Pesë të vdekur dhe 118 raste të reja me koronavirus në Kosovë

Në 24 orët e fundit, në Kosovë kanë vdekur pesë persona që kanë qenë të infektuar me koronavirus, ndërkaq autoritetet kanë regjistruar edhe 118 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton ky virus, transmeton REL.

Këto të dhëna dalin nga testimi i 489 mostrave për koronavirus.

Përmes një njoftimi për media, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftojnë se numri i përgjithshëm i të vdekurve nga koronavirusi ka arritur në 135. Aty thuhet se rastet me fatalitet kanë pasur sëmundje shoqëruese, por nuk jepen më shumë detaje.

Gjatë 24 orëve të fundit, nga koronavirusi janë shëruar 157 pacientë, duke çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 2,968.

Sipas të dhënave të fundit, numri i përgjithshëm me COVID-19 në Kosovë, ka arriturnë 5,735, ndërkaq raste aktive vazhdojnë të jenë 2,632.

Ndërkaq, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës njofton se 300 persona me COVID-19 persona po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare dhe në spitalet rajonale.

Në klinikat e QKUK-së, po trajtohen 163 pacientë me COVID-19, ndërkaq në spitalet rajonale janë duke marrë trajtimin 137 pacientë. Numri më i madh i pacientëve me COVID-19, që po trajtohen në spitalet rajonale është në atë të qytetit të Pejës, ku të shtrirë janë gjithsej 61 pacientë.

Prej personave të hospitalizuar në Kosovë, 14 pacientë po asistohen nga respiratorët për të marrë frymë, 28 të tjerë po asistohen nga makina për frymëmarrje e njohur me shkurtesën CPAP, ndërkaq mbi 200 të tjerë po trajtohen me oksigjenoterapi.

Prej kësaj jave, në Kosovë është bërë e obligueshme mbajtja e maskës në ambientet e jashtme, por edhe të mbyllura, aty ku qytetarët nuk mund të mbajnë distancë fizike.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, kanë filluar të japin rezultate pozitive. Ai tha se ditët e fundit, qytetarët kanë respektuar masat, siç është mbajtja e maskës, mbajtja e distancës fizike dhe e higjienës personale.

“Ne presim që këto rezultate të përmirësohen edhe më tej, ndërsa, përgjegjësia na thërret që të vazhdojmë me disiplinë, kujdes, zbatim edhe më rigoroz të masave e rekomandimeve të profesionistëve me qëllim që puna e personelit shëndetësor dhe shërbimeve të tjera të lehtësohet dhe shëndeti i popullatës të ruhet”, tha Zemaj në një postim në Facebook.

Qeveria thotë se personat që nuk respektojnë masat e vendosura për të parandaluar përhapjen e sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi, mund të gjobiten nga 1,000 deri në 8,000 euro. Lidhur me ndëshkimin e qytetarëve, qeveria thirret në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse.
Por, pjesëtarë të shoqërisë civile, si dhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, më herët kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka bazë ligjore për ndëshkimin e personave të cilët nuk zbatojnë masat parandaluese dhe rregullat kundër COVID-19.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button