Mbretëresha e Anglisë ende në spital

Mbretëresha e Britanisë së Madhe, Elizabeta II është shtruar në spital, për t’u kuruar nga simptomat e gastroenteritit, bëri të ditur Buckingham Palace. 

Monarkja 86-vjeçare është dërguar në spitalin “King Edward VII” në Londër, njoftoi një zëdhënës i pallatit mbretëror.

Të gjitha angazhimet e kësaj javë, përfshi edhe udhëtimin e saj në Romë, do të shtyhen ose anulohen fare.

Mbretëresha u dërgua me makinë private në spital gjatë së dielës, gjithsesi burime nga pallati mbretëror thonë se ajo është “në gjendje të mirë”.

Më herët, ajo mbajti një prezantim medaljesh në Kështjellën “Windsor”, ku ajo po qëndron gjatë fundjavës.

Një zëdhënës i Mbretëreshës tha se ai gëzon “shëndet të mirë”, pavarësisht simptomave të gastroenteritit. “Dërgimi i saj në spital është si masë paraprake. Ajo nuk u dërgua menjëherë sapo ndjeu simptomat, thjesht kështu i japim mundësi doktorëve të zgjidhin më mirë problemin”.

Mbretëresha pritet të qëndrojë në spital për kurim për rreth 2 ditë. Herën e fundit që Mbretëresha është shtruar në spital ka qenë 10 vite më parë, për shkak të një operacioni të lehtë në gju.

Bëhet e ditur gjithashtu se jashtë spitalit të Londrës ka një prezencë të vogël policie, teksa janë mbledhur gjithashtu edhe pjesëtarë të shtypit ndërkombëtar pranë hyrjes.

Nuk ka ende vizita për Mbretëreshën deri më tani. Lajmi i sëmundjes së saj u bë i ditur që natën e së premtes, kur ajo u detyrua të anulonte një udhëtim për në Swansea të Uellsit, ku do të mbante një ceremoni ushtarake.

Gastroenteriti shkakton inflamacion të mukozës së stomakut dhe të zorrëve. Infeksioni mund të transmetohet përmes kontaktit me një person të infektuar, apo nga ushqimi apo uji i infektuar. Simptomat mund të përfshijnë të vjella, temperaturë dhe dhimbje stomaku. 

Lajme të ngjashme

Back to top button