BESA nuk e ka konfirmuar largimin nga koalicioni me LSDM-në

Shkruan: Zhaklina Cvetkovska, Vërtetëmatës.

Po recenzojmë një tekst me titull „BESA e la në baltë LSDM-në – do dalin nga koalicioni “Mundemi”?!“, të publikuar në portalin magazin.mk, në të cilin janë shpalosur spekulime për prishjen e mundshme të koalicionit mes BESA-s dhe LSDM-së, pa u mbështetur aspak me  dëshmi relevante nga autoritete zyrtare.

Teksti i plotë është marrë nga portali infomax.mk, dhe vetëm i është ndryshuar titulli, me qëllim që të përforcohet përshtypja për lëvizje të mundshme në skenën politike, në periudhën para formimit të qeverisë së re, dhe për t’i shkaktuar dëm një koalicioni të caktuar politik.

Në paragrafin e parë autori pretendon se BESA do veprojë si subjekt i pavarur në Kuvend, ndërsa si burime janë shënuar “përfaqësues zyrtar të partisë”. Pastaj në vazhdim parashtrohet pyetja:  A nënkupton kjo deklaratë e partnerit në koalicion të Zaevit se deputetët e BESA-s do largohen nga koalicioni me LSDM-në?”. Me këtë autori e demanton vetë pretendimin e tij të shkruar në titull se „BESA e ka lënë në baltë LSDM-në“, ndërsa me parashtrimin e pyetjes për funksionimin e ardhshëm të koalicionit parazgjedhor vërteton se nuk është i sigurt në atë që pretendon.

Në tekst në asnjë pjesë nuk ka ndonjë deklaratë se BESA do largohet nga koalicioni “Mundemi” dhe se do veprojë në kundërshtim me partnerin e saj në koalicion, por, përkundrazi, se ende janë në fazën e koalicionimit dhe se është tepër herët për të definuar hapat e mëtutjeshëm.

Deputetët e BESA-s do funksionojnë si deputetë të Lëvizjes BESA si edhe partitë e tjera, por nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen të formohet edhe grup parlamentar, thuhet në një pjesë të deklaratës së partisë të përcjellë nga portali.

Veprimi si deputet është e drejtë themelore e çdo deputeti, i cili i prezanton qëndrimet dhe mendimet e tij, ndërsa grupimi i deputetëve në grupe parlamentare thjesht nënkupton një prezantim të përcaktimeve partiake dhe partive të tyre. Përfaqësuesit e partive politike mund të veprojnë individualisht ose si grup parlamentar, por është çështje marrëveshjeje nëse do veprojnë si shumicë parlamentare apo si opozitë. Si do veprojë BESA do të dihet vetëm pasi të merret konfirmim zyrtar nga partia.

Por, autori manipulon para kohe me parashikime sipërfaqësore dhe e informon publikun në mënyrë të gabuar gjatë procesit të formimit të përbërjes së re parlamentare dhe në periudhën kur ende nuk ka përfunduar e gjithë puna nga ana e KSHZ-së.

Gazetari duhet të informojë mbi bazë të informacioneve të cilat duhet të jenë të sakta dhe të vërtetuara, e jo të komentojë dhe të shpalosë përfundime personale në zhanret gazetareske informative. Duhet të tregojë një kujdes të veçantë gjatë raportimit për proceset politike, ashtu siç është theksuar në nenin 14 të Kodit Etik të gazetarëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button