Shkop për Shkupin apo shkopi i Shkupit

Ngjarjet e mëdha nuk mund të kuptohen pa një kronologji paraprake. Ashtu edhe protesta spontane qytetare e së shtunës që u bë në Shkup nga qytetarët shqiptarë për të kërkuar përgjegjësi për disa incidente paraprake me motive etnike, në të cilat ishin sulmuar fëmijë shqiptarë në Shkup. 

Fillimisht, disa ditë më parë, në rrethana, ende të pasqaruara ishte sulmuar, pas një provokimi në baza fetare, Blini 13 vjeçar. Më pas, të premten, një numër i madh huliganësh maqedonas, të maskuar, kishin sulmuar disa fëmijë shqiptarë në sheshin e Shkupit duke u siguruar paraprakisht për përkatësinë e tyre etnike. Në orët e para të mbrëmjes së njëjtë, gjithashtu ishin sulmuar disa nxënës shqiptar, në kthim nga shkolla për tu kthyer në fshatrat e Shkupit, në një stacion autobusësh.

Të njëjtën ditë në mesditë komisari i BE Shtefan Fyle kishte qëndruar shkurt në Shkup, ku ishte arritur një marrëveshje politike mes opozitës dhe pozitës maqedonase që rezulton me kthimin e opozitës maqedonase në Kuvend, prej ku ishin dëbuar me dhunë më herët dhe në mënyrë joligjore. Por, edhe sigurohej pjesëmarrja e opozitës në zgjedhjet e ardhshme lokale, që pritet të mbahen pas tre javëve. Një parti minore e koalicionit të opozitës, të njëjtën ditë, kishte caktuar protesta kundër emërimit të një ish oficeri të ushtrisë të Maqedonisë dhe ish-komandanti të UÇK-së në postin e ministrit të mbrojtjes: Talat Xhaferi nga BDI.

Në mesnatë të së njëjtës ditë filloi organizimi, nëpërmjet rrjeteve sociale i një proteste qytetare kundër dhunës ndaj shqiptarëve për të nesërmen ditën e shtunë. Protesta filloi në mesditë nga lagja Jahja Pashë, që ndodhet në mes lagjeve ku banojnë dendshëm, shqiptarë dhe u bë në formë të marshit deri te godina e qeverisë. Se protesta ishte shumë spontane mjafton të ceket se asnjë shoqatë e as strukturë jo-formale nuk e kishte mbështetur publikisht dhe se nuk kishte asnjë organizim as për nisje e as për mbarimin e marshutës. Protesta edhe mbaroi, me pak tentim për devijim nga marshuta e paralajmëruar deri tek qeveria. Tentim ky që falë angazhimit të disa protestuesve më të moshuar dhe policëve shqiptarë, nuk u realizua. 

Më pas pasoi kthimi i protestuesve për në pjesën e vjetër shqiptare të Shkupit dhe gjatë kthimit ndodhi një devijim tjetër ku u gjuajt gurë mbi njërin nga objektet e proejtit “Skopje 2014”, një teatër nga koha serbe, që ndërtohet në qendër të Shkupit. Edhe ky tentim u zmbraps nga vet protestuesit dhe kthimi vazhdonte nga e njëjta rrugë prej nga ishte nisur. Pas teatrit dhe në ndarje të protestuesve, në grupe të mëdha që u ndanin nga kolona për tu kthyer,  forcat speciale të policisë, me asgjë të provokuara, nisën të përdorin gaz lotsjellës dhe shok bomba me zë. Disa prej tyre, nisën të ndalojnë protestues të veçuar nga kolona dhe të njëjtit ti privojnë nga liria. Më pas protesta degjeneroi në grupe të vogla të cilët nëpër Çarshinë e Shkupit shkaktuan disa demolime të zyrave dhe veturave. 

