Kreu i Këshillit Gjyqësor në RMV: Vetëm pasi e filluam iniciativën për lëndët e vjetruara, gjyqtarët i zgjidhin lëndët

Pas iniciativës për mbledhjen e të dhënave nga gjykatat në lidhje me lëndët e vjetërsuara dhe lëndët e vjetra që nuk janë zgjidhur nëpër gjykatat e Maqedonisë së Veriut është fakt se ka rritje të numrit të zgjidhjes së lëndëve të vjetra, thotë kryetari i Këshillit Gjyqësor, Kiro Zdravev në një bisedë me gazetarin e Portalb.mk.

“Unë kam bërë plan aksional dhe filluam që t’i vizitojmë gjykatat, i vizituam 3-4 gjykata, por për fat të keq pastaj pandemia na pengoi dhe tash planifikoj që atë plan aksional ta përditësojmë pas pushimeve vjetore me shpresë se do të qetësohet pandemia. Jo vetëm që kërkojmë të dhëna, por duam që të kryejmë edhe kontroll prej së afërmi në gjykata që të shohim se si është gjendja me lëndët e vjetërsuara dhe me lëndët e vjetra që nuk janë zgjidhur. Në bazë të atyre të të dhënave që i kemi marrë dhe prej disa kryetarëve duhet që t’i marrim dhe në bazë të vizitës sonë, ne bëjmë analizë për çdo gjykatë në veçanti dhe planifikojmë diku në tetor, që bashkë me kryetarët e gjykatave të mbajmë një konferencë të përbashkët në të cilën do të prezantohet nga ana e anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe kryetarëve të gjykatave gjendja e lëndëve të vjetërsuara dhe ato që nuk janë zgjidhur”, thotë Zdravev.

Kiro Zdravev, kryetar i Këshillit Gjyqësor
Kiro Zdravev, kryetar i Këshillit Gjyqësor

Kryetari i Këshillit Gjyqësor, shprehet se prej kur ka filluar aksioni ka lëvizje në zgjidhjen e lëndëve të vjetra, ndërkaq ai pret që deri në fund të vitit të zgjidhen të gjitha lëndët.

“Prej kur ka filluar aksioni, është rritur numri i zgjidhjes së lëndëve të vjetra, megjithatë, ja tani po punohet në analizë për çdo gjykatë në veçanti dhe kur të jetë konferenca, unë do të marrë për obligim që t’u njoftoj që në atë konferencë ku do të ketë tet-a-tet takime mes anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe kryetarëve të gjykatave, të jenë të pranishëm edhe gazetarët dhe mediat, që të mundemi atë aksion ta ngritim në nivel më të lartë në interes të gjyqësorit në tërësi. Pasi që, ja kemi fituar datë për bisedime dhe do të hapen bisedime, gjegjësisht kapitulli 23, dhe ne si gjyqësor patjetër duhet të jemi të gatshëm që t’i japim të dhëna Bashkimit Evropian. Ne po përgatitemi që të gjitha lëndët që janë të vjetruara, të zgjidhen në afat sa më të shkurtër. Jo vetëm ka shkresë cirkulare, por edhe në telefon ju lajmëroj kryetarëve të gjykatave që çdo kryetar të bëjë plan aksional ose program në varësi prej lëndëve të vjetra dhe çdo gjykatës që i ka ato lëndë, duhet të parashohë dinamikë për zgjidhjen e tyre – pra t’u jepet prioritet lëndëve të vjetra. Qëllimi dhe dëshira ime është që deri në fund të vitit, atje ku ka lëndë të vjetra të mbarojnë. Kryetarët e gjykatave  të bëjnë programe për zgjidhjen e këtyre lëndëve”, tha kryetari i Këshillit Gjyqësor.

Zdravev për Portalb.mk, flet edhe në lidhje me ata gjykatës të cilët nuk gjykojnë sipas parimit të afatit të arsyeshëm, dhe siç shpjegon ai, të njëjtit mund të vijnë në situatë të shkarkohen në rast se nuk gjykojnë sipas afateve ligjore.

