Bekteshi dhe Ademi që dolën pozitiv në KOVID-19, të martën morën pjesë në hapjen solemne të palestrës sportive në Mateç

Ministrat e Ekonomisë dhe Arsimit dhe Shkencës, Kreshnik Bekteshi dhe Arbër Ademi, të cilët e konfirmuan se kanë dalë pozitiv në testin e virusin korona, të martën (21.07.2020) kanë marrë pjesë në hapjen solemne të një palestre sportive në SH.F.K. “Kultura” , f. Mateç, të Komunës së Likovës. Nga ajo që mund të shihet nga fotografitë, ndonëse ministrat kanë pasur maska mbrojtëse në fytyrë, megjithatë në shumë raste ata nuk e kanë respektuar distancën fizike, që sipas rekomandimeve të autoriteteve shëndetësore është e ndaluar, pasi që lehtë mund të shpërndahet virusi, njofton Portalb.mk.

“Gjatë ditës djeshme, në mënyrë solemne u hap – u lëshua në përdorim palestra sportive në SH.F.K. “Kultura” , f. Mateç. Në këtë solemnitet në të cilin solemnitet përveç pjesëmarrjes masive të të gjitha shtresave nga f. Mateç, prezantuan edhe: Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, deputeti i zonës, Berat Ajdari, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, bashkëfshatari, aktualisht kryetar i Shkupit vjetër – Çairit, Visar Ganiu, zv/ryeministri Sadulla Duraku, si dhe nikoqiri, kryetari i komunës së Likovës, Erkan Arifi”, ka shkruar dje në Facebook, kryetari i Likovës Erkan Arifi.

Portalb.mk, tentoi të marrë qëndrim nga Arifi, por i njëjti nuk ishte i kapshëm për redaksinë tonë.

Më 19 korrik (e diel), Ademi, ka marrë pjesë gjithashtu në një koktel në fshatin Sllupçan, të cilin e ka organizuar Arifi për strukturat dhe aktivistët e BDI-së, ku kanë marrë pjesë gjithashtu edhe deputeti i BDI-së, Berat Ajdari dhe nënkryetari i partisë Sadulla Duraku.

“Më datë 19.07.2020 (e diel), me fillim në ora 19,00, në hapësirat e KF “Besa” , f. Sllupçan, Shefi i shtabit komunal i BDI- së, Likovë, Erkan Arifi, në shenjë falënderimi organizoi një koktel modest për strukturat dhe aktivistët e BDI-së. Falënderime deri te gjithë aktivistët, përveç shefit, Erkan Arifi, shprehën edhe dy deputetët nga radhët e Bdi-së, Berat Ajdari dhe Arbër Ademi, si dhe në fund, nga nënkryetari SadullaDuraku“, shkruan Arifi.

Nga ana tjetër, nuk ka asnjë postim të Bekteshit në profilin e tij të Facebook-ut për vizitat eventuale të cilat mund t’i ketë bërë.

Ndryshe, deri më tani ka 9.547 persona të infektuar me KOVID-19, 442 të vdekur dhe 5.071 të shëruar. Autoritetet vazhdimisht kërkojnë nga qytetarët që t’i respektojnë masat parandaluese – mbajtja e maskave dhe distancimi social.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button