Episodi i dytë i protestës vazhdoi deri në tregun e Shkupit në Bit Pazar deri ku forcat speciale të policisë përdornin gaz lotsjellës dhe disa eksplodime për të ndarë turmat e protestuesve të cilët kishin thyer disa xhama të stacioneve të autobusit urban dhe një autobusë të tërë. Autobusi kishte mbetur i zbrazët nga udhëtarët dhe vozitësi, nën urën e Bit Pazarit. Kordonat e forcave speciale kishin arritur të shtyjnë turmën e protestuesve vetëm deri aty dhe kur digjet autobusi urban policia shtyn edhe pak më tej protestuesit, vetëm deri në fillim të urës. Por kjo nuk mjafton që të mos i vihet flaka autobusit të njëjtë dhe bile edhe të pengohet depërtimi i ekipit zjarrfikës deri aty. 
Pas një kohë të shkurtër, ku protestuesit ishin në fillim të urës e policët në fillimin tjetër, arrihet një si marrëveshje për tu tërhequr dhe policia fillon me tërheqjen e tyre për deri te qendra tregtare Mavrovasja. Protestuesit prej matanë urës shifnin nëse policia vërtetë tërhiqej, ndërkohë që disa prej tyre, hiqnin një portret gjigant të liderit të BDI-së Ali Ahmeti, nga fasada e një ndërtesë banimi. 

Në të njëjtën kohë një grup prej disa personave, që përfshinin edhe zyrtarë nga e njëjta parti qeverisëse depërtojnë nëpërmjet kordonit të policisë i cili tërhiqej, duke shkuar kah protestuesit. Grup i vogël i protestuesve përparojnë kah këta të fundit dhe refuzojnë ardhjen e tyre nga një largësi. Protestuesve ju bashkëngjitet edhe turma e tërë. Personat e ardhur prej anës së kundërt, fillimisht ndalojnë duke ngritur duart e tyre dhe më pas fillojnë duke u zmbrapsur, me ecje të mbrapsht deri pas kordonit të policisë, prej ku mandej edhe largohen. 
Këtu edhe mbaroi protesta me gjithë devijimet dhe degjenerimet nga e cila vazhdonin vetëm fluturimi i helikopterëve policor dhe tymi i rëndë nga autobusi i djegur pasi edhe policia e edhe protestuesit ishin tërhequr dhe shpërndarë.

Duke dashur që edhe lexuesit të përfitojnë nga dyfishësia ime personale, aktivist dhe analist, ky shkrim duhej të përmbante këto detaje dhe gjatësi jo të rëndomtë. Por shkak për kronologjinë e detajuar është edhe ajo që tani më në opinion edhe u evidentua si problem prej më të mëdhave në Maqedoni. Ndarja e thellë e opinionit dhe mediumeve. Mediat në gjuhën maqedonase, as që shënuan rastet e dhunës kundër shqiptarëve ndonëse kishin rastin të shohin fotot të pasqaruara nga huliganizmi i të premtes por vetëm nën titullin: vandalizëm në qendër të Shkupit. Rastin e Blin-it të vogël dhe foton e një djaloshi tjetër, të rrahur keq, as që e panë para ditës së nesërme kur panë edhe fotot e autobusit të djegur, të efektit të gazit lotësjellës mbi protestuesit dhe tërheqjes të policisë para tyre. 

Nuk pati evidentim më të madh të këtij fakti nga ajo se: lajmin e madh për arritjen e marrëveshjes për dalje nga kriza politike gjithë këto media dhe opinioni e kuptuan vetëm nga twiterri personal i Shtefan Fyle, zyrtarit evropian. Assesi nga ndonjë medium vendas, siç është rasti në shoqëri, shtete dhe opinion publik normal?!
Pasi lajmi i protestave në Shkup, me gjithë shkaqet dhe pasojat e tyre, së pari u dha në mediat botërore u kuptua edhe fakti se problem kryesor i mosfunksionimit politik të këtij shteti nuk mund të jetë opozita që bojkoton apo pushteti arrogant, por diçka më thelbësore e ajo është mospërfaqësimi politik i shqiptarëve të Maqedonisë. Analizat thelbësore për Maqedoninë pas këtyre protestave do të bëhen vetëm për këtë. 

Gjithë vrojtuesit që do arrijnë të shohin spontanitetin, guximin dhe energjinë e atyre protestuesve si dhe efektet nga kjo ngjarje, do mund të shohin se nuk ka shkop që zmbraps më tej se kjo, shqiptarinë nga Shkupi. Ajo, ka arritur deri në minimumin prej ku vetëm mund të përmirësohet dhe fisnikërohet, e assesi të bjerë më poshtë. 

