RMV, Mbi 2 mijë ankesa për parregullsi janë paraqitur vetëm nga dy parti sot në KSHZ

Komision Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) në Maqedoninë e Veriut sot deri në ora 19:30 ka pranuar ankesa për parregullsitë gjatë mbledhjes dhe përcaktimit të rezultateve nga votimi në zgjedhje, transmeton Portalb.mk. KSHZ-ja në afat prej 72 orëve, duhet të marrë vendim për gjithsej 2,141 ankesat e parashtruara nga partitë politike në lidhje me parregullsitë zgjedhore.

Aleanca për Shqiptarët në koalicion me Alternativën kanë dorëzuar 77 ankesa, derisa partia E majta ka dorëzuar mbi 1980 ankesa, parti e cila vlerëson se i janë mohuar edhe tre vende deputetësh.

Ndryshe, dje deri në ora 21:00, kur edhe mbaroi afati, shtatë partitë politike kanë dorëzuar në KSHZ gjithsej 82 ankesa për parregullsitë në procesin e votimit.

Koalicioni i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës kanë dorëzuar 74 ankesa, një “Zëri për Maqedoninë”, dy VMRO-DPMNE, dy partia Demokratët, një Partia punëtore MORO, Unioni Socialdemokrat dhe Integra.

Para se KSHZ t’i publikojë rezultatet përfundimtare jozyrtare, partia e Janko Baçev e Maqedonisë së Vetme ka shtruar kërkesë për shqyrtimin e fletëvotimeve të pavlefshme.

Ndryshe, Asociacioni qytetar MOST në vlerësimin preliminar theksojnë se gjatë procesit zgjedhor ka pasur disa raste të izoluara të parregullsive, të cilat nuk ndikojnë në kualitetin e zgjedhjeve. Ata vlerësojnë se procesi zgjedhor kaloi në atmosferë fer dhe demokratike.

OSBE – ODHIR pas vëzhgimit të këtyre zgjedhjeve, e kanë konsideruar procesin e zgjedhjeve se është realizuar në mënyrë të qetë, me disa probleme, të cilat janë nën hetim.

Komisioni Evropian i ka uruar qytetarët e Maqedonisë së  Veriut që e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 15 korrik, pavarësisht sfidave nga KOVID-19, thuhet në reagimin fillestar të BE-së.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor më 16 korrik zhvilloi seancë dhe konferencë ku publikoi rezultat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 15 korrikut. Me të gjithë votat “Për”, anëtarët e komisionit e votuan raportin e seancës. Sipas numrit të mandateve, KSHZ ka llogaritur që Koalicioni “Mundemi” do të marrë 46 deputet, VMRO-DPMNE do të marrë 44 deputet, BDI 15 deputet, ASH&A 12 deputet, E majta 2 deputet dhe PDSH 1 deputet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button