Një kornizë diplomatike për të arritur qëllimet strategjike

Qeveria e re e Maqedonisë Veriore e cila duhet të formohet pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, do të ballafaqohet me një varg kërcënimesh që ka sjellur pandemia globale. Diplomacia e Maqedonisë Veriore (MV) si kërcënim të përhershëm do t’i ketë ndërhyrjet ruse të të gjitha formave dhe parandalimin e shpërthimit publik të pakënaqësive të brendshme në botën e jashtme.

Do të fillojmë me katër aktorët globalë që luajnë rol kryesor dhe kritik në marrëdhëniet ndërkombëtare. Do të veçojmë disa momente në politikën e jashtme të Maqedonisë Veriore në raport me Rusinë, Bashkimin Europian (BE), Kinën dhe Sh.B.A.-të si pararëndëse të ngjarjeve që mund të ndikojnë në sigurinë e MV-së si anëtare e NATO-s dhe kandidate për në BE.

Ndërsa Rusia dhe Kina janë bërë mjaft të guximshme në Ballkanin Perëndimor, prapseprap ka dallime në qasjet e tyre. Rusia ka ndërthurur fuqinë e butë me fokus në çështjet e sigurisë rajonale duke përdorur mjetet e dezinformimit si pjesë të strategjisë hibride.

Ndikimi ka qenë i dukshëm jo vetëm në Ballkan por edhe kundër shteteve të Bashkimit Europian dhe Sh.B. A.-ve. Ndërsa Kina është përqendruar kryesisht në rritjen e investimeve ekonomike duke fshehur gjurmët e pozicionimeve në çështjet gjeopolitike të Ballkanit.

Edhe pse Maqedonia Veriore pas zgjidhjes së çështjes së emrit dhe hyrjes në NATO, vazhdon të lundron në ujërat e turbullta të gjeopolitikës europiane dhe botërore. Rusia është e pozicionuar më ndryshe kësaj here. Duke i pasur parasysh lidhjet historike të Rusisë me Ballkanin dhe përparësitë e Kremlinit në politikën e jashtme dhe në fushën e strategjisë hibride, Moska ka dhënë një pasqyrë të gabuar për rajonin dhe kjo mbështetet në kapacitetet ruse për të ndërhyrë fuqishëm dhe në mënyrë vdekjeprurëse në shtetet e brishta.

Historikisht me dobësimin e Perandorisë Osmane, Rusia është konsoliduar në Ballkan, por gjithnjë ka qenë rivale e Austro-Hungarisë. Me dobësimin e Habsburgëve, Rusia u bë më aktive në Europën Juglindore, duke qenë shtytësja kryesore e pavarësive të shteteve sllave prej Perandorisë Osmane. Varësia vazhdoi pas Revolucionit të Tetorit (1917), Mbretërisë SKS dhe pas vitit 1945, kur Jugosllavia u çlirua nga forcat sovjetike. Thënë drejtë, nga pikëpamja gjeografike e shtrirjes së popullsisë, Ballkani deri ku serbët, malazezët dhe maqedonasit kufizohen me shqiptarët, mund të konsiderohet si fushë e lirshme e veprimit rus dhe do të jetë tillë deri në përmbysjen e mundshme të Rusisë si aleat nga vetë serbët e që për momentin vështirë se mund të ndodhë.

Kina gjithashtu nëpërmes “Rrugës së Mëndafshit” synon të sundojë brezin kryesor ekonomik dhe tregtar nga Shangai e deri në Venedik. Këtu bën pjesë i tërë Ballkani, duke përfshirë Greqinë me portet detare, Kroacinë, Shqipërinë, dhe kuptohet Maqedonia Veriore. Qeveria kineze nëpëmes investimeve në infrastrukturë dhe kredive bankare i ka mbështjellur shtetet e rajonit në një kuti ekonomike që vështirë se mund të dalin nga labirinthi financiar -kreditor kinez.

Nga ana tjetër, askush si Kina në këtë kohë nuk mund të sigurojë para të gatshme për qeveritë e Europës Qendrore dhe të Ballkanit. Për të qenë më realist, në Europë, është vetëm Gjermania si shtet që ka investuar shumë në Ballkanin Perëndimor dhe ka kapacitete financiare për të zbarkuar në Ballkan me paketa të gatshme ekonomike dhe financiare. Gjithashtu, BE ka filluar procesin e fundit të zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor, por nuk dihet se sa vite do të zgjasë anëtarësimi i këtyre shteteve në union dhe a do të plotësohet vakumi ballkanik më forca të tjera nga jashtë. Me shumë gjasa, ky vakum do të rimbushet nga Kina e jo nga Sh.B.A.-ja, përshkak të nevojës për një strategji të re amerikane në të gjithë sistemin ndërkombëtar dhe në Ballkan ku bën pjesë edhe Maqedonia Veriore.

Sh.B.A. nën presidencën e Donald Trumpit e ka të vështirë të ketë politika stabile afatgjate për rajonet të caktuara. Megjithatë nën administratën e tij Maqedonia Veriore u bë anëtare e NATO-s dhe u arrit Marrëveshja e Prespës. Aktualisht MV-ja nuk duhet të shpresojë në ndihma të jashtëzakonshme amerikane papërjashtuar këtu edhe shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor.

Qeveria e re në koordinim me partnerët europianë duhet të vazhdojë të mbajë drejtimin e reformave për në BE dhe paralelisht të punojë për një aleancë të qëndrueshme me Sh.B.A.-të pasi të përfundojnë zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Në parim, aleancat tradicionale nuk pësojnë ndryshime, por duhet pasur kujdes në qasjen ndaj shteteve që Sh.B.A. i konsideron çështje të mbyllura dhe qëndrimi i luhatshëm i diplomacisë së Maqedonisë Veriore ndaj çështjeve të hapura në Ballkan. Përshkak të shkurtimeve buxhetore, qoftë edhe të ndonjë strategjie tjetër amerikane për Europën, MV-ja dhe shtetet që bëjnë pjesë në Ballkanin Perëndimor, ka shumë gjasa të dobësohen për nga pikëpamja e rrugës së reformave dhe forcimit të aleancave të reja me shtete që ofrojnë një rënditje tjetër në sistemin ndërkombëtar.

Kjo është pasqyra ndërkombëtare se si janë të pozicionuara aleatët tanë dhe kundërshtarët e shteteve të brishta që vazhdojnë të ushtrojnë presion për ndërrime radikale në politikën ndërkombëtare me efekte në politikat rajonale dhe diplomacinë e shteteve.

Nuk ka dilema se politika e jashtme e MV-së tashmë është e fokusuar drejt BE-së dhe ndërtimit të paqës rajonale. Prapseprap stabiliteti i jashtëm i një shteti buron nga qetësia dhe harmonia që ekziston brenda një shteti. Një kornizë diplomatike e re do të ishte e domosdoshme për Shkupin zyrtarë për të tejkaluar mosmarrëveshjet me Bullgarinë dhe përballjet me sfidat aktuale.

MV-ja nuk ka shumë opsione, diplomacia zyrtare duhet të prezentojë shtetin dhe interesat kombëtare ashtu siç është realiteti ndëretnik e jo siç e ka bërë deri më tani në paraqitjen monoetnike të ekzistencës vetëm të një kombi dhe promovimin e shtetit nacional maqedonas. Mbetet të shihet se si do të zhvillohet diplomacia e ardhshme e MV-së dhe kush do ta drejtojë politikën e jashtme. Në rast se do të vazhdohet me të njëjtën strategji, dilema e sigurisë do të vazhdojë dhe pasiguria do të jetë pjesa e sipërme e pambrojtur e Maqedonisë Veriore dhe diplomacisë së saj në botën e pandemisë globale dhe pas.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button