Kjo për shumë arsye. E para se kjo energji e qytetarëve shqiptarë në Shkup u shfaq kur pas deklaratave vulosëse nga BE, për pamundësinë që kështu të ketë integrim të vendit në BE, përgjegjësja, një shqiptare etnike, kishte lënë kolltukun e euro-integrimeve për tu kandiduar për kryetare në qytetin e saj të lindjes. Zonja Teuta Arifi, e cila braktisi Brukselin për Tetovë, me të kandiduar, deklaroi se Tetova është një lloj qendre e shqiptarëve të Maqedonisë. Ndoshta nga logjika: mesi i botës është nën këmbët e tuaja, por ajo me këtë deklaratë sikur zvogëloi qytetin ku jeton aktualisht dhe që është kryeqytet i Maqedonisë. Por parë nga vizioni historik i shqiptarëve ajo harroi se Shkupi është ajo qendra e rëndësishme për gjithë shqiptarët e rajonit. 
Tani u pa se këtë rëndësi e bart një substancë e qytetarëve, të cilët janë pa artikulim politik por që shumë mirë e dinë se ku janë dhe që dëshmuan se do mbeten aty ku janë: në Shkup. Sa për veten e tyre, aq edhe në emër të krejt shqiptarëve dhe në sytë e krejt rajonit.
Se këto qytetarë të Shkupit janë të papërfaqësuar politikisht u pa nga reagimet, që atë ditë, nga parti opozitare dhe ato të pushtetit, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Nëse do kishte përfaqësim dhe trajtim adekuat politik të këtushëm, pse do duhej të reagonin Shqipëria dhe Kosova?!

Vet protestuesit që arritën të organizojnë protestë, para se tre partitë e tyre të këtushme të shkruajnë kumtesa për të dënuar dhunën, dëshmuan se janë shumë më para dhe më vigjilent, se të njëjtat këto parti që sot, e diel, nisin fushatën e tyre politike për të kërkuar edhe njëherë votën e tyre?! Gjithë kumtesat e tyre zyrtare ishin vetëm me datë të ditës së shtunë, kur qytetarët shqiptarë veç më kishin bërë thirrje për protestë?! Kurse të njëjtat subjekte politike, ditën më pas, iu bashkëngjitën kakofonisë së partive maqedonase, me akuza ndaj njëra tjetrës për instrumentalizim të protestave. Duke e hutuar kështu edhe më shumë opinionin, edhe ashtu të painformuar mirë.

Deri më tani, shumë herë gjatë dy dekadave, Shkupi ka qenë shkopi politik që ka prirë në përmirësimin e përfaqësimit politik të shqiptarëve të Maqedonisë. Kjo mund të ndodhë edhe këtë herë pasi e vetmja mundësi për përfitim politik shqiptar nga ardhja e Fyle-s në Shkup mund të mos jetë vetëm takimi i shkurtër në ballkonin e zyrave të BE-së në Shkup me kryetarin e BDI-së, por edhe njëra nga pikat e marrëveshjes mes partive maqedonase. Kjo është pika ku shtyhet, edhe për një javë, afati i kandidimit të kandidatëve për komuna.
Pasi në Maqedoni ka raste të shumta të huazimit të vulave partiake për kandidim këtë mund edhe ta bëjë ndonjë strukturë apo grup politik që të japë një mundësi zgjedhjeje politike, që në këto zgjedhje. 
Nëse jo kjo, atëherë, me siguri do thellohet edhe më shumë përqindja e madhe e asaj që veç më dërgojnë shqiptarët e këtushëm si porosi e ajo është mosdalja në zgjedhje. Gjithë numrat nga cikluset e fundit zgjedhor, shfaqin faktin se; shqiptarët votojnë në përqindje të vogël. Këto përqindje, që sipas shumë analizave veç më arrijnë dy të tretat, mund të shtohen duke arritur nën vijën kritike. Sidomos në komunat me shumicë shqiptare në Shkup. Me çka, Shkupi do vazhdojë të mbetet shkopi politik i shqiptarëve të Maqedonisë dhe trajtimit të tyre në këtë shtet. 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk
Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button