Analistët kosovarë: Urrejtja ndaj shqiptarëve shkatërron Maqedoninë

Rrahjet ndaj shqiptarëve dhe incidentet e fundit në Shkup kanë nxitur reagimet e analistëve nga Kosova. Ata thonë se urrejtja ndaj shqiptarëve nuk është diçka e re por dështimi i pushtetit të tanishëm qëndron në faktin se nuk ka ndërmarrë asgjë konkrete në drejtim të promovimit të bashkëjetesës ndëretnike.

“Urrejtja ndaj shqiptarëve nuk është as produkt i politikbërjes së tanishme, por dështimi i pushtetit të tanishëm qëndron në faktin se nuk ka ndërmarrë asgjë konkrete në drejtim të promovimit të bashkëjetesës ndëretnike e cila si e tillë nuk mund të ketë asnjë kuptim nëse nuk shoqërohet me mekanizma ligjorë që mundësojnë barazi politike, sociale dhe ekonomiko-financiare” thotë për Portalb analisti Mentor Tahiri.

Ai analizon situatën duke thënë se pranimi i bashkëjetesës me shqiptarët dhe sidomos barazisë, përjetohet si shkelje e “kodit” të deritanishëm maqedonas, ku vetë shteti ka shërbyer si aparat eskluziv i një etnie. Kjo ka shkaktuar devijime që shpien deri tek përjetimi arbitrar i rolit të policit, çfarë po bëjnë huliganët maqedonas, ata po sillen si të tillë, thekson Tahiri.

Për analistin Fadil Lepaja, nacionalistët maqedonas po e provokojnë një luftë nga e cila nuk do të fitojnë asgjë. 

“Qeveria me sheshin megaloman ka nxitur ambicie antike të cilat mund të shkatërrojnë Maqedoninë, sepse kombi maqedonas nuk ka kapacitete pushtuese. Nëse vazhdohet me logjiken e provokimeve, Maqedonia do të shndërrohet në një Bosnjë të dytë” tha për Portalb, Fadil Lepaja.

Më tej, Tahiri vazhdon duke thënë se Shkupi në shumë aspekte paraqet elemente të aparthejdit dhe segregacionit i cili aplikohet në kontinuitet duke u reflektuar me rezultate në çdo pore të jetës. 

“Nuk është se thjeshtë pamundësohet promovimi i vlerave kombëtare e kulturore shqiptare, këtu cenohen edhe të drejta themelore njerëzore. Shikoni dallimet etnike në kualitetin e jetës dhe mendoni sa ndikon kjo në rritjen e gjeneratave të reja. Infrastruktura e banimit dhe investimet e shtetit në këtë drejtim, janë aq joproporcionale sa brenda vetë Shkupit qoftë edhe duke ecur në këmbë, dallon se ke shkelur kufirin ndëretnik. Është e vërtetë se ligji aktual për pushtetin lokal, ka mundësuar që brenda Shkupit të ketë komunë me shumicë shqiptare, por ajo thjesht i ngjason një getoje e cila shërben për të krijuar vijat e segregacionit, lidhur me këtë, po jemi vazhdimisht dëshmitarë të sulmeve që po u bëhen fëmijë të pambrojtur shqiptar në “anën tjetër” të qytetit” thekson analisti kosovar Tahiri.

Ai thotë se Qeveria e Maqedonisë duhet seriozisht të mendojë ta instalojë barazinë në vend, përfshirë sigurinë për të gjithë, pavarësisht përkatësisë etnike. 

“Përtej kësaj, dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me mos-tolerancën e qarqeve ekstreme të shfaqur për emërimin e ministrit të ri të mbrojtjes, nuk tolerohet më që të vazhdojë sjellja e jobarabartë e vetë shtetit karshi veteranëve të konfliktit të vitit 2001, me ç’rast veteranët shqiptarë vazhdojnë të trajtohen si “kriminel” të amnestuar” përfundon Tahiri.

Përderisa MPJ e Kosovës reagoi me deklaratë për të dënuar incidentet, disa qytetar të Kosovës kanë fshirë flamurin e Maqedonisë nga obelisku i pavarësisë “NEWBORN” . /PortAlb

Lajme të ngjashme

Back to top button