Banesat sociale, ekskluzivisht për maqedonasit

Edhe pse mbi 70% e rasteve sociale në Maqedoni, të cilët jetojnë sot për sot, shumë prej tyre edhe pa kulm mbi kokë janë shqiptarë, banesat sociale të financuara nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë edhe më tej shkojnë ekskluzivisht për maqedonasit. Nga programet e deritanishme për ndarjen e banesave sociale nuk kanë përfituar shqiptarët, pasi të njëjtat janë ndërtuar dhe shpërndarë vetëm në rajonet me shumicë maqedonase.

Sipas deputetit të RDK-së Izet Zeqiri, ndarja e banesave bëhet në vijë partiake dhe shqiptarët janë të përjashtuar nga këto programe.

“Qeveria në këtë sferë nuk ka realizuar ndonjë politikë konsistente dhe programi për ndërtimin e banesave për bashkëshortët e rinj varfanjak në Republikën e Maqedonisë është shndërruar në program për ndërtimin e banesave për bashkëshortët e rinj partiak. Kjo është elementi ku Qeveria diskriminon në mënyrë partiake bashkëshortët e rinj që konkurrojnë në programin për fitimin e banesave” – thotë Izet Zeqiri.

Edhe në buxhetin e propozuar për vitin 2013, i cili është në procedurë parlamentare, nuk janë paraparë mjetë proporcionale për ndërtimin e banesave sociale. Një pjesë e vogël shkon për ndërtimin e banesave të tilla në Komunën e Çairit.

“Mjetet që parashikohen në buxhetin mendojmë janë të mjaftueshme për ndërtimin e banesave sociale. Mjetet buxhetore janë modifikuar në shumë prej 22 milion denarësh dhe 122 milion denarë nga borxhi që ka marrë Republika e Maqedonisë për ndërtimin e banesave sociale, ku përfshihet edhe Komuna e Çairit” – tha zëvendës ministri i financave Nedim Ramizi.

Ndërkaq zëvendës ministri i Transportit dhe Lidhjeve Tahir Hani thekson se problem kryesor në vendbanimet shqiptare ka qenë parcela për ndërtimin e këtyre banesave, të cilat tani më janë gjetur, por se nuk dihet se kur do të fillojë ndërtimi i tyre.

“Në Tetovë ka qenë problem përcaktimi i lokacionit për urbanizimin e parcelës ndërtimore për banesa sociale. Tani është përcaktuar, njëjtë si edhe në Dibër, ndërsa në Gostivar ka parcelë ndërtimore dhe plan urbanistik. Nuk ka ndonjë parashikim se kur duhet të fillojë ndërtimi i banesave sociale në këto vendbanime” – tha Tahir Hani.

Nga programet e deritanishme për shpërndarjen e banesave të tilla kanë përfituar vetëm vendbanimet maqedonase. Sipas projektit për banesat sociale nga viti 2007 deri në vitin 2011 është dashur të ndërtohen 2500 banesa, me projektin tjetër deri në vitin 2014 duhet të ndërtohen edhe 1753 banesa. Banesa sociale janë ndërtuar në Makedonska Kamenicë 29 banesa, në Gjorçe Petrov 102 banesa, në Ohër 71 banesë, në Kërçovë 32 banesa, në Koçan 29 banesa sociale, në Kavadar 30 banesa sociale dhe në Kriva Pallankë 46 banesa sociale.

Ndryshe, programi për banesa sociale është program social dhe si i tillë i takon Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale. Për arsye të paqarta, në kohën kur Ministri për Punë dhe Politikë Sociale ishte shqiptar, Xhelal Bajrami, kësaj ministrie ju morrën kompetencat për këtë projekt dhe iu dhanë Ministrisë për Transport dhe Lidhje, të drejtuar nga kuadër maqedonas, Mile Janakievski./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button