Partitë flasin për veting, por s’janë të gatshme sepse duhet t’i përjashtojnë anëtarët e tyre

Ndonëse partitë politike, për zgjedhjet parlamentare, të vitit 2020, kanë në programet e tyre, realizimin e procesit të vetingut (verifikimit), një gjë e tillë nuk shikohet e arsyeshme nga faktori ndërkombëtar. Ekspertët e çështjeve juridike pohojnë se pa ndihmën e ndërkombëtarëve, respektivisht shteteve anëtare të BE-së, një verifikim i fakteve në sfera të ndryshme, gjegjësisht institucioneve, posaçërisht në gjyqësi, nuk është e mundur të dal në pah e vërteta dhe drejtësia, e cila do ta drejtonte shtetin në rrugën e së drejtës dhe sundimit të ligjit, por edhe në rrugën drejt Evropës, shkruan Portalb.mk.

Por edhe pse partitë politike flasin për veting, ata, sipas ekspertëve nuk janë të gatshme që të ndërmarrin procesin që shërben për përjashtimin e zyrtarëve publik që nuk kanë integritet në përmbushjen e detyrës, sepse krerët e institucioneve janë nga vetë partitë. Në të kundërtën nëse ndërmerret një hap i këtillë, rikthehet besimi i publikut në punën e institucioneve shtetërore.

“Se pse e kanë vënë partitë politike në programet e tyre procesin e vetingut, se ata janë të detyruar se sipas kapitujve (23/24) e përcakton drejtpërsëdrejti shtyllën e gjyqësorit, korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku edhe do të duhet të japin llogari. Këtu pikërisht qëndron problemi esencial se nëse aderimi për në BE, do të zgjat 5 vite, atëherë ata do ta zgjasin për 10 vite, ata kanë qenë të detyruar sepse nga brenda mund të thuhet se janë “të pastër” dhe luftojnë krimin e organizuar, por nga ana tjetër janë vetë shkaktar (të borxhit të organizuar). Nëse analizohet gjendja faktike e shteti, për sa i përket përpjekjeve edhe të ndërkombëtarëve, korrupsioni, krimi i organizuar dhe borxhi publik janë tre elemente të mos funksionimit të gjyqësorit të shtetit të së drejtës. Nëse palët kanë një kontest, i drejtohet gjyqësorit. Por, nëse analizohet prizmi politik është e pa pranuar që politika të bëjë reformën në gjyqësi, sepse pushteti i drejtë gjyqësor ka format dhe parimet e veta. Gjendja faktike nuk analizohet. Nëse merret gjendja e institucioneve, rreth 80 % e këtyre janë në borxh. Prandaj, menjëherë do të bëhet gjykimi i këtyre personave që kanë futur institucionin në borxh. E dyta, reformat në drejtësi nuk bëhet përmes politikës, por nga gjyqësori duke e ditur se edhe në gjykata ka lëshime. Tashmë kemi fakt historinë e hidhur të Prokurorisë Speciale. Pra, në Maqedoni krimi është më i fuqishëm se sa vetë institucionet”, thotë profesori universitar, njohës i çështjeve juridike, Bashkim Selmani.

Ai shton se ne jemi dëshmitarë që krimi bazamentin e ka te “Projekti 2014”, ku njerëzit që i krijuan borxh shtetit do të duhet t’i kthejnë, por atyre njerëzve ju dha amnistia, ku një pjesë është e improvizuar dhe retorike ngelet për luftën ndaj  krimit dhe korrupsionit.

Nga ana tjetër Instituti për Politikë Evropiane, në Shkup e sheh propozimin e partive politike për vetingun, në proporcion të kundërt njëra me tjetrën.

“Megjithëse mundësia e vetingut ofrohet në programet zgjedhore të të dy partive – LSDM dhe BDI, qasja e tyre është e ndryshme. BDI e sheh procesin e vetingut më gjerësisht, d.m.th. zbatimin e vetingut të të gjithë mbajtësve të posteve publike, një zgjidhje që deputetët e BDI-së propozuan në projektligjin për vetingun nga janari i vitit 2020. Kjo qasje përfshin krijimin e një Agjencie për Verifikimin e mbajtësve dhe kandidatëve për funksione publike, si dhe disa zgjidhje që janë në kundërshtim me standardet evropiane (për shembull: shkarkimi automatik i gjyqtarëve). Në të kundërtën, programi i LSDM-së thekson nevojën për “veting të butë” – pastrimin e gjyqësorit duke përdorur mekanizmat dhe institucionet ekzistuese, veçanërisht Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Këshillin Gjyqësor. Pozicioni i bashkësisë ndërkombëtare është i qartë për këtë çështje, shton ky institucion. Ata sqarojnë se raporti i Priebe-së thotë se nuk rekomandohet një rishikim i përgjithshëm i të gjithë gjyqtarëve, ndërsa në mbledhjen e 14-të të Nënkomitetit për Drejtësi dhe punëve të brendshme, të mbajtur në nëntor të vitit 2019, qëndrimi i Komisionit Evropian ishte që mekanizmat ekzistues duhen përdorur së pari për të kontrolluar gjyqtarët dhe prokurorët publik dhe për të përdorur vetingun si mjetin e fundit përderisa mekanizmat e rregullt nuk funksionojnë. Korniza e negociatave përqendrohet gjithashtu në zbatim”, tha për Portalb.mk, Iva Conevska nga Instituti për Politikë Evropiane.

Po ashtu nga Instituti për Politikë Evropiane, thonë se partitë politike janë të pa besueshëm në realizimin e procesit të vetingut.

“Një vetting me bazë të gjerë, siç propozohet nga BDI, është pak i besueshëm, pasi dëmton reformën gjyqësore deri më tani dhe mbart rreziqe të mëdha për pavarësinë dhe efikasitetin (i cili tani është në një nivel të ngurtë). Nga atje, ka të ngjarë të insistojë në zbatimin e mekanizmave të shumtë ekzistues për rritjen e përgjegjësisë në kryerjen e funksionit gjyqësor, dhe ndryshimin e tyre dhe futjet e reja vetëm pas një vlerësimi objektiv”, tha Conevsk.

VETINGU është procesi që shërben për përjashtimin e zyrtarëve publik, të cilët nuk kanë integritet në përmbushjen e detyrës dhe në këtë mënyrë, rikthehet besimi i publikut në punën e institucioneve shtetërore. Procesi i vetingut, si rregull, kryhet duke kontrolluar figurën e dikujt përpara se t’i ofrohet një vend pune. Në varësi të vendit të punës ose të projektit, procesi i vetingut mund të bazohet në kontrollin e aftësive, personalitetit, pasurisë ose të ndonjë faktori tjetër që lidhet me qëllimin e vetingut.

Lexo gjithçka për reformat në gjyqësor, përfshirë edhe “vetingun”: KËTU

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button