Kundërshtohet mbyllja e bizneseve si pasojë e pandemisë në Maqedoninë e Veriut

Vala e dytë e koronavirusit e cila pritet në vjeshtë, sipas autoriteteve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe paralajmërimeve të kreut të Ministrisë së Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, në asnjë mënyrë nuk duhet të fus në karantinë bizneset si masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, por duhet insistuar në respektimin e masave mbrojtëse dhe funksionimin në bazë të realitetit të ri të krijuar, theksojnë ekspertët e ekonomisë.

Drilon Iseni, drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, për Radion Evropa e Lirë, thotë se bizneset në Maqedoninë e Veriut për një kohë kanë arritur të mbijetojnë falë infuzionit financiar nga shteti përmes masave për menaxhimin e krizës ekonomike të shkaktuar nga koronavirusi, por shton se futja në karantinë edhe një herë për një kohë do ta bëjë të pamundur mbijetesën e bizneseve.

“Vlerësimi ynë si Odë (ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimorë) është se masat në të ardhmen në aspektin restriktiv duhet të jenë sa më minimale, pasi që nuk mundet që biznesi, veçanërisht këtu kompanitë e vogla të mbijetojnë edhe një karantinë të tillë siç kishim në fillim të shfaqjes së pandemisë”, shkruan REL.

“Ne sugjerojmë që organet e rendit të ndërmarrin më shumë masa për të siguruar sa i përket respektimit të rekomandimeve për mbrojte nga virusi. Mbyllja e bizneseve të mos jetë alternativë gjatë periudhës që vjen pasi që edhe ashtu i tërë ky vit ka qenë shumë i vështirë për bizneset”, thotë Iseni.

Ndryshe, borxhi publik gjatë muajit mars të këtij viti para se të fillojë pandemia e koronavirusit ishte 5,56 miliardë euro, përkatësisht 50.7 për qind e Bruto Prodhimit Vendor.

Por, për të menaxhuar pasojat e shkaktuara nga kriza e koronavirusit, Maqedonia e Veriut u detyrua të marrë hua 1.2 miliardë euro duke thelluar edhe më shumë borxhin publik së paku për gjysmë miliardë euro përkatësisht duke tejkaluar 56 për qind të Bruto Prodhimit Vendor.

Në fillim të pandemisë, ministrja e Financave, Nina Angellovska, propozoi uljen e pagave të administratorëve e që u mbështet edhe nga lideri I Lidhjes Social Demokrate ët Maqedonisë Zoran Zaev por qeveria nuk e përkrahu këtë propozim gjatë kohës së fushatës parazgjedhore.

Në këtë drejtim, Zoran Ivanovski, ekspert i ekonomisë, për Radion Evropa e Lirë thotë se shteti nuk mundet që në vazhdimësi të mbijetoj nga huamarrja, duke shtuar se situata është akoma më e komplikuar për faktin që borxhi publik i Maqedonisë së Veriut edhe ashtu shumë i lartë dhe gjatë pandemisë edhe prek shkallën më të lartë që llogaritet si tavani niveli më i lartë i borxhit publik prej 60 për qind të Bruto Prodhimit Vendor.

Ivanovski thotë se rruga e vetme për të mbijetuar në këtë krizë është që ekonomia e vogël të mbete funksionale, pavarësisht kapaciteteve të limituara gjatë funksionimit për shkak të koronavirusit dhe arka e shtetit të mbushet përmes pagesës së tatimeve.

“Prej këtu del se Maqedonia e Veriut do të jetë e detyruar të mbështetet në forcat e saja. Ne si shtet nuk disponojmë me kapacitete të mjaftueshme për huamarrje të rreja dhe sipas meje, thellimi i borxhit do të ketë kosto të lartë për Maqedoninë e Veriut pasi rimëkëmbja e ekonomisë do të jetë e vështirë edhe për një kohë të gjatë. Prandaj, mënyra e vetme mbetet që qytetarët t’i respektojnë masat që kompanitë e vogla dhe ato të mesme të mund të mbeten funksionale që të mund të gjenerojnë mjete”, thotë Ivanovski.

Më shumë se 22 mijë kompani kanë marrë ndihmë nga shteti për të realizuar pagesën e pagës minimale prej 14 mijë e 400 denarë (rreth 240 euro) për muajt prill, maj dhe qershor, me kusht që të të mos ulin numrin e të punësuarve.

Megjithatë, të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave bëjnë të ditur se nga fillimi i pandemisë deri në maj, nga puna janë larguar rreth 15 mijë të punësuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button