoninë Veriore në ditën e mbatjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të korrikut të 2020-ës. Ueb sajti i Komisionit Shtetëror Zgjedhor u bllokua nga sulmet e jashtme. Zyrtarë të lartë të aleancës në Shkup, kanë thënë për shtypin se detyrimi kryesorë i aleatëve të NATO-s është mbrojtja kibernetike kombëtare, megjithatë kjo fushë ende është pjesë e detyrës kryesore të mbrojtjes kolektive të NATO-s.

Anëtarët dhe partnerët e NATO-s, po përballen me përhapje të shpejtë të dezinformatave dhe propagandës në kohën e pandemisë me burim kryesisht rus dhe kinez. Siç dihet dezinformimi kërkon të thellojë ndarjet brenda bashkësive dhe midis shteteve aleate dhe fundja ka për synim të minojë besimin e popullatës në qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike. NATO dhe shtetet anëtare janë marrë me këto sfida që nga fillimi i pandemisë dhe aleanca i ka luftuar në mënyrë aktive dhe në rritje dezinformatat që burojnë nga Rusia dhe aktorët vendor, rreth natyrës së COVID-19 dhe lajmeve tjera që lidhen më ndihmat ndërkombëtare.

Në përgjithësi, duhet thënë se aleanca e parandjente rrezikun rus dhe në Deklaratën e Samitit të Brukselit të 2018-ës, thuhej: “Ne përballemi me sfida hibride, përfshirë dezinformimin dhe aktivitetet keqdashëse në internet.” Në vitin 2019, në Deklaratën e NATO-s të Samitit të Londërs, shefat e shteteve dhe qeverive thanë që NATO-ja po “forcon aftësinë për t’u përgatitur, parandaluar dhe mbrojtur kundër taktikave hibride që kërkojnë të minojnë sigurinë dhe shoqëritë tona”.

NATO dhe Maqedonia Veriore kanë vepruar në një mënyrë të matur dhe të përgjegjshme, duke luftuar dezinformimin me një komunikim publik të besueshëm të bazuar në fakte. NATO në MV ka punuar me shoqërinë civile për të kundërshtuar dezinformimin. Një media e lirë dhe e pavarur është përgjigja më e mirë për dezinformimin dhe propagandën nga jashtë. Janë ndarë disa grante për organizatat e shoqërisë civile për të luftuar lajmet e rreme në Maqedoni dhe që burimin e kanë nga Rusia dhe agjencitë maqedonase që lavdërojnë Rusinë ose i shtrembërojnë lajmet.

Në një pandemi të rrezikshme dhe në një shoqëri siç është MV-ja, faktet dhe komunikimet e sakta me publikun dhe lexuesin mund të shpëtojnë jetë ose të shtojnë besimin ndaj qeverisë dhe organeve shtetërore. Ky raport është thelbësor për të ruajtur sigurinë publike dhe për të mbështetur vlerat e demokracisë dhe sundimit të ligjit të një shteti anëtarë i NATO-s. Strategjia e NATO-s për të parandaluar dezinformimim përfshin një model binjak, i përqendruar kryesishtë në funksionet “kupto” dhe “angazho”.

Për të identifikuar, analizuar dhe luftuar dezinformimin, Maqedonia Veriore dhe NATO-ja vazhdojnë të punojnë së bashku me BE-në përmes Shërbimit Europian të Veprimit të Jashtëm dhe Qendrës Globale të Angazhimit pranë Departamentit të Shtetit. Në këtë plan të luftës globale kundër dezinformimit, rol mjaft të rëndësishëm dhe aktiv duhet të luajë diplomacia publike e NATO-s në bashkëpunim me diplomacinë publike të vendeve anëtare.

Dezinformimi dhe propaganda kanë qenë sfidë për dekada, por veçanërisht të rrezikshme gjatë krizës COVID-19 dhe do të vazhdojë të mbetet mjet i fortë i shteteve të interesuara kundër qeverive demokratike. Qëllimi rus është që t’i paraqesë regjimet autoritare si të vetmet shtete apo qeveri që e kanë trajtuar mirë krizën shëndetësore publike, ndërsa Perëndimi jo.

Kur dezinformimi bëhet pjesë e platformave të ndryshme të lajmeve të rreme, në të njëtën kohë propaganda gjithashtu paraqet rrezik për publikun, duke minuar mesazhet thelbësore të shëndetit publik që transmetohen nga autoritetet shëndetësore.

Nuk ka asnjë zgjidhje të vetme për dezinformimin apo plan afatgjatë që do t’i jepte krizës një zgjidhje të shpejtë. Maqedonia Veriore dhe institucionet shtetërore nuk mund të fitojnë këtë betejë të dekadës pa një shoqëri civile, media të lirë dhe të pavarur nga qendrat politike, gazetari hulumtuese dhe kuptohet duke i përfshirë të gjithë aktorët vendor që duhet të jenë pjesë përbërse e një strategjie kombëtare kundër dezinformimit.

Qytetarët duhet të jenë të sigurtë dhe informacioni që marrin të jetë i saktë si një ndër mënyrat për të luftuar informatat e pasakta rreth sëmundjeve ngjitëse dhe të gjitha përpjekjeve tjera për destabilizim që vinë nga bota e jashtme në formë të sulmeve hibride.

Rusia do të vazhdojë të manipulojë dhe shfrytëzojë të gjitha mundësitë për të minuar drejtimin e pro europian të shteteve të Ballkanit. Për ngjarjet apo rrethanat e ardhshme që nuk mund t’i parashikojmë si qenie njerëzore dhe as më pak të njëjtën nuk mund ta bëjnë edhe modelet shkencore, mundësitë janë që të përsëriten pandemitë globale, duke e shtuar pasigurinë në marrëdhëniet ndërkombëtare bashkë me veprimet e shteteve që dëshirojnë t’i avancojnë interesat shtetërore në kohë krize.

Mjetet për t’i arritur këto objektiva do të jenë të panumërta, andaj COVID-19 është një rast i volitshëm për t’i afirmuar projektet kombëtare dhe afatgjate kundër dezinformatave dhe ngritjes të kapaciteteve shëndetësore bashkë me diplomacinë publike. Këtë gjë duhet ta bëjnë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button