fbpx

Nga vështirësitë e fillimit, te marrëdhënia me Ibrën dhe provokimi i Szczesnyt, Rebiç rrëfehet

Erdhi te Milani verën e 2019-ës, por pas 4-5 muajsh si anonim, ku qëndroi më së shumti në pankinë, sulmuesi kroat Ante Rebiç “hipi në skenë” në vitin 2020, duke shënuar më shumë se kushdo te kuqezinjtë dhe duke ndihmuar skuadrën të marrë rezultate shumë pozitive, transmeton SS.

Në një rrëfim të gjatë për mediat italiane, Rebiç ka treguar vështirësitë e fillimit, marrëdhëniet me Ibrën, pozicionin e preferuar në fushën e lojës dhe njohjen me Ralf Rangnick, që pritet të jetë trajneri i ardhshëm i kuqezinjve.

Vazhdimi i karrierës te Milani – E kam thënë gjithmonë që dua të qëndroj te Milani, por duhet të pranoj se kjo skuadër ka nevojë edhe për Ibrën. Ai është një lider i lindur dhe kur flet, shumica në dhomat e zhveshjes heshtin, ndonëse unë reagoj kur e ndjej që kam të drejtë. Na ka dhënë të gjithëve shumë dhe na ka bërë më të vetëdijshëm për forcën tonë.

Arma më e fortë – Burimi i forcës time është në kokë dhe kush më sulmon, vetëm më karikon. Unë i njoh cilësitë e mia, jam i fortë fizikisht, i shpejtë dhe luaj me të dy këmbët, por forcën më të madhe e kam në kokë.

Gjëja që ju nervozon më shumë në fushë – Më acarojnë lojtarët që rrinë shtrirë për dy minuta në fushë, sikur të jenë duke vdekur, Ua kam thënë këtë edhe Higuainit e Bernardeschit në sfidën përballë Juves pak ditë më parë. Më dëgjoi Szczesny dhe më provokoi duke më thënë “po humb 2-0, ndaj mos bëj fenomenin”. Normalisht duhej të reagoja me fjalë, por atë ditë nuk e bëra dhe reagova ndryshe, duke i shënuar gol. Për fat loja ktheu në favorin tonë.

Marrëdhënia me Giampaolon – Nuk kam folur asnjëherë që kur është larguar nga Milani.

Vështirësitë e fillimit – Në janar të gjithë flisnin për një rikthim timin në Frankfurt, por unë vijoja të thosha se kam nevojë për 4-5 ndeshje radhazi dhe vetëm pas tyre do të kuptoja nëse jam për Milanin apo jo. Fillimi ishte i vështirë për të gjithë ne, por me kalimin e kohës filluam të njohim më mirë njëri-tjetrin dhe ua kuptoj lëvizjet të gjithëve. Të gjithë lojtarët kishin bërë shumë mirë në klubet e tyre, ndaj kishin nevojë vetëm për pak kohë kur erdhën këtu te Milani.

Roli i preferuar në fushë – Ai i sulmuesit të dytë dhe të luash përkrah Ibrës është luks dhe kënaqësi. Ai fiton të gjithë duelet ajrore dhe sa herë që topi shkon drejt tij, unë vrapoj drejt zonës, pasi e di që do të prekë topin. Edhe te Frankfurti isha unë që vija nga pas shpinës dhe sulmoja thellësitë, ishte Jovic që shënonte golat dhe Haller që fitonte të gjithë dyluftimet ajrore.

Marrëdhënia me Rangnick – E kam njohur pas verës së 2014-ës, kur bëra një botëror të mirë me Kroacinë. Erdhi në Firenze si drejtuesi i projektit të Red Bull dhe më tha: Leipzig ose Salzburg, zgjidh ti. Zgjodha Gjermaninë edhe pse në Bundesligën e dytë, për vetë projektin që ishte dhe koha ka treguar se nuk gabova.

Marrëdhënia me Jovic – jemi miq shumë të mirë dhe nuk shkoi rastësisht te Reali, por sepse ka shumë cilësi. Fillimisht vuajti shumë dëmtimet e njëpasnjëshme, më pas nuk e di çfarë ndodhi në kokën e tij, por jam i sigurt që të gjithë kanë krijuar imazhin e gabuar për të.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close