Çfarë mbresash lanë këto zgjedhje?

Patjetër se duhet respektuar votën demokratike. Megjithatë, kjo s’do me thënë aspak se do të duhej të meritonin po të njëjtin respekt edhe rrethanat që i shoqëruan këto zgjedhjet e fundit në Maqedoninë e Veriut. Kjo vlen edhe për strategjitë e zgjedhura nga akterët e tyre.

Rivalitete të “egra” politike, konflikte të rënda ndër partiake, koalicione të brishta, premtime pothuajse fanteziste,  por edhe shumë “dallavere” të  tjera, të cilave vështirë me iu ra në fije dhe me iu gjetur një emërues të përbashkët.

Në këtë rrëmujë, me siguri se nuk munguan ca tendenca që paraqesin një shpresë të re për vendin, por, siç duket, zëri i tyre e pati fatkeqësisht vështirë të afirmohet përballë atyre që e përdorin gjithë fuqinë dhe potencialin e tyre, vetëm e vetëm që mos t’iu a zë dikush vendin!

Një kopjim funksionimi, një përsëritje e asaj që veç e kemi vërejtur në të kaluarën. Kurse e gjithë kjo, duket se paraqet, jo vetëm një vazhdimësi por edhe një thellim të divergjencave dhe të njëfarë patetizmi, të cilat janë domosdoshmërish faktorë frenues, si për mirëqenien brenda vendit ashtu edhe për proceset e synuara integruese evropiane.

E gjithë kjo, a simbolizon sërish dhe ekskluzivisht përqendrimin në entuziazmin dhe dëshirën për pushtet, një mungesë vizioni pragmatik apo thjesht një shprehje vullneti për me vepruar “ashtu si gjithmonë”?

Përgjigja ndaj këtyre çështjeve ndoshta nuk do të ishte e rëndësishme për gjithsecilin, sidomos jo për ato që dëshirojnë të jetojnë me të “vjetrën”. Përndryshe, këto çështje paraqesin me siguri një brengosje të madhe për ata që nuk mund të kënaqen me çudirat që ndodhin në funksionimet tona, posaçërisht në ato politike.

Përveç tjerash, disa aspekte të një domethënie simbolike ranë në sy në këto zgjedhje; rregullat e parandalimit të pandemisë dhe të mbrojtjes së shëndetit publik u anashkaluan në dobi të atyre që i prekin interesat e ngushta partiake dhe politike. E jo vetëm kaq!

U anashkalua edhe diaspora. Siç duket, për dikë, ajo nuk paraqet gjithmonë një rentabilitet politik. As në cilësinë e votuesit, e lere më në cilësinë e bartësit eventual të një posti politik.

Çka me thënë për formimin e qeverisë, për arritjen e shumicës në parlament. Konfiguracioni aktual nuk lë një hapësirë shprese për një ndryshim madhor. Të kota janë kalkulimet matematikore. Veç i kemi bërë këto llogari në të kaluarën, por shpejt është konstatuar se ato nuk paraqesin zgjidhje afatgjate për dalje nga krizat tona të pafundëta. Sidomos jo në kontekstet e proceseve që paraqesin vetëm një kopjim rezultatesh gjoja se të “përmirësuar”!

Po, demokracia duhet respektuar. Mirëpo, le t’i marrim edhe ne mbi sipër përgjegjësitë tona, në kontekstin e të mirave dhe të këqijave që burojnë nganjëherë nga vlerat dhe liritë demokratike. Nganjëherë, flitet diçka tjetër, kurse veprohet ndryshe. Jemi bashkëpërgjegjës procesesh,, bashkëpërgjegjës për të gjithë atë që është duke ndodhur te na. Le të mos fajësohen gjithmonë politika, partitë dhe shteti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button