fbpx

ANALIZË: Numri i pensionistëve do të rritet – për pensione më shumë se 1 miliardë euro! (Infografik)

Shuma për pagesën e rregullt të pensioneve do të rritet ndjeshëm në dy vitet e ardhshme. Do të rritet edhe numri i pensionistëve. Pas shqyrtimit të Planit të ri Strategjik 2020 – 2022 të Fondit Shtetëror të për Sigurim Pensional dhe Invalidor, Portalb.mk njofton se parashikimet tregojnë se në vitin 2022 për pagesën e rregullt të pensioneve do të duhen më shumë se 1 miliardë euro.

Në vitin 2022, 10.150 pensionistë më shumë se këtë vit…

Në vitin 2022, krahasuar me këtë vit, parashikimet e FSPIM-it tregojnë se në vend numri i pensionistëve do të rritet për 10.153 persona – përfitues të rinj të pensioneve. Plani Strategjik 2020-2022, i cili i përmban parashikimet për numrin e pensionistëve dhe shumën e nevojshme për pagesë të rregullt të pensioneve, tregon se ka një trend rritës të numrit të shfrytëzuesve të rinj të pensioneve.

Do të rritet numri i pensionistëve, do të rriten edhe shpenzimet e fondit shtetëror, i cili varet nga paratë e Buxhetit Qendror – pa transferimet e të cilit nuk mund t’i paguajë pensionet. Të dhënat tregojnë se udhëheqja e PFSIM-it projekton një rritje të shpenzimeve për pensione, ndaj fondeve private të pensioneve, për rrogat dhe për kompensime për punonjësit.

Konkretisht, këtë vit, sipas planit strategjik, vetëm për pagesën e pensioneve PFSIM-i ka nevojë për 946 milion euro. Kjo shumë rritet vitin e ardhshëm në nivelin e 980 milion eurove, dhe në vitin 2022 ajo do të tejkalojë 1 miliard e 20 milion euro.

Lartësia e pensioneve – sa pensionistë marrin mbi 640 euro…

Deri në fund të gjysmëvjetorit të parë ekonomik – në vend ka pasur 324.518 pensionistë, shumica prej tyre ose 206.421 marrin pension nga 11.863 denarë deri në 39.356, kurse vetëm një pjesë e vogël, gjegjësisht 2.587 pensionistë kanë pension mujor prej 39.356 denarë deri në 53.371 denarë.

Në fund të vitit 2019, në vend ka pasur 322.704 pensionistë, ndërsa në arkën e Fondit shtetëror, kontribute kanë paguar 581.405 persona të siguruar, që do të thotë se për çdo shfrytëzues të pensionit ka pasur nga 1.8 punonjës – persona që kanë paguar kontribute.

Qëndrueshmëria e Fondit shtetëror për pensione u bë një problem kronik që u intensifikua në vitin 2007 pas reformimit të sistemit të pensioneve dhe futjes së shtyllës së dytë të pensioneve, dhe më pas edhe me uljen e shkallëve tatimore, konkretisht në vitin 2019, kontributi për sigurimin pensional ishte 21.2%, ndërsa në vitin 2010 u zvogëlua në 18%. Vazhduan vite me përjashtime nga pagesa e kontributeve për pension për disa kategori të punonjësve, gjë që në mënyrë plotësuese i mbylli valvulat për financimin e FSPIM-së. Kjo situatë u vërejt edhe nga revizorët në një nga raportet e fundit që e shqyrtoi situatën në Fondin Shtetëror të për Sigurim Pensional dhe Invalidor.

“Në vitin 2018, u transferuan 478.0 milion euro për ta mbuluar deficitin. Situata e konstatuar është rezultat i përqindjes së papunësisë, zgjidhjeve ligjore për lirimin nga pagesa e kontributeve dhe pagesën e tyre preferenciale, raportit të pafavorshëm të numrit të të punësuarve dhe pensionistëve, 1.83 punonjës në 1 pensionist, lartësisë së përqindjes së detyrueshme të SPI-së, e cila sipas zgjidhjeve ligjore të Fondit është 18% deri në fund të vitit 2018” – shkruajnë revizorët.

Për më tepër, ata konstatojnë se pjesa e të ardhurave burimore nga kontributet e mbledhura zvogëlohet çdo vit, ndërsa rritet shuma e fondeve që ndahen nga Buxheti qendror për të mbuluar deficitin e FSPIM-së, kështu që paratë nga buxheti i shtetit në vitin 2011 në të ardhurat e FSPIM-së merrnin pjesë me 35.7 % ndërsa në vitin 2018 ato u rritën në nivelin prej 43%. Vitin e kaluar është regjistruar një ulje e kësaj pjesëmarrje të fondeve shtetërore në alimentimin e vrimës në thesarin e fondit shtetëror.

LSDM-ja, e cila sipas rezultateve fillestare është fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, nëse e formon Qeverinë e re, paralajmëron rritje të mëtejshme të pensioneve, por sipas modelit të harmonizimit me shpenzimet e jetesës, gjegjësisht nuk ofron një shumë fikse të garantuar për rritjen lineare të pensioneve.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close