Maqedoni, politika që shqiptarëve ua servon dajakun

Nëse në Maqedoni rrihen shqiptarët dhe ka tensione duhet ta dimë se njëkohësisht ndodh ndonjë proces i rëndësishëm politik, efektet e të cili duhet “fshehur” duke u ngacmuar bashkëjetesa. Njohësit e çështjeve aktuale thonë se askush më nuk beson se janë të rastësishme incidentet me rrahjen e të pafajshmëve, ata kanë prapavi politike duke u nisur nga kalkulimi me poenë politikë në prag të zgjedhjeve lokale e deri te ri-kthimi i opozitës maqedonase në Parlament.

Përderisa politikanët motivet e ndodhive të fundit, i gjejnë te oponenti politik, duhet urgjentisht të gjendet iniciuesi i këtyre trazirave që rezultoi me përgjakjen e të pafajshmëve.

Të arrestohen dhe dënohen urdhërdhënësit e jo të rinjtë 
Lufta politike midis Gruevskit dhe Cërvenkovskit bëhet e padurueshme pasi gjithnjë e më shumë tentohet të involvohen shqiptarët, të preken ndjenjat e tyre dhe ngjallet revolti i cili do të përkthehej në një fitore për ndonjërin nga këto politikanë të papërgjegjshëm thotë analisti Xhelal Neziri.

Është e tmerrshme te përdoren taktika të manipulimit të opinionit publik duke sulmuar dhe përgjakur fëmijë të pafajshëm. Është jonjerëzore të zbatohen skenarë të përkeqësimit të marrëdhënieve ndëretnike për qëllime të politikës ditore apo për të krijuar një ambient të tillë të zymtë vetëm e vetëm të shkëlqejë një subjekt apo një aktor i caktuar politik. Duhet të arrestohen dhe dënohen urdhërdhënësit e jo të rinjtë e manipuluar. Të gjithë këto incidente kanë për qëllim defokusimin e vëmendjes së opinionit publik nga marrëveshja e arritur midis Gruevskit dhe Cërvenkovskit. Të defokusohet me qëllim që të mos merret vesh se çka në të vërtetë ndodhi brenda në atë takim” thekson Neziri.

Në Maqedoni ndodh ‘teoria e absurdit’
Për Nebi Merselin pas këtyre ngjarjeve më nuk ka kuptim edhe pjesëmarrja në zgjedhje. 

U pa se fajtorë kujdestarë për krizën politike ndër maqedonasit prapë janë shqiptarët. Dhe, kur kemi një situatë të tillë, duhet të jesh idiot që të ndash jetën politike me dikë që për pazare pajtimi dalin e përgjakin fëmijë shqiptarë për të shpërqendruar maskarallëkun e tyre” thotë Merseli.

Ai potencon se akuzat e BDI-së ndaj PDSH-së për incidentet janë qesharake dhe triviale. 

Nuk dua të mbrojë PDSH-në, por kur sot BDI-ja, në pafuqinë e saj për t’u ballafaquar me protestuesit maqedonas dhe në pamundësi për të mbrojtur fëmijët dhe gratë shqiptare, akuzoi PDSH-në për protestën e sotshme, mbase edhe të djeshme, atëherë i mbetet një gjë Menduh Thaçit – të tërhiqet nga Parlamenti dhe të shpallë moratorium. Me mospjesëmarrje në zgjedhjet lokale dhe tërheqjen parlamentare PDSH-së do t’i linte “rehat” Ali Ahmetin, Nikola Gruevskin dhe Branko Cërvenkovskin”  thekson Merseli.

Stojançe Angellov, piromani i incidenteve ndër-etnike

Për profesoreshën Biljana Vankovska, fajtor është lideri i “Dinjiteti”-t, Stojançe Angellov.

Reagimi i pahijshëm i “Dinjiteti”-t në emërimin e Talat Xhaferit për ministër, të gjitha deklaratat të cilat përmbanin elemente të padurimit ndër-etnik drejtuar shqiptarëve ishin elementet të cilat e provokuan protestën e parë të maqedonasve që nuk e di se a ishin fëmijë por e di se treguan se janë të gatshëm tua thyejnë kokën kalimtarëve të pafajshëm. Përgjigjen e kësaj e pamë nga disa fëmijë të tjerë me koktej molotovi. A nuk është perverse fakti që dy grupet e sulmonin policinë duke shprehur protestën ndaj Qeverisë? Por, në këtë pikë dhe u bënë një- e gjetën fajtorin- dëshmuan se Maqedonia është një shtet policor. Prapavija është politike, tani ata të “Dinjiteti”t le të mos i lajnë duart nga përgjegjësia që e mbajnë se janë pacifistë dhe mbledhin nënshkrime për një referendum idiotesk dhe s’kanë asgjë me tensionet. Kanë edhe atë shumë!” komenton në Facebook Vankovska.

Politika maqedonase dhe mediat satelit të tyre të japin përgjegjësi
Incidentet u nisën nga pala maqedonase sepse është e qartë ajo që gjithnjë ndodh, edhe pushteti edhe qeveria mundohet të marrin poenë politik para zgjedhjeve, prandaj dhe gjithë mediet maqedonase i minimizuan në maksimum incidentet me rrahjet e shqiptarëve. Opozita maqedonase përmes Stojançe Angellov  mundohet ta kapitalizojë emëtimin e Talat Xhaferit, e gjitha për politikë ditore. Nga ana tjetër, politikanët shqiptar kanë lënë pas dore popullin, nga kjo ndjenjë e pambrojtur u iniciuan protestat e djeshme, revolta e të cilëve shihej qartë”  vlerëson analisti Robert Nesimi.  /PortAlb

Lajme të ngjashme

Back to top button