RMV, interesat partiake i pengojnë partitë shqiptare të bashkohen për interesat e përbashkëta

Bazuar në të dhënat preliminare nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor, partitë politike shqiptare në përbërjen e re parlamentare te dalë nga zgjedhjet e 15 korrikut, do të kenë 32 deputetë. Kjo nuk ka ndodh që nga zgjedhjet e para parlamentare të vitit 1991 në Maqedoninë e Veriut. Deri më tani më së shumti që kanë mundur të nxjerrin deputet shqiptar ka qenë 29 edhe atë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2008, shkruan Portalb.mk.

Shqiptarët që në ngritjen e zërit të parë, në Parlament, deri më sot, kanë fituar një sërë të drejtash, të konsiderueshme, ndër vite. Barazia etnike, përdorimi i flamurit kombëtar, gjuha shqipe si gjuhë e barabartë me atë maqedonase, punësimet e shqiptarëve në institucione të rëndësishme dhe të ndryshme, e të tjera. Por, këto arritje, për analistët, nuk janë arritje të mirëfillta. Janë arritje gjysmake dhe mbeten shumë çështje të pa përfunduara. Mirëpo, numri i rritur i votave për deputetët shqiptarë, ka ndryshuar numrat e votuesve të partive politike maqedonase dhe kjo mund të ndryshojë në arritjet e kërkesave të shqiptarëve.

Shpëtim Pollozhani

Edhe pse tashmë është koha, që deputetët shqiptarë të ngrenë zërin unanimisht dhe të përfundojnë punët e pa përfunduara dhe të kërkojnë çështje që korrespondojnë me komunitetin shqiptar në Maqedoni, si faktor i rëndësishëm për shtetin, kryetari i Shoqatës të ish të Përndjekurve Politik, Shpëtim Pollozhani, nuk i shikon deputetët shqiptarë në një rrugë të përbashkët.

“Mendoj që shqiptarët në veprimet e tyre politike, gabimin më të madh e kanë bërë, që në momentin kur u larguan nga ideja udhëheqëse, e cila është një ide strumbullar për të gjithë popujt që synojnë liri dhe barazi. Ne kemi shembuj konkret, ku Libani me qendër administrative të të gjithë botës arabe, historia e së cilës tregon se, atje u zhvilluan zgjedhje ku nuk u dakorduan shumë palë partiake dhe kështu filloi një luftë civile dhe po kështu u ndanë në pesë grupacione, ku njërën e kontrollon Izraeli, tjetri greko-maronitët, tjerët Franca, Arabia Saudite e me radhë Pra, grupimet tona politike më ngjasojnë njëlloj si grupacionet e Libanit, ku më tepër luftojnë për interesa partiake, se sa për interesa kombëtare. Sikur të luftonin për interesa kombëtare do të bashkoheshin rreth një ide udhëheqëse, mandej le ta bëjnë politikën, secili, veç e veç”, tha Pollozhani.

Ai shton se ligji i gjuhës është i mangët, në respektim, gjithashtu i ulët është nderi i ushtarëve (UÇK-së) dhe trajtimi i ish të burgosurve politik, etj. Dhe mendon se do të duhet të arrihet një kohezion i forcave politike, duhet që partia (shqiptare) që ka më shumë vota të tregojë më tepër pjekuri dhe kombtarizëm dhe kjo do të duhet të bëhet përherë para zgjedhjeve. Por, Pollozhani theksin e vë se të gjithë partitë politike shqiptare e konsiderojnë platformën e tyre si më të rëndësishme, ku edhe kërkojnë që partitë e tjera t’u bashkohen atyre, këtu edhe është faji i pa pjekurisë politike shqiptare për t’u tubuar rreth një programi politik, si ai i Lidhjes së Prizrenit.

Besa Arifi, profesore e asociuar në Universitetin e Evropës Jug-Lindore
Besa Arifi, profesore e asociuar në Universitetin e Evropës Jug-Lindore

Zgjedhjet parlamentare 2020 kanë qenë ndër zgjedhjet më vështirë të parashikueshme, potencon Besa Arifi, profesoreshë universitare. Ajo thotë se, duke u bazuar edhe tek rezultatet që janë mbledhur në mënyrë direkte edhe në vendvotime mund të nxirren disa rezultate preliminare të cilat janë shumë pozitive dhe shpresëdhënëse, që e favorizojnë faktorin politik shqiptar dhe e bindin politikën e partive maqedonase që shqiptarët janë faktor i rëndësishëm për vendimet e shtetit.

“Leksioni përmbyllës i këtyre zgjedhjeve është faktorizimi i votës shqiptare dhe kthimi i numrit adekuat të përfaqësuesve shqiptarë në Kuvend. Kushdo që ta formojë qeverinë e ardhshme do e ketë të qartë që pa faktorin shqiptar ndryshimet në këtë vend nuk bëhen asnjëherë. Kaq besoj mjafton edhe për ata të VMRO-DPMNE-së të cilët mendonin se në këto zgjedhje do mund ta artikulojnë teorinë e kombit të vetëm maqedonas. Kombi i vetëm maqedonas me faktor vendimtar shqiptar për të gjitha vendimet e rëndësishme në shtet është një koncept tërësisht utopik dhe i mundshëm vetëm në kokat e ideatorëve të atyre zgjidhjeve kushtetuese që na lanë në qorrsokak për 30 vjet”, shprehet Arifi.

Për ndryshe, Bashkimi Demokratik për Integrim nën udhëheqjen e Ali Ahmetit do të ketë 15 deputet, pesë më shumë se sa në përbërjen e kaluar. Numrat e kësaj partie pritet të jenë vendimtar pë Qeverinë e re. Në njësinë e gjashtë BDI ka triumfuar me 7 deputet, në njësinë e pestë me 3 deputet, në të dytë me 3 dhe në të parën me 2 deputet.

Koalicioni mes dy partive, Aleanca për shqiptarët e Ziadin Selës, dhe Alternativa e Afrim Gashit do të ketë 12 mandate deputetësh, një rritje e madhe e numrave në Parlament në krahasim me përbërjen e kaluar parlamentare. Në njësinë e gjashtë këto dy parti kanë ftuar 6 deputetë, në të pestën 1 deputet, në të dytën 3 dhe në njësinë e parë 2 deputet.

Lëvizja BESA e Bilall Kasamit e cila ishte në koalicion me LSDM-në e Zoran Zevit, arriti të marrë katër deputet.

Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit mori vetëm një deputet në njësinë e gjashtë zgjedhore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button