“Gjykata Supreme është organi që udhëheqë procedurë nëse është shkelur parimi i gjykimit në afat të arsyeshëm dhe ata vendosin. Ka shkallë të parë, të dytë. Palët mund të dorëzojnë ankesë deri te Gjykata Supreme, edhe nëse vetë Gjykata Supreme e shkelë parimin e gjykimit në afat të arsyeshëm.  Sektori që vendos për shkeljen e këtij parimi, është sektor i veçantë dhe nëse konstaton se ka shkelje të parimit, janë të obliguar të reagojnë”, thotë Zdravev duke shtuar që me ligjin e ri për Këshillin Gjyqësor, çdo palë mund të dorëzojë kërkesë për konstatimin e përgjegjësisë së gjykatësit dhe ata ndaj asaj kërkese formojnë komision të raportuesve i cili duhet që të vlerësojë nëse ajo kërkesë është e plotë, a është në kohë, e lejueshme, e bazuar apo e pabazuar.

Në rast se gjykatësi i shkelur afatet ligjore, në këtë rast, Këshilli Gjyqësor mund ta dëmshpërblejë palën e dëmtuar dhe paratë do të ndahen prej Këshillit të Buxhetit Gjyqësor.

“Megjithatë, gjykatësi mund të vlerësohet me notë negative në rast se nuk i respekton afatet ligjore dhe me dy nota negative nënkupton shkarkim të gjykatësit nga detyra. Veç asaj,  nota negative nuk lejon gjasa për avancim”, sqaroi për Portalb.mk, Zdravev.

Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, pas thirrjes së kryeministrit të atëhershëm Zoran Zaev, që Këshilli Gjyqësor ta vlerësojë përgjegjësinë e gjykatësve për vjetërsimin e disa lëndëve, kryetari Kiro Zdravev dorëzoi shkresa te kryetarët e gjykatave që të njëjtit t’i dorëzojnë të dhënat për numrin e lëndëve të vjetra që nuk janë zgjidhur dhe lëndëve të vjetërsuara.

Gjykata Themelore - Shkup
Gjykata Supreme – Shkup

Në kumtesën e nënshkruar nga Zdravev, thuhej se në interes të kthimit të besimit të qytetarëve në pushtetin gjyqësor, në pajtim me dispozitat e nenit 36 nga Ligji i Këshillit Gjyqësor, Këshilli Gjyqësor kërkon njoftim nga kryetarët e gjykatave:

  • Numrin e lëndëve të pazgjidhura ndër vite, llojet dhe gjykatësit
  • Lëndët e vjetra penale me arsyetimin për vjetërsim
  • Çfarë masa janë ndërmarrë nga kryetarët e gjykatave për zgjidhjen e lëndëve të vjetra, në pajtim me programin dhe planin aksionar për zbatimin e programit.

Të dhënat e njëjta, kryetarët e gjykatave kanë pasur afat që të njëjtat t’i dorëzojnë 27 dhjetor.

Më 15 dhjetor, kryeministri i atëhershëm tha se na duhet gjyqësor që merr vendime, e jo gjyqësor që vjetërson lëndë.

Gjykata Themelore - Shkup
Gjykata Themelore – Shkup

Më 1 dhjetor, Zaev paralajmëroi masa kundër gjyqësorit, duke thënë që koha është të përballen me qytetarët, të pastrohen të pandershmit.

Kritika të ashpra për gjendjen e gjyqësorit ka dhënë edhe presidenti Stevo Pendarovski në fjalimin e fundvitit në Kuvend, i cili porositi pushtetin e ri që do të zgjidhet nga zgjedhjet e parakohshme të vitit 2020 të fillojë me pastrimin e gjyqësorit, por fillimisht me pastrimin e politikanëve.

Se në çfarë gjendje e kemi gjyqësorin, tregon edhe anketa e Institutit Republika Ndërkombëtar (IRI), sipas të cilës 79 përqind e qytetarëve nuk kanë besim në gjyqësorin dhe ky është nivel rekord negativ, që nuk e ka asnjë shtet në rajon.

Reformat në pushtetin gjyqësor vazhdojnë të jenë pika e zezë e  të gjitha pushteteve të deritanishme, të cilat nuk arritën që ta ndajnë nga ndikimet politike. Pandemia e virusit korona i la në hije këto reforma, të cilat përveç se janë të rëndësishme për vetë funksionimin e shtetit ligjor, janë dhe kusht i domosdoshëm për anëtarësimin e vendit në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button