Komisioni për antikorrupsioni e ndërpreu procedurën për zgjedhje të rektorit të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”

Në seancën e sotme të 35-të, Komisioni shtetëror për parandalim të korrupsionit (KSHPK) e ndërpreu lëndën e formuar me nismë vetanake për dyshim për shkelje të nenit 8 të Kodit zgjedhor, në procedurën e zgjedhjes së rektorit të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” – Shkup. Komisioni ka konstatuar që për shkak të gjendjes me koronavirusin, nuk ka kushte bazike për dërgim të urdhëresës në Rektorat dhe te rektori, që është edhe një nga kushtet bazë për veprim të mëtejshëm sipas dispozitave ligjore, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Sipas KSHPK-së, është bërë përpjekje të dërgohet urdhëresa në vend, mirëpo Rektorati ka qenë i mbyllur për shkak të kovid-19.

Përndryshe, muajin e kaluar, Sindikata e pavarur akademike (SPAk) kërkoi ndërprerje të procedurës për zgjedhje të rektorit të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, prej nga është parashtruar parashtresë në Inspektoratin Shtetëror për Arsim (ISHA). Sindikata i ka bërë thirrje ISHA-s të veprojë edhe sipas parashtresave të dorëzuara paraprakisht nga SPAk dhe nga Komisioni për antikorrupsion, që janë në lidhje me procedurat për zgjedhje të Rektorit dhe Senatit të UKIM, si dhe të zbatohet këqyrje e jashtëzakonshme inspektuese në Universitet. Shkaku për atë ishte që procedura ka vazhduar pavarësisht urdhëresës qeveritare për stopim të zgjedhjes derisa zgjatë gjendja e jashtëzakonshme.

Paraprakisht në fillim të qershorit, qeveria vendosi ta pezullojë zgjedhjen e rektorit të ri të UKIM, mirëpo pas reagimeve të një pjese të kandidatëve për këtë funksion dhe nga Sindikata e pavarur akademike (SPAk), Qeveria ka sqaruar që sipas nenit 5 të Urdhëresës për Ligjin për arsim të lartë, organet e universiteteve të cilave mandati u skadon gjatë periudhës së gjendjes së  jashtëzakonshme, mandatin dhe procedurat për zgjedhje duhet t’i vazhdojnë, t’i fillojnë në afat prej 30 ditësh nga përfundimi i gjendjes së jashtëzakonshme. Ndërsa, veprimet që janë ndërmarrë më parë, konsiderohen të pavlefshme.

Ky vendim është përshëndetur nga SPAk dhe është vlerësuar që me atë mbrohen parimet demokratike të universiteteve dhe shëndeti i komunitetit akademik.

Përndryshe, në listën e përcaktuar për zgjedhje të rektorit të UKIM, për kandidatë për periudhën e mandatit, 15 shtator 2020 – 15 shtator 2023, janë pranuar kandidaturat e prof. dr. Jane Acevski dhe prof. dr. Kole Vasillevski nga Fakulteti për pylltari, e prof. dr. Dragi Dimitrievski nga Fakulteti për bujqësi, e prof. dr. Aleksandar Dimitrov nga Fakulteti teknologjiko-metalurgjik, e prof. dr. Vujica Zhvkoviq nga Fakulteti për edukatë fizike, e prof. dr. Petar Atanasov nga Instituti për hulumtime sociologjike dhe politike-juridike dhe kandidatura e rektorit aktual – prof. dr. Nikolla Jankullovski nga Fakulteti i Mjekësisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button