Përhapja e Kovid-19 në Maqedoninë e Veriut ka shkaktuar përhapjen e islamofobisë

Që nga fillimi i pandemisë së virusit KOVID-19 në Maqedoninë e Veriut, kjo nuk ishte e vetmja gjë që filloi të përhapet në mesin e qytetarëve. Në të njëjtën kohë, në mesin e njerëzve po rritet edhe numri i lajmeve të rreme, gjuha e urrejtjes dhe animoziteti.

Përhapja e përgjithshme e lajmeve të rremë për KOVID-19 filloi me shfaqjen e tij në ditët e fundit të vitit 2019, gjë që çoi në shpalljen e “infodemisë” nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH).

Një pjesë e madhe e vatrave të lajmeve të rremë kanë filluar të përhapen edhe në Maqedoninë e Veriut, duke filluar me mënyra të ndryshme të pavërteta të parandalimit, si dhe ilaçe alternative për të cilat pretendohej se janë në gjendje të parandalojnë infeksionin ose ta shërojnë marrësin. Kjo ka bërë që Maqedonia e Veriut përsëri të identifikohet si një nga pikat kryesore të lajmeve të rreme nga zyrtarët e Facebook-ut.

Për shkak të futjes së orës policore gjatë festave të mëdha fetare, kjo ka kontribuar shumë në ngritjen e gjuhës së urrejtjes, si dhe futjen e temës së intolerancës fetare dhe pabarazisë.

Rrjetet sociale u vërshuan me teori konspirative, mosbesim ndaj ekzistimit të virusit dhe urrejtjes. Disa njerëz madje pohonin se virusi është vetëm një veprim i qeverive botërore për ta frikësuar njerëzimin që të kapitalizojë në këtë pandemi.

Një nga shembujt më të spikatur të përdorimit të animozitetit ndaj feve të tjera në vend ishte ish udhëheqësi i Bashkësisë Fetare Islame, Sulejman Rexhepi. Në luftën e tij për sundim, Rexhepi ka tejkaluar kufijtë duke e shpallur virusin “të vdekur” gjatë festës së Fitër Bajramit, që ka çuar në shkarkimin nga posti i tij nga ana e organit më të lartë të Bashkësisë Islame.

Me përhapjen e koronavirusit dhe shtimin e numrit të të infektuarve, filloi të rritet ideologjia e urrejtjes etnike dhe fetare. E gjitha filloi me një lajm skandaloz që pretendonte se 64% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të cilëve u lejohet të marrin vauçer qeveritar janë shqiptarë etnik kurse vetëm 16% janë maqedonas. Edhe pse ky ishte një lajm i rremë dhe u shpërnda nga disa media në vend, gjuha e urrejtjes tek njerëzit u shpreh në mënyrë drastike dhe pretendimet u përhapën në të gjitha rrjetet sociale se Qeveria dhe partia udhëheqëse kanë prirje ndaj komuniteteve tjera fetare dhe etnike.

Për shkak të mosrespektimit masiv të masave dhe pabarazive etnike dhe fetare në Maqedoninë e Veriut, ajo nuk arriti të paraqitet në listën e medias me famë botërore “Forbs” si vend i sigurt për sa i përket përhapjes së KOVID-19. Udhëheqësi i partisë opozitare VMRO, Hristijan Mickoski, ishte i detyruar t’u shpjegojë qytetarëve se hulumtimi nuk është bërë nga vetë “Forbs”, por nga Deep Knowledge Group. Një nga investitorët dhe porositësit e artikullit të “Forbs”, oligarku rus Dmitri Kaminski, pranoi se hulumtimi nuk ishte ideal dhe se s’mundet për të gjitha vendet në botë të bëhet hulumtim i saktë. Por, ai gjithashtu shtoi se paragjykimi dhe racizmi mund të ndikojnë në renditjen e një vendi në këtë listë.

Përhapja e gjuhës së urrejtjes dhe negativitetit ndaj bashkësive etnike dhe fetare është akoma në rritje, dhe një rast i fundit në këtë drejtim vjen në formën e një “cicërime” (Tweet) të shkruar nga akademikja Katica Qulavkova. Më 6 qershor 2020, ajo shkroi në profilin e saj se “Ne e paguajmë me jetën tonë bashkëjetesën tonë”. Kuptimi indirekt i kësaj është se numri i lartë i të prekurve nga virusi është faj i drejtpërdrejtë i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut nga grupi tjetër etnik apo fetar. Kjo “cicërimë” u kritikua gjerësisht dhe njerëzit nuk e fshehën pakënaqësinë e tyre për këtë mendim.

Në një kohë kur e gjithë bota po lufton me pandeminë, dhe kur barazia kombëtare dhe refuzimi i të gjitha animoziteteve, si dhe bashkëjetesa janë më të rëndësishmet për të trajtuar virusin në mënyrën më efektive, me deklaratat e saj akademikja Qulavkova arriti të gjente hapësirë për të justifikuar gjuhën e saj të urrejtjes ndaj bashkësive etnike dhe fetare. Për ta shuar zjarrin e komenteve negative Qulavkova, anëtare e ASHAM, institucion që lufton që shteti të bëhet një shoqëri e përparuar, veçanërisht në arsim, bazuar në shkencë dhe njohuri, pastaj shtoi se “tweet-i” i saj ka qenë personal dhe nuk kishte lidhje me situatën etnike në Maqedoninë e Veriut. Fatkeqësisht, nuk arriti t’i qetësojë komentet negative të njerëzve dhe u detyrua ta fshijë profilin e saj në Twitter.

Një shembull edhe më i ri i negativitetit ndaj besimit islam përkon me zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, pra komentet e kandidatit për deputet të partisë së majtë “LEVICA” prof. dr Dimitar Apasiev. Ai pretendon se Maqedonia e Veriut është plotësisht e “islamizuar”, deri në atë masë saqë pretendon se studentët në vendet arabe studiojnë të ashtuquajturin “islam radikal”.

Një numër i madh i qytetarëve kritikuan Apasievin për deklaratat e tij ekstremiste. Një komentues tha: “Për një deklaratë të tillë, kjo në një gjendje normale duhet të ketë përgjegjësi penale”.

Përveç “skandalit” me vauçerët, shumë nga këto fjalime filluan pas shfuqizimit të shumë masave për të parandaluar përhapjen e virusit, se shumica e rasteve të reja në Maqedoninë e Veriut vinin nga ato pjesë të vendit ku popullata kryesisht i takon besimit islam.

Asnjëherë, në asnjë rast, nuk duhet të ketë justifikim për negativitet, animozitet dhe urrejtje ndaj bashkësive etnike dhe fetare, por me përhapjen e KOVID-19, kjo është pikërisht ajo që po përhapet në mesin e qytetarëve. Me përhapjen e islamofobisë në vend, urrejtja ndaj anëtarëve të të njëjtës bashkësi fetare po rritet, dhe në planin afatgjatë kjo mund të çojë në radikalizim dhe sjellje të dhunshme, ekstreme dhe si pasojë të ketë shkelje serioze të sigurisë kombëtare.

 

Afrodita Musliu është drejtore ekzekutive e Konceptit qytetar NEKSUS dhe hulumtuese në fushën e ekstremizmit të dhunshëm, etno- nacionalizmit, fjalorit të urrejtjes, lajmeve të rrejshme dhe dezinformatave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button