Llogari e pastër, dashuri e gjatë

Në dashuri, nëse të dy të dashuruar janë të sinqertë dhe i falin sinqeritet njëri – tjetrit, atëherë, me patjetër që dashuria është jetëgjatë! Edhe në politikë, jo gjithmonë, sinqeritetit krijon besim. Që politika nuk përkon gjithmonë me të vërtetën, nuk do të thotë se është e çliruar nga detyrimi për të. Sinqeriteti është hap drejt të vërtetës, dhe pendë për të mos dominuar gënjeshtra. Vërtetësia dhe sinqeritet, shpesh i munguar, krijojnë parakushte, pa të cilën nuk mund të ketë raporte të shëndosha, të cilat shpien kah demokracia në raportet e ndërsjella dhe në shoqëri.

Pjesa dërmuese e shoqërisë sonë (në RMV), mendon se individi duhet të bindet domosdo, apo t’i imponohet mendimi ndryshe. Ata harrojnë faktin se besimi nuk imponohet me çdo kusht, por me faktet që i prezantohen. Bile, as kjo nuk mjafton, por duhet të shoqërohet me veprimin konstruktiv të akëcilës palë. Pastaj besimi forcohet përmes veprimeve konkrete të asaj që quhet e vërtetë. Por, çfarë ndodh me popullin tonë përballë partive politike? Përderisa besimi absolut i mbingarkon njerëzit ndaj një partie, është i patjetërsueshëm kontrolli që të vërtetojë besimin e tij, i cili kur konsumohet, humbet edhe domethënia e kontrollit. Ky rregull, sikur shkelet kur është fjala midis raportit gjyqësi – udhëheqës.

Këtu bëhet e pamundura që të mos përfillet as e drejta, as e vërteta, as sinqeriteti. Institucioni i thirrur për të vënë në peshojë drejtësinë, pra gjyqtari, gati pa përjashtim gjen ato vrimat magjike të ligjit, do nene absurde, që njeriun e veshur me pushtet, e nxjerrin të larë. Dhe këtu fillon humbja e besimit te drejtësia, meqë e vërteta avullohet, shtrembërohet. Për demokraci, as bëhet fjalë. Tani do pyesim: ku është kufiri në mes të vërtetës së pjesshme dhe gënjeshtrës të plotë? Këtë e dinë ai që ndanë drejtësinë dhe personi i pushtetshëm. Meqë, ata mjeshtër të krijimit të mjegullës, krijojnë një re aq të dendur, aq të zezë, sa njeriu i rëndomtë nuk e sheh diellin.

Në shoqërinë tonë, raste të tilla, ka aq shumë sa vështirë që numërohen. Mjafton të sjellim ndërmend lexuesve aferat e zbuluara nga përgjimet e para pesë gjashtë vjetësh, raste këto që e imponuan krijimin e Prokurorisë Speciale, që përfundoi me turpin më të madh juridik dhe moral. Qe pra, edhe një shembull për humbje besimi, meqë këtu s’kishte as drejtësi, as sinqeritet, por mashtrim optimal dhe zhgënjim optimal. Janë raste të rralla, bile shumë të rralla, kur një garniturë qeveritare, ndëshkon për veprimet abuzive, qeverinë që zëvendëson. Kjo është një sëmundje e pashërueshme që shoqëron shoqëritë në tranzicion, duke mundësuar zhvatjen e ndërsjellë. Vetëm demokracitë e konsoliduara, e bëjnë të kundërtën. Ky veprim, apo mosveprim, e stimulon keqpërdorimin e pozitës dhe detyrës zyrtare. Pra, edhe këtu kemi raport jo të sinqertë dhe jo korrekt me ligjin dhe normat e tij, prandaj edhe këto dashuri zgjasin shkurt.

Mjafton të sjellim historinë e zgjedhjeve parlamentare në Republikën tonë, kur raporti i zgjedhjeve të rregullta me ato të parakohshmet, pra me mandat të pambyllur katërvjeçar, është në disfavor të këtyre të fundit. Kjo vjen si pasojë  e përdorimit të vërtetës së pjesshme të pushtetarit, ose pushtetit në tërësi, karshi shoqërisë, karshi votuesit, karshi ligjit, kushtetutës dhe moralit. Individi i veshur me pushtet, për shumë arsye (interesa),e hesht të vërtetën, sidomos të vërtetën e plotë, meqë kjo nuk i intereson padronëve të tij, ose edhe vetë atij. Prandaj shpik gjysmë të vërteta, të cilat krijojnë situatë të favorshme për të. Por, kjo jetëgjatësi është e shkurtër. Individi hesht mbi faktet, të cilat i njeh, i posedon, por nuk i përditëson. Pra nuk ka raport të sinqertë e të drejtë me të vërtetën.

Por politikani nuk është i vetmuar në këtë keqpërdorim. Shembullin e tij e ndjek edhe biznesmeni, mjeku, profesori,… Gënjeshtra zë vendin e së vërtetës, duke u bërë moral i shoqërisë. Moral i rrejshëm që mbulon të vërtetën dhe shoqëria merr tatëpjetën. Vaj halli për atë shoqëri që nuk i del përpara kësaj dukurie, kësaj gangrene, e cila nuk shërohet vetëm me adoptimin e ligjeve të drejta dhe konstruktive, por duhet të përgatiten në çdo aspekt edhe jetësuesit e tyre. Kjo ndodh, do të ndodh kur shoqëria do të zbatojë parimin e meritokracisë, e cila nuk ka nevojë për raporte të rreme, apo dashuri të shpifura karshi individit, shoqërisë, ligjit, moralit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button