Nacionalizmi rrezikon Maqedoninë dhe rrugën e saj për BE

Në Maqedoni mbretëron nacionalizmi si pasojë e të cilit ndodhin incidentet e shumta ndër-etnike. Bashkimi Evropian duhet të kontribuojë më shumë në çrrënjosjen e këtij nacionalizmi në vendet të cilat aspirojnë të jenë anëtare në të përfshi këtu dhe Maqedoninë. Ishin këto disa nga konkluzat nga debati i sotshëm në Shkup me temë “Si mund Bashkimi Evropian të punojë më mirë në Ballkan”pjesë e projektit evropian “Programi i zhvillimit të Lidershipit”.
“Nacionalizmi është prezent në Maqedoni dhe ka rrënjë të thella, ai maskohet për një kohë të caktuar por nuk zhduket , ai assesi nuk bën të nënçmohet sepse është i rrezikshëm dhe pasojat i shohim në incidentet e fundit, kur ai del në pah” tha ish zv/kryeministrja për euro-integrime, Radmilla Sheqerinska. 

Ajo potencoi se nacionalizmi nuk është problem i shteteve të Ballkanit, por ai është duke u rikthyer edhe në Evropë, por situata është shumë më e rrezikshme në Maqedoni si një shoqëri pas-konfliktuoze, me etnitete të përziera me krizë ekonomike. 

“Në Maqedoni tema e ndjeshme e marrëdhënieve ndër-etnike menjëherë hiqet nga rendi i ditës dhe nuk diskutohet thellësisht për problemet që kemi deri sa nuk na ndodhin gjëra më të këqija si incidentet e ngjashme si këta ditë, si ato në Kalanë e Shkupit” thotë Sheqerinska.
Senton Kaçaniku nga Kosova ka bërë një hulumtim rasti për situatën në Kosovë dhe Maqedoni, ai thotë se BE merret me simptomat e problemit e jo me gjenezën e cila është rikthimi i fashizmit sllav.

“Gjeneza e problemit është rimëkëmbja e fashizmit sllav në regjion, në Serbi sot kryeministri dhe presidenti janë pasues të kriminelëve të Sheshelit, ata në janar e hoqën lapidarian e UÇPMB-së edhe përkundër faktit që UÇPMB sipas marrëveshjes së konsullit kishte fituar amnisti dhe ishte njohur si palë ndër-luftuese këta i etiketuan si terroristë të Al-Kaedës. E njëjta ka ndodhur në Maqedoni me Gruevskin i për shembull cili vrau katër shqiptar (Harun Aliun dhe të tjerë) dy shtetas kosovar dhe dy të Maqedonisë duke e montuar rastin duke i quajtur terrorist islamik. ” thotë Kaçaniku.

Sipas tij, BE është krijuar duke e de-nazifikuar Gjermaninë dhe më pas duke bërë union ekonomik, në të njëjtën duhet të koncentrohet edhe në Ballkan.

“Përderisa kemi nacionalistë dhe fashizëm si në Serbi dhe Maqedoni nuk mund të kemi progres” shprehet Kaçaniku.

Lidija Dimova nga Qendra Maqedonase për Arsimim Evropian potencoi se Bashkimi evropian ka problem me Qeveritë të cilat janë populiste.

“Këtë problem do ta shihni dhe në vitet në vijim. Madje them se duhet të ekzistojë dhe kapitulli 36 në të cilin vendet kandidate duhet të fokusohen në zgjidhjen e problemeve të brendshme dhe ata ndërfqinjësore me mekanizma të ndryshëm politik, me këtë dhe do të shfrytëzonin në mënyrë adekuate dhe fondet IPA” tha Dimova.

Në këtë debat u prezantuan hulumtimet e rastit për Ballkanin dhe atë se si Bashkimi Evropian mund të bëjë më shumë për këtë regjion. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button