Kosovë, 4 të vdekur dhe 142 raste të reja me COVID-19

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit katër persona të tjerë të infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19) kanë vdekur, duke e çuar në 139 numrin e përgjithshëm të të vdekurve nga ky virus, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), 142 raste të reja janë diagnostikuar pozitiv me koronavirus, me çka numri i tyre ka shkuar në 5.877.

Rastet e reja pozitive janë nga komuna të ndryshme të Kosovës nga të cilat me numër më të madh janë regjistruar në Komunën e Prishtinës.

Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK janë testuar gjithsej 485 mostra të dyshuara me COVID-19, ndërsa nga 8 shkurti deri më tani janë testuar gjithsej 31.541 mostra.

Sa i përket numrit të të shëruarve, të dhënat njoftojnë për 101 pacientë të rinj, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani është gjithsej 3.069 raste. Numri i rasteve aktive me COVID-19 në Kosovë është 2.669.

Sot, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka themeluar Bordin Këshillëdhënës me 11 anëtarë mjekë, studiues, shkencëtarë dhe figura profesioniste për luftën kundër COVID-19 me kryesues Lul Rakën.

Zemaj tha se ky Bord nuk do të jetë vetëm si dekor në këtë luftë, por organ profesional këshillimor për Ministrin e Shëndetësisë.

“Do t’i ofrojë Ministrisë së Shëndetësisë këshilla të shpejta profesionale, me azhurnime të risive shkencore, opinione, parashikime, formulime të masave të reagimit, identifikim të mangësive për të menaxhuar dhe parandaluar përhapjen e COVID-19, rekomandime të masave dhe politikave për adresimin dhe zvogëlimin e pasojave afatmesme dhe afatgjata të COVID-19”, shkroi Zemaj në rrjetet sociale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button