Rama mbështet Arvizun: Bashkimi “Shqipëri-Kosovë” rrezikon stabilitetin e Ballkanit

Menjëherë pas deklaratave të ambasadorit amerikan në Tiranë ka reaguar kreu i Partisë Socialiste, i cili mbështet idenë e ambasadorit, se thirrjet nacionaliste për “Shqipërinë Etnike” mund të sjellin rrezik dhe tension në rajon.

Rama thotë se, mesazhi i ambasadorit të ShBA-ve për përçartjet nacionaliste është kambanë alarmi!

“Bashkimi Kombëtar s’vjen nga rrugët e vjetra të mllefit destruktiv. Fantazmat e nacionalizmit turbofolk të së shkuarës s’kanë më vend në rajonin tonë. Ta bëjmë Bashkimin Kombëtar përmes rrugës së re të Europës. Shqiptarët janë sot të lirë falë mbështetjes amerikane e mirëkuptimit europian. Kurrë s’mund t’i cenojmë këto me politika të vjetra rrënuese”, u shpreh Rama në rrjetin social Twitter.
[B]SHBA: Politika po përdor idenë e bashkimit me Kosovën, vetëm për zgjedhjet[/B]  
Sot në Tiranë po zhvillohet sot 15-vjetori i konferencës për Sigurinë në Ballkan. Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, ka hedhur kritika të ashpra ndaj klasës politike, në lidhje me deklaratat e fundit nacionaliste.  Ai theksoi se, deklaratat nacionaliste për bashkimin kombëtar janë një lojë e rrezikshme që përdoret vetëm në interes të zgjedhjeve dhe kjo mund të shkaktojnë trazira dhe destabilitet në rajon.

“SHBA ka vënë re rritje të pavend në retorikën nacionaliste në vend, veçanërisht në javën e festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë dhe më pas.  Kjo kontrastron dukshëm me rolin pozitiv që Shqipëria ka luajtur në rajon. Qeveria dhe partitë përfshirë opozitën kanë lëshuar mesazhe të qarta të përgjegjshme duke inkurajuar shqiptarët jashtë të punojnë së bashku. Kohët e fundit aktorë të ndryshëm politikë kanë tentuar të përdorin etnicitetin për qëllime të ndryshme politike. Tensionet etnike nëse zgjohen janë të pamundura për t’u kontrolluar, personat të përmbahen nga ndezja e ndjenjave etnike si brenda dhe jashtë Shqipërisë”, tha Arvizu.

Ambasadori i SHBA-ve i është drejtuar Aleancës Kuq e Zi, duke i thënë se, thirrjet e saj për bashkim dhe nënshkrimi i një peticioni ndikon negativisht në situatën në rajon dhe përkeqëson marrëdhëniet me fqinjët. Sipas Arvizut sot Shqipëria ka nevojë për integrimin euro-atlantik dhe jo për bashkimin në një “Shqipëri të madhe”.  

“Kjo duket si e vogël, por frenon marrëdhëniet, frenon bashkëpunimin. SHBA i kushton vëmendje kësaj. Thirrja nga AK-së për referendumin për bashkimin mes Kosovës e Shqipërisë minon përparimin për paqe e stabilitet rajonal. Theksoj se SHBA-tw nuk mbështesin ndryshimin e kufijve në rajon. Çdo përpjekje për ta bërë këtë është destabilizuese.  Përqendrohuni në integrimin, fjala për një Shqipëri të madhe të rreme është shpërqendrim nga problemet e mëdha dhe votuesit nuk duhet të bien pre e kësaj”,- tha ai.

Ambasadori Arvizu theksoi më tej se zgjedhjet nuk duhet të jenë një justifikim për të dhënë mesazhe të përziera ndërsa ripërsëriti edhe njëherë apelin për  krerët politikë shqiptarë që të ripërtërijnë marrëdhëniet me fqinjët dhe të përcjellin mesazhe të përgjegjshme për të gjithë rajonin.

Ambasadori amerikan Arvizu në fjalën e tij ka thënë se udhëheqja pozitive po bën ndryshimin në Ballkan.

“Shqipëria ka kontribuar për paqen në Ballkan. SHBA ka vënë re rritje të retorikës së pavend nacionaliste, dhe kjo nuk i shërben Shqipërisë për integrimin”,- u shpreh Arvizu.

Arvizua tha se, muajin i kaluar Filip Gorden në fjalimin e tij tha se përparimi në këtë rajon varet nga udhëheqja. “Shqipëria po bashkërendon planet për përgjigjen ndaj emergjencave duke ndikuar në të gjitha vendet e rajonit. Shkatërrimin i municioneve dhe armëve të tepërta çon drejt stabilitetit. Armët e vjetra kanë një rrezik dhe Shqipëria ka bërë përparime në këtë pikë”, theksoi ai./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button