Rritja e sulmeve kibernetike gjatë pandemisë në RMV: nuk u kursyen as institucionet dhe rrjetet sociale, rezultatet e zgjedhjeve parlamentare i lanë nën hije

Pandemia e virusit KOVID-19 filloi në mbarë botën dhe me të, anët e errëta të shoqërisë po bëhen gjithnjë e më të dukshme. Përhapeshin propaganda të rrejshme, “ilaçe” që veprojnë mbi virusin, dhe akuza serioze kundër politikanëve duke aluduar në faktin se KOVID-19 është vetëm një veprim i qeverive botërore.

Si edhe në vendet e tjera, ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut, KOVID-19 shkaktoi çfarëdo përhapje të dezinformatave, informatave të rrejshme dhe eksploatimit nga individë të caktuar si dhe grupe e organizata më të gjera. Përveç propagandave politike që u përhapën, gjithashtu filloi edhe një valë e krimit dhe sulmeve kibernetike.

Hakerët nëpër botë përdorën ndjeshmërinë dhe prekshmërinë e njerëzve gjatë pandemisë për të shkaktuar panik dhe frikë, dhe e njëjta gjë po ndodh në Maqedoninë e Veriut.

Më 23 qershor 2020, faqja zyrtare e tifozëve të Facebook e kryetarit të komunës së Karposhit, Stefan Bogoev u hakua nga një grup i paidentifikuar hakerësh, i cili përmes hetimit të adresës IP, u zbulua se fizikisht gjendet në Indonezi.

Edhe pse këtu nuk ka abuzim të situatës botërore me koronavirusin, sepse Bogoev arriti ta rikthejë faqen e tij dhe ta denoncojë pranë institucioneve kompetente përpara se të bëhej dëm i mëtejshëm, besohet që grupi i hakerëve i cili fshihet pas hakimit të faqes së tifozëve ka dashur të keqinformojë popullin për KOVID-19 dhe përhapjen e tij, trajtimin, kontrollin, masat parandaluese dhe të ngjashme.

Një tjetër rast i sulmit kibernetik në Maqedoni gjatë pandemisë u shfaq në formën e postës së rrejshme në faqen e internetit sakamdakazam.mk, ku u plasua lajmi i rrejshëm se zgjedhjet do të përdoren si një rast për të filluar projekti Bill dhe Melinda Gejts për vaksinimin e qytetarëve. Ky lajm ishte përhapur në të gjithë botën, por sokamdakazam.mk theksoi se ky është lajm i rrejshëm, dhe nuk ekziston fare si postim në faqen e tyre. Prej atëherë, ata ngritën kallëzim penal ndaj autorëve.

Pandemia me KOVID-19 nuk është shkaku i vetëm për hakimin e këtyre personave dhe institucioneve. Pasi Maqedonia u bë anëtare e NATO-s, ajo është bërë cak më i madh për sulmet kibernetike nga Lindja dhe Perëndimi, dhe sikur sulmet kibernetike të lartpërmendura, kanë ndodhur edhe më shumë. Hakerët arritën të hynë në Ministrinë e Financave dhe atë të Ekonomisë, ku të njëjtit u kanë dërguar email punonjësve të ministrive në emër të punonjësve tjerë.

Një nga sulmet më të mëdha kibernetike ndodhi pikërisht këtë muaj gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 15 korrik 2020, ku grup hakerësh arritën të hyjnë në sistemin e Komisionit Shtetëror Zgjedhor gjatë kohës së grumbullimit të votave dhe të njëjtin e pamundësuan të punojë. Pas funksionimit të shkurtë të sistemit, vërehen ndryshime të pashpjegueshme në rezultatet e fletëvotimeve dhe ato të vendosura nga sistemi elektronik. Zhvillimet e këtilla dhe rezultatet e fituara filluan të krijojnë dyshim për besueshmërinë e tyre, si te partitë politike ashtu edhe te qytetarët, me çka hodhën hije në vërtetësinë e rezultateve zgjedhore.

Në vitin 2018 u miratua Strategjia nacionale e sigurisë kibernetike, së bashku me planin e veprimit në kornizën kohore nga 2018-2022, me përgjegjësi të caktuar saktë për zbatimin e saj në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme. Edhe krahas sulmeve kibernetike në rritje që nga fillimi i këtij viti, të cilat mund të konsiderohen si paralajmërime dhe njoftime për sulme të mundshme kibernetike, sidomos gjatë zgjedhjeve, nuk u morën masa të mjaftueshme për të mbrojtur vendin prej tyre, që lë përshtypje se institucionet nuk kanë pasur sens ose interes, dhe se numri i votave të fituara gjatë zgjedhjeve ishte më i rëndësishëm se siguria kibernetike.

Hakimi është bërë i zakonshëm në shoqërinë tonë dhe të njëjtit po gjejnë mënyra të reja për të depërtuar në institucione, siç shihet nga shembujt e mëparshëm. Me këtë, mendoj se është koha që institucionet përgjegjëse për zbatimin e Strategjisë nacionale të sigurisë kibernetike të përfshihen më shumë në përcaktimin dhe zbatimin e planit të veprimit dhe të ngrihet vetëdija dhe rëndësia e sigurisë kibernetike në nivel më të lartë.

Tani që Maqedonia e Veriut është në NATO, siguria gjatë shfletimit në internet është sidomos e rëndësishme. Mbrojtja kibernetike është në bërthamën e sigurisë kolektive për të gjithë anëtarët, dhe organizata shikon sigurinë në internet si dhe sigurinë në tokë, ujë dhe ajër. Për shkak të rregullave të rrepta të sigurisë kibernetike të shteteve anëtare, Maqedonia e Veriut po bëhet më interesante që hakerët të mund të depërtojnë në institucionet shtetërore dhe të përhapin informacione të rrejshme.

Sulmet kibernetike janë krim shumë i madh, dhe me rritjen e tyre në mënyrë që të përhapen informacione të rrejshme për KOVID-19, si dhe përpjekje të përgjithshme për të depërtuar në institucionet shtetërore dhe në profilet e zyrtarëve, mendoj se është më e rëndësishme se kurrë për ta marrë seriozisht shfletimin e sigurt në internet, sepse pa marrë parasysh statusin e tyre shoqëror, fenë, ngjyrën e lëkurës ose moshën dhe kontributin që e kanë në shtet, qytetarët u nënshtrohen sulmeve të tilla. Sidomos me pranimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, mendoj se tani duhet të merret më seriozisht se kurrë, sepse anëtarësimi në këtë organizatë, si dhe pandemia e KOVID-19, mund të çojë në pasoja serioze që lidhen me shëndetin, besimin e publikut në rrjetet sociale, akuza të pabazuara kundër ligjit në shtet dhe zyrtarët, etj.

Sulmet e hakerëve deri më tani dhe gatishmëria e shtetit për t’i parandaluar dhe penguar ato, është arsye e mjaftueshme për ta marrë më seriozisht se kurrë sigurinë në internet dhe shfletimin e sigurt.

Afrodita Musliu është drejtore ekzekutive e Konceptit qytetar NEKSUS dhe hulumtuese në fushën e ekstremizmit të dhunshëm, etno- nacionalizmit, fjalorit të urrejtjes, lajmeve të rrejshme dhe dezinformatave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button