Linjë falas telefonike, denonconi shkeljet zgjedhore

Në zyrën e Avokatit të popullit prej sot filloi të funksionojë linja falas telefonike që të munden qytetarët të denoncojnë çfarëdo qoftë shkelje të së drejtës zgjedhore.

Numri në të cilin qytetarët mund t’i paraqesin në periudhën parazgjedhore dhe në ditën e votimit është 0800 54321.

Linja telefonike është e financuar nga ana e Misionit të OSBE-së në Shkup, ndërsa do të funksionojë çdo ditë prej orës 08:00 deri në 16:00 dhe pas denoncimeve të qytetarëve do të veprohet menjëherë, pas thirrjes së marrë ose mesazhit të incizuar.

Avokati i Popullit, të drejtat e qytetarëve do t’i mbrojë me ndërmarrjen e masave urgjente për veprim efektiv nga ana e organeve kompetente në procesin zgjedhor dhe institucionet e tjera, të cilat janë të obliguara t’u sigurojnë mbrojtje të të drejtave të tyre të garantuara.

Njëkohësisht potencoi se e drejta zgjedhore është e garantuar me kushtetutë si e drejtë e barabartë, e përgjithshme dhe e drejtpërdrejtë dhe realizohet në zgjedhje të lira me votim të fshehtë dhe se askush nuk guxon të thirret në përgjegjësi për shkak të realizimit të kësaj të drejte, për shkak të së cilës jo rastësisht shkelja e të lirive të përcaktimit të zgjedhësve, si dhe shkelje të tjera të së drejtave zgjedhore janë vepra të dënueshme.

Duke e pasur parasysh rëndësinë e të drejtës zgjedhore, Avokati i popullit Ixhet Memeti i inkurajon të gjithë qytetarët të cilët mendojnë se u është shkelur e drejta, të njëjtën ta denoncojnë menjëherë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button