KSHZ hodhi poshtë të gjitha ankesat, Derkoski: Kemi punuar në pajtueshmëri me kushtetutën dhe ligjet

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) në seancën e mbrëmshme i ka hedhur poshtë të gjitha 2.142 ankesat e paraqitura nga partitë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Për 1.478 ankesa nga gjithsej 1.982 të paraqitura nga Partia “E Majta”, anëtarët e Komisionit vendosën se ata nuk kanë pasur nënshkrimin e përfaqësuesit të autorizuar dhe nuk kanë pasur vulën e paraqitësit të listës, ndërsa për 504 të tjera theksuan se ato nuk janë të mbështetur në prova dhe se teksti i arsyetimit të tyre është i njëjtë në të gjitha ankesat. Ndërkaq, për ankesat e Aleancës për Shqiptarët (ASH) dhe Alternativa, poashtu është vlerësuar se janë të pa mbështetura në prova si dhe ankesat e partive “Demokratët, SDU, Integra, Partia e Punëtorëve MORO dhe VMRO-DPMNE. Disa nga partitë ankesat e të cilave u refuzuan, kërkuan rishikim të materialit zgjedhor, si dhe të fletëvotimeve të pavlefshme, por edhe ato nuk ishin të mbështetur në prova, transmeton MIA.

Kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkoski theksoi se këto dy vjet, Komisioni ka treguar se funksionon në bazë të respektimit të ligjeve dhe se kjo nuk do të ndryshojë në asnjë rast, madje as në rastin identik.

“Ne si KSHZ para nesh kemi Kod zgjedhor, kemi udhëzim për zgjidhjen sipas ankesave. Si KSHZ kemi bërë kontrollin e gjithë materialit zgjedhor, procerverbale 16 dhe 21 të të gjitha komisioneve zgjedhore komunale. Në asnjë procesverbal nuk ka vërejtje mbi arsyet e paraqitura në ankesat. Me përgjegjësi theksoj se KSHZ ka bërë punën e saj siç duhet konform Kushtetutës dhe ligjeve. Njëherësh unë përshëndes të gjithë ata që në Fejsbuk dhe rrjetet tjera sociale mendojnë të kundërtën nga unë se mund të vazhdojnë të mendojnë ashtu, por me përgjegjësi ju them se nuk ka asnjë rrugë të vetme të punojnë në kundërshtim me ligjet e këtij shteti”, tha Derkoski.

Vullneti i qytetarëve, sipas tij është shprehur ditën e zgjedhjeve dhe secili ka të drejtë të votojë sipas bindjeve të tyre. Askush nuk duhet të dyshojë në procesin, thekson ai, duke shtuar se ka 35.000 anëtarë të administratës zgjedhore dhe dhjetëra vëzhgues.

Paraqitësit e ankesave të refuzuara kanë të drejtë ankese në Gjykatën Administrative pas vendimeve të KSHZ-së edhe atë në afat prej 24 orëve nga marrja e vendimeve. Pasi të pranojë ankesat, Gjykata Administrative është e detyruar të vendosë brenda 60 orëve. Pas vendimit të Gjykatës Administrative dhe marrjes së vendimeve eventuale nga Gjykata Kushtetuese për mbrojtjen e të drejtës zgjedhore, në KSHZ, konform ligjit, Komisioni do t’i shpallë rezultatet përfundimtare zyrtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. KSHZ më pas do t’u japë certifikatat deputetëve të zgjedhur. Afati i fundit për mbajtjen e seancës konstitutive të Kuvendit është 4 gushti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button