Mihajloviç: Me Ibrën për pak jemi rrahur

Bologna do të udhëtojë nesër drejt Milanos për t’u përballur me kuqezinjtë e Stefano Piloit, të cilët të udhëhequr nga një Zlatan Ibrahimoviç i rilindur, po kalojnë një moment mjaft të mirë në kampionat, transmeton SS.

Trajneri i emilianëve, Szinisa Mihajloviç, i cili gjatë vjeshtës së kaluar u angazhua personalisht për të sjellë Ibrën në “Dall’Ara”, doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp, ku ndër të tjera deklaroi se shpreson që gjiganti suedez të mos jetë në formë të mirë.

“Kur ishte te Juventusi, për pak sa nuk u zumë me grushte, por më pas te Interi u bëmë miq, pasi ai është sllav si unë. Kërkuam ta marrim te Bologna, por nuk ia dolëm dhe tani nuk e di ku do të vijojë karrierën. Miqësia jonë jam i sigurt që do të vijojë për shumë vite, por shpresoj që nesër t’i vijë keq për një të sëmurë të mjerë si unë dhe të mos tregohet shumë i keq në fushën e lojës”, deklaroi trajneri serb.

Bologna provoi të sigurojë një vend në Europa League për sezonin e ardhshëm, por kur kanë mbetur edhe 5 javë nga fundi, objektivi duket i pamundur për t’u realizuar, ndërsa Mihajloviç analizon edhe atë çfarë nuk shkoi me skuadrën e tij.

“Kemi bërë ndeshje të mira, por kemi pasur edhe të tjera ku nuk kemi shfaqur agresivitetin e duhur në fushë. Jam shumë i lumtur për golat e Barrow, por ai nuk është një sulmues pykë dhe na ka munguar shumë Santander, që shpesh ka mbetur i dëmtuar. Nuk mund të them asgjë për merkaton, pasi në fund të sezonit do të bëjmë analizën me shoqërinë”, tha Mihajloviç.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button