Arifi premton se do ta rimëkëmb kulturën në Tetovë

Kandidatja për kryetare të Tetovës, Teuta Arifi sot në hapësirat e Pallatit të Kulturës në Tetovë zhvilloi takim me shoqatën e artistëve figurativ të Tetovës ku para të pranishmëve Arifi shpalosi platformën kulturore dhe politikat për zhvillim kulturor të qytetit. 

“Gjëja e parë që do të bëhet është përpilimi i Strategjisë për zhvillim kulturor ndërsa këtë strategji do ta përpilojë departamenti përkatës i komunës në bashkëpunim me universitetet,shoqatat e artistëve, OJQ dhe ekspertët e kulturës. Kjo strategji do të jetë plan pune për të gjithë ne që do ta përpilojmë atë dhe që kemi qëllim të përbashkët që Tetova të përjetojë zgjim kulturor.Në programin tim zgjedhor në kapitullin që flet për kulturë në mënyrë specifike ceket që komuna do të  organizojë dhe përkrah takime dhe tryeza konstante me artistë dhe grupet e interesit për të bashkërenduar kërkesat dhe nevojat e artistëve dhe të qytetarëve.” theksoi kandidatja për kryetare e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Një ndër kërkesat e parashtruara nga artistët ishte mbështetja për realizimin e projektit për ndërtim të shtëpisë atelje “Art House” në Lisec me qëllim që artistët e dëshmuar me veprat e tyre artistike të kenë kulmin që i bashkon dhe hapësirën e mjaftueshme për organizim të manifestimeve artistike.

Të pranishmit biseduan mbi çështjet që kanë të bëjnë me shfrytëzimin e potencialit kulturor dhe krijimin e ambientit të denjë për zhvillim kulturor të qytetit dhe u dakorduan që vetëm partneriteti dhe puna e përbashkët mes institucioneve lokale, artistëve dhe qytetarëve  mund të  rezultojë me zgjim kulturor të qytetit. / PortAlb

Lajme të ngjashme

Back